Kërko

Vatican News

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës së Corpus Domini

Në Ungjillin e sotëm sipas Gjonit, Jezu Krishti na mëson se Ai i Lumi është buka e gjallë, zbritur nga Qielli. Kushdo që ha nga kjo bukë, jeton në amshim. Pjesa e sotme ungjillore është marrë nga kreu i gjashtë.

R.SH. - Vatikan

51 “Unë jam buka e gjallë, që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im - për jetën e botës”. 52 Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi-shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë korpin (e vet) për ushqim?” 53 Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! 54 Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. 55 Sepse korpi im është ushqim i vërtetë e gjaku im është pije e vërtetë. 56 Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. 57 Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua. 58 Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim”.

Të lutemi së bashku:

Të pushtetshmit e kësaj toke

imponohen me forcë

duan vetëm t’i nënshtrojnë njerëzit,

sepse kështu bëjnë lehtë si u do qejfi.

 

Ndërsa Ti, o Jezus, u bëre shërbëtor

pranove vuajtje e vdekje

për të na shkëputur nga mëkati.

Të goditën padrejtësisht,

të gozhduan në kryq,

të zhytën në errësirën e varrit,

por Ati Qiellor të dhuroi ringjalljen e lavdinë.

 

Të mëdhenjtë e tokës i duan fort dritat e skenave,

vendet e para nëpër mbledhje,

detyrat e titujt bombastikë,

duan të duken nën reflektorë

për t’u nderuar nga njerëzit.

 

E Ti, o Krisht, ndërkaq,

deshe vetëm të bëhesh Buka jonë,

Bukë e thyer për jetën e botës,

Bukë e bluar nga ligësia,

Bukë e dhuruar pa interes,

Bukë, që bëhet ushqim

për t’ua ndryshuar jetën

dishepujve të ulur në tryezë.

 

Ti o Krisht deshe të na ofrohesh si Verë,

Vile rrushi e shtypur nga dhuna e njerëzve,

Gjak i derdhur për të vulosur aleancën e dashurisë së amshuar.

13 qershor 2020, 08:18