Kërko

Vatican News
Corpus Domini - Eucaristia Corpus Domini - Eucaristia 

Shenjtorët e javës 14 -21 qershor

Solemniteti i Korpit e Gjakut është Eukaristia Shenjte, gostia e Pashkëve, në të cilën vet Krishti, duke realizuar sakramentalisht Pashkët e veta, na dhuron Korpin e Gjakun e vet, të ofruara si ushqim e pije, na bashkon me vetveten dhe na lidh ndërmjet nesh përmes flijimit të tij shëlbimprurës. (nga Katekizmi i Kishës katolike, Compendio, 287)

E diel 14 qershor, Kisha katolike kremton solemnitetin e Korpit e Gjakut të Krishtit.  Gjithnjё mё 14 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Elizeun profet dhe Shën Leduinën.  

Festa e Korpit e Gjakut të Krishtit lindi në rrethana të caktuara historike e kulturore me qëllimin që populli i Zotit ta ripohonte haptazi besimin e vet në Jezu Krishtin e gjallë e vërtetë të pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Është, pra, festë e themeluar për ta adhuruar, për ta lumnuar e për ta falënderuar publikisht Zotin i cili, në Sakramentin Eukaristik, vijon të na dojë deri në fund të fundit, deri në dhurimin e korpit e të gjakut të vet. 

Të hënën më 15 qershor, kalendari përkujton shën Viton martir, shën Bernardin nga Mentone, kanonik i rregullt i shën Agustinit dhe shën Gjermanën Kuzin, virgjër. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim. Ne jemi populli i Zotit, këndon Psalmi i sotëm, grigja që Ai udhëheq.

Të martën, më 16 qershor, kalendari përkujton shën Kuirikun e shën Gjulietën, martirë. Liturgjia e ditёs na drejton ftesën e Jezusit që thotë: Ejani tek unë, ju që jeni të lodhur e të shtypur, unë do t’ju ushqej, thotë Zoti. Mësoni prej meje që jam i butë e me zemër të përvujtë.

Të mërkurën më 17 qershor, kalendari përkujton shenjtorët Biaxho dhe Diogjeni, të dy martirë. Liturgjia e ditёs na kujton se Krishti u bë i varfër, për të na pasuruar, sepse dëshiron që edhe ne të bëhemi të përkryer, si Zoti. Mëshirë për ne o Zot, në mirësinë tënde të madhe shlyeji mëkatet tona.

Të enjten më 18 qershor, kalendari përkujton Shën Markun e Marçelianin, martirë romakë, dhe Shën Marinën. Liturgjia e ditёs na kujton se ligji i ri i Krishtit i fton të gjithë të jenë plot dashuri e mëshirë, bujari e solidaritet, si kur fitojnë, ashtu edhe kur, për syrin e botës, humbasin. Duhet të galdojmë përherë në Zotin, që na shpëton.

Të premten më 19 qershor, kalendari i Kishës përkujton shën Romualdin, abat, themelues i Kamaldolezëve, shën Gjuliana Falkonierin, virgjër, themeluese e Mantelateve dhe shenjtorët Gjervazin e Protazin, martirë milanezë. Në liturgjinë e ditës, psalmi na kujton se Qielli shpall drejtësinë e Zotit e të gjithë popujt kundrojnë lavdinë e tij.

Të shtunën më 20 qershor, kalendari përkujton  Shën Silverin papë e martir. Liturgjia e ditёs na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë pa shpërblim, pa shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen për veprat e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh gjithçka.

Të dielën e ardhshme më 21 qershor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 12-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 21 qershor, kalendari kishtar përkujton edhe Shën Luigj Gonzagën, rregulltar. Liturgjia e ditёs na kujton se Krishti u bë i varfër, për të na pasuruar, sepse dëshiron që edhe ne të bëhemi të përkryer, si Zoti. Mëshirë për ne o Zot, në mirësinë tënde të madhe shlyeji mëkatet tona.

14 qershor 2020, 12:53