Kërko

Zemra e Krishtit Zemra e Krishtit 

Zemra e Krishtit, vendi i veprimit mistik të Zotit

Zemra e Shenjtnueshme e Jezu Krishtit është shprehja më e lartë njerëzore e dashurisë hyjnore. Fjalë për Zemrën e Krishtit: “Eja ta adhurojmë Zemrën e Krishtit, të plagosur për dashurinë tonë!”.

R. SH. - Vatikan

Sot Kisha katolike romake kremton Festën e Zemrës së Krishtit. Kjo festë është një përshpirtëri e përhapur në gjysmën e 1700-tës përmes Shenjtores Margerita Maria Alakok.  Festa e Zemrës së Krishtit, tё cilёn Kisha e kremton sot, i jep tonin të gjitha ditëve të muajit qershor. Përshpirtëria popullore, i vlerëson shumë simbolet, e Zemra e Jezu Krishtit simbolizon vetë mëshirën e Hyjit. Zemra e Shenjtnueshme e Jezu Krishtit është shprehja më e lartë njerëzore e dashurisë hyjnoreSolemniteti i Zemrës së Shenjtë të Jezu Krishtit, i cili zemër butë dhe i përvujtë, i lavdëruar mbi kryq, është bërë burim jete e dashurie, ku ushqehen shpirtërisht të gjithë popujt.

Me solemnitetin e Zemrës së Shuguruar të Jezu Krishtit, prej disa vitesh përkon edhe Dita e Shenjtërimit për Klerin. Nisma e ka zanafillën në vitin 1995, kur Gjon Pali II, duke pranuar propozimin e Kongregatës për Klerin, caktoi datën vjetore të Ditës së Shenjtërimit për Klerin. Që atëherë kjo Ditë kremtohet në solemnitetin e Zemrës së Krishtit ose në ndonjë datë tjetër të rëndësishme, sipas mundësive ose traditave vendase.

Në Zemrën e Krishtit adhurojmë dashurinë e Hyjit për njerëzimin

Solemniteti i Zemrës së Krishtit është festa e dashurisë së Zotit, që dëftohet në Jezusin, siç shkruan Shën Gjoni Ungjilltar në kapitullin e tretë të Ungjillit. Zoti e deshi aq shumë botën, sa të dhuronte Birin e tij të vetëm, kështu që kush beson në Të, të mos dënohet, por të ketë jetën e pasosur. Zemra e Krishtit është përmbledhja e gjithë dëftimit të Zotit; e Jezu Krishti, biri i mishëruar i Zotit, është vetë shprehja e dashurisë së Zotit për mbarë njerëzimin. 

Solemniteti i Zemrës së Krishti është festa në të cilën, në mënyrë të veçantë, lavdërojmë dashurinë e Hyjit. Lindi në shekullin XVII pas zbulimeve që i bëri Jezusi Shenjtes Margerita Alakok, rregulltare e Vizitacionit. Në vitin 1675 Krishti iu duk murgeshës, duke e ftuar ta përhapte flakën e dashurisë së Zotit e, duke ua treguar Kishave zemrën e tij, të kërkonte themelimin e një kulti publik dhe liturgjik. Ja një nga shpjegimet për të kuptuar kultin ndaj Zemrës së Krishtit: Në Zemrën e Krishtit adhurojmë dashurinë e Hyjit për njerëzimin, dëshirën e Tij për shëlbimin universal dhe mëshirën e tij të pambaruar

Po cili është kuptimi i këtij devocioni?

Devocioni ndaj Zemrës së Krishtit është kult e devocion për vetë Jezusin, për gjithë Vetjen e Tij. E këtë e shikojmë edhe në ikonografinë e këtij devocioni, që nuk e paraqet kurrë vetëm zemrën, pa Krishtin me natyrën e Tij të plotë njerëzore. Sepse Atij i drejtohemi me lutjen: “Eja ta adhurojmë Zemrën e Krishtit, të plagosur për dashurinë tonë!”. Prej këndej, devocioni për Zemrën e Krishtit, pjesë përbërëse e kultit të Tij, mbetet udhë e ndritur jete e përshpirtërisë së krishterë.

Devocioni për Zemrën e Krishtit është thelbi i Ungjillit

Devocioni për Zemrën e Krishtit është thelbi i Ungjillit dhe i Planit të Zotit për shpëtimin e njerëzimit. Të flasësh për dashurinë e Jezusit, do të thotë të flasësh për dashurinë e Zotit, që të deshi me dashuri të amshuar. Të deshi aq, sa të dhurojë për ty Birin e vetëm! Zemra është qendra e qenies njerëzore, burimi i personalitetit të njeriut, vendi i veprimit misterioz të Zotit. Zemra është simbol i dashurisë! Është filli i gjetur i dritës së humbur! Jezu Krishti e bëri të dukshme dashurinë e Atit përmes Zemrës së Tij njerëzore, të ndjeshme, plot me dashuri e mëshirë. E Jezusi na thotë: mësoni nga unë që jam zemërbutë e i përvujtë. Dhe jeta jonë ka lindur e duhet të përtërihet nga Zemra e shporuar e Jezu Krishtit!

19 qershor 2020, 08:27