Kërko

Vatican News
 Papa Françesku me anëtarët e Këshillit Ipeshkvnor Latinoamerikan (CELAM) Papa Françesku me anëtarët e Këshillit Ipeshkvnor Latinoamerikan (CELAM)  (Vatican Media)

Amerika Latine. Ipeshkvijtë i shkruajnë Papës: prani profetike e vendimtare

“Afërsia e Françeskut, gjithnjë pranë “fëmijëve, të moshuarve, të sëmurëve e të varfërve, është gjest profetik vendimtar në një çast, në të cilin bota rrezikon të çnjerëzohet”. Ky është tipari karakteristik i papnisë së Françeskut, që vihet në dukje nga një Letër e hapur e Celam (Këshilli ipeshkvnor latinoamerikan).

R. SH. - Vatikan

Me rastin e solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, Celam (Këshilli ipeshkvnor latinoamerikan), i dërgoi Papës një letër. Në të nënvizohet  “klima e re, e krijuar sot në Kishë”. “Thjeshtësia, shërbesa dhe gjestet e Papës Françesku flasin fort për një Kishë më ungjillore, që i ngjet gjithnjë më shumë Krishtit. Kishë, në qendër të së cilës janë të vegjlit, të varfrit, të ligshtit”. “E admirojmë pasionin, me të cilin Papa na nxit të rrimë larg vetëvlerësimit e të shkojmë drejt periferive gjeografike e jetësore” - shkruan Celam, e vetëdijshme për rëndësinë e misionit baritor, që kërkon të ungjillëzosh me gëzim.

Mësimi i pasur i Papës

Të shumta, pastaj, falënderimet që i vijnë Papës nga prelatët latino-amerikanë, të cilët e falënderojnë për “vizitat baritore në gjirin e shumë popujve të Kontinentit; për lutjen e tij, për shqetësimin e vazhdueshëm ndaj Amazonës e të varfërve e mësimin, që jep përmes homelive e dokumenteve të magjisterit, ndërmjet të cilave, Nxitja Apostolike “Querida Amazonia”.

Lutja, për ta mbështetur Papën

Përmes Letrës, shprehet mirënjohja dhe dashuria e ipeshkvijve për Papën. Shenjtëri - përfundojnë - kur të jeni tejet i lodhur nga puna e rëndë, që kërkon shërbesa juaj, dëshirojmë ta dini se miliona duar nëpër botë lartohen drejt qiellit, duke u lutur për Ju çdo ditë. E, së fundi, ipeshkvijtë e Amerikës Latine e sigurojnë Papën për lutjen e tyre të vazhdueshme.

01 korrik 2020, 09:12