Kërko

sant'Antonio  sant'Antonio  

Shëna Ndou dhe mushku i heretikut

Zgjodhëm, për Festën liturgjike të Shëna Ndout, një nga mrekullitë e tij më të njohura, përshkruar në librin e P. Eugène Couet, titulluar “Miracles Historiques du Saint Sacrément”- “Mrekullitë historike të të Shenjtnueshmit Sakrament”.

R. SH. - Vatikan

“Ma provo se Korpi i Krishtit është i pranishëm në hoste e po bëhem menjëherë i krishterë!” - i pati thënë një herë një albigjez Shenjtit të mrekullive. E ai ia provoi, në mënyrë të pabesueshme!

Në të gjitha viset, ku përshkohej, Shën Andou i Padovës ishte kamxhiku i heretikëve, falë dhuratës së mrekullueshme që kishte për t’ua çjerrë maskën, kur shpifnin kundër fesë katolike. Një ditë prej ditësh, kur gjindej në Tuluzë të Francës për të luftuar kundër gabimeve të armiqve të Kishës shenjte, nisi të diskutojë me njërin nga albigjezët më të tërbuar, që mohonin çdo të vërtetë, çdo fe, çdo moral, çdo drejtësi, çdo shoqëri! Vihej në diskutim vetë Eukaristia. Pas një rrebeshi me fjalë pro e kundra, kundërshtari, i mundur, por jo i bindur, deshi ta sfidonte përsëri Shenjtin:

“Mjaft më me fjalë - i tha - të shkojmë tek faktet! Nëse, me ndonjë mrekulli, mund të ma provosh para gjithë popullit se Korpi i Krishtit është me të vërtetë i pranishëm në Hosten e shuguruar, do ta braktis herezinë e  do t’i nënshtrohem plotësisht zgjedhës së fesë!”.

“E pranoj dyluftimin!” - u përgjigj sakaq Shëna Ndou, plot me besim në  gjithëpushtetin e mëshirës së Mjeshtrit Hyjnor.

“Ja çka po propozoj - tha albigjezi - në shtëpi kam një mushk. Pasi ta lë tri ditë pa kurrfarë ushqimi, do ta sjell në këtë shesh. Në praninë e  të gjithëve, do t’i jap të hajë tërshërë sa të mundet. E ju paraqitjani atë, që po më thoni se është Korpi i Krishtit. Nëse kafsha e uritur nuk do ta përfillë fare  ushqimin e do të rendë drejt atij Zoti, që sipas doktrinës suaj duhet të adhurohet nga të gjitha krijesat, do të besoj me gjithë zemër në mësimet e Kishës katolike”.

Ditën e caktuar populli rrani prej kahmos, duke e mbushur përplot sheshin  në të cilin do të bëhej prova e madhe. Të gjithë, katolikë e heretikë, prisnin pa frymë. Fra Antoni kremtonte, me devocion engjëllor Meshën, në kapelën aty pranë,

Arriti edhe albigjezi, duke shtyrë mushkun e tij, që mezi ecte, ndërsa një tjetër sillte ushqimin, që i pëlqente aq shumë kafshës së uritur. Heretikët këndonin fitoren, të sigurt se mushku do t’i turrej tërshërës, pa e përfillur fare Hosten Shenjte.

Në këtë çast Ndou doli nga kapela, duke mbajtur në dorë kupën me të Shenjtnueshmin Sakrament. Në shesh ra një heshtje varri. Duke iu drejtuar mushkut, Shenjti i tha me zë të lartë:

“Në emër e me pushtetin e Krijuesit tënd, pavarësisht nga padenjësia ime, që e kam të pranishëm në duar, të urdhëroj, o kafshë e mjerë: eja pa vonesë e gjunjëzoju përvujtërisht para Tij! Heretikët duhet ta dinë se çdo krijesë i nënshtrohet Jezu Krishtit, Zot e krijues, që meshtari katolik ka nderin ta bëjë  të zbresë nga altari!”.

Ndërkaq albigjezi ia tundte tërshërën nën hundë kafshës së uritur, duke e ngucur ta hante.

Oh! Ç’mrekulli! Pa ia hedhur fare sytë tërshërës e pa dëgjuar zë tjetër, veç  atij të Antonit, kafsha, sapo dëgjoi emrin e Krishtit, u kthye një herë nga Meshtari e më pas u gjunjëzua para Sakramentit të jetës, si të donte ta adhuronte!

Duke e parë këtë mrekulli, katolikët shpërthyen në britma entuziaste, ndërsa albigjezët mbetën pa gojë.

E i zoti i mushkut e mbajti fjalën, që ia kishte dhënë Antonit, e braktisi herezoinë e u bë bir besnik i Kishës.

(Tregim i shkruar nga P. Eugène Couet, titulluar “Miracles Historiques du Saint Sacrément).

13 qershor 2020, 11:13