Kërko

Vatican News
La Madonna sotto la Croce, pittore Francesco Astiaso Garcia La Madonna sotto la Croce, pittore Francesco Astiaso Garcia 

Më 18 korrik kalendari Kishtar kremton Shën Federikun e Utrehtit

Duke shfletuar ‘Jetën’ e shenjtit, mësojmë se duhet të ketë lindur aty nga viti 781 nga një familje me origjinë angleze, në Angli ose në Frizi. I zgjedhur ipeshkëv i Utrehtit pas vdekjes së Rikfredit, ndërmjet viteve 825 e 828, edhe në saje të mbështetjes që i dha perandori Lotari, luftoi kundër paganizmit, që ishte ringjallur në Frizi pas pushtimit norman, si dhe kundër martesave ndërmjet njerëzve të një gjaku.

R.SH. - Vatikan

Më 18 korrik kalendari Kishtar kremton Shën Federikun e Utrehtit, ipeshkëv. “Jeta” e Federikut, e shkruar nga Otberti në shekullin XI, rreth dy shekuj pas vdekjes së shenjtit, është pa ndonjë vlerë të veçantë. Prandaj, sipas bolandistëve, dmth etërve jezuitë që punuan për hartimin e Acta Sanctorum, përmbledhje kritike dokumentesh e të dhënash për shenjtorët, të cilët kremtohen ditë për ditë, nuk meriton as vëmendjen më të vogël.

Dihet me siguri se mori pjesë në Koncilin e Maincit të vitit 829, ku edhe mbajti një fjalim të rëndësishëm për jetën e Kishës. Kujtohet, më pas, në Kartën e 26 dhjetorit 833 dhe në ‘Jetën’ e Shën Odulfit, të cilin e kishte nisur të ungjillëzonte Frizonët. Emri i shenjtit kujtohet përsëri në vitin 834 kur, Rabano Mauro i kushtoi komentin e librit të Jozuehit e shkroi edhe një këngë lavdërimi për nder të tij.

Duke shfletuar ‘Jetën’ e shenjtit, mësojmë se duhet të ketë lindur aty nga viti 781 nga një familje me origjinë angleze, në Angli ose në Frizi. I zgjedhur ipeshkëv i Utrehtit pas vdekjes së Rikfredit, ndërmjet viteve 825 e 828, edhe në saje të mbështetjes që i dha perandori Lotari, luftoi kundër paganizmit, që ishte ringjallur në Frizi pas pushtimit norman, si dhe kundër martesave ndërmjet njerëzve të një gjaku.

Njeri guximtar, e qortoi haptazi perandorin Ludoviku i Përshpirtshëm për martesën me Juditën, në sa ishte ende gjallë e shoqja, Irmingarda. Perandori, që ‘i përshpirtshëm’ ishte vetëm për emër, u zemërua aq, sa e mbyti ipeshkvin më 18 korrik 838. Këto të dhëna i gjejmë në disa burime; të tjera shprehin mendimin se shenjtin e vrau një fisnik i ishullit Valheren, pse ipeshkvi e kishte qortuar rëndë për mëkatet e tij. Sidoqoftë, vdiq duke kryer shenjtërisht detyrën që i takonte.

I varrosur në kriptën e kishës së Shëlbuesit në Utreht, nisi të nderohej si martir në krahina të ndryshme të Vendeve të Ulta dhe në Fuldë të Gjermanisë. Më 1362 kafka e shenjtit, e ndarë nga trupi prej ipeshkvit të Folkertit, u mbyll në një relikuiar ari e argjendi dhe u ekspozua për t’u nderuar nga besimtarët. Gjatë reformës u fsheh në një shtëpi private ku, sipas bolandistit Sipers, ruhej akoma në fillim të shekullit XVIII. Pjesa tjetër e trupit u zhduk pa gjurmë. Festa e Federikut u vendos në Martiriologun Romak më 18 korrik.

18 korrik 2020, 09:07