Kërko

Vatican News
2020.06.04 Santissima Trinità 2020.06.04 Santissima Trinità 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës kushtuar festës së Trinisë Shenjte ‘A’

“Zoti është dashuri” e vetëm duke hyrë në këtë dashuri, njeriu gjen të vërtetën e vet dhe lumturinë e vet. “Zoti është dashuri”; kjo fjalë përmbledh gjithë zbulesën hyjnore. E dashuria është gjithnjë mister. Jezusi na e zbuloi misterin e Zotit: Ai, Biri, na bëri ta njohim Atin që është në Qiell, e na dha Shpirtin Shenjt, dashuri e Atit dhe e Birit. Shpirti Shenjt është Vetja e tretë e Trinisë, në lidhje trinitare të njëllojtë me Atin e Birin.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të dielës, që kësaj radhe me liturgjinë e së Dielës qё përkon me festën e Trinisë Shenjte.  

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës kushtuar festës së Trinisë Shenjte ‘A’

Pas festën së Rrëshajëve, të dielën e kaluar, me të cilën u mbyll cikli i kohës së Pashkëve, me këtë të diele, Kisha e fillon ciklin tjetër kohor të kalendarit liturgjik, të quajtur “Gjatë Vitit” dhe, menjëherë na propozon festën më të Madhe e më të mistershme të fesë sonë të krishterë: festën e Trinisë Shenjte Hyjnore.  Kështu pra, si gjithmonë, edhe kësaj here bashkohemi nëpër Kisha e në vende tjera në lutje e në kremtim të Meshës, në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë, për ta dëgjuar e medituar Fjalën Hyjnore të Zotit Trini. E tërë jeta tokësore e Jezu Krishtit ka qenë shfaqje e misterit më të bukur, më të thellë , më të pashqyrtueshëm të Hyjit: e ky mister është Ati, Biri e Shpirti Shenjtë = Një natyrë e vetme Hyjnore në Tri vetje ( në tre persona).

Festa Trinisë Shenjte na propozon të vërtetën e fesë: Hyji Atë e ka dërguar në botë të Birin e Vet, Fjalën e së Vërtetës, Jezu Krishtin, dhe Shpirtin Shenjtë shenjtërues, për të na bërë pjesëmarrës të jetës së tij Hyjnore.  Hyji Atë, bashkë me të Birin e Tij Jezus, Njëlindurin dhe me Shpirtin Shenjtë, janë Një Zot i vetëm në Trininë e vehtjeve dhe në Njininë e natyrës. Ai na ka zbuluar këtë mister përmes Jezus Krishtit, e ne besojmë dhe dëshmojmë fenë tonë në Hyjin e vërtetë e të përjetshëm, rrëfejmë Njëninë e Natyrës dhe Barazinë e madhërisë së Trinisë Hyjnore.

Tekstet biblike të liturgjisё sё Fjalёs tё festës së Trinisë Shenjte na flasin për Zotin, prandaj flasin për dashurinë: nuk ndalen aq në Misterin e Tri Vetjeve Hyjnore, por në dashurinë, që përbën thelbin dhe unitetin e Trinisë njëkohësisht.

Festa e Trinisë Shenjte na kujton misterin e një Zoti të vetëm në tri Vetje hyjnore – Ati, Biri e Shpirti Shenjt – që janë njëri me tjetrin, njëri për tjetrin, njëri në tjetrin. Ky solemnitet liturgjik, pohoi Papa, përtërin misionin tonë për të jetuar në bashkim me Zotin e ndërmjet nesh, sipas modelit tё Trinisё Shenjte. Sikur marrëdhëniet ndërmjet njerëzve do t’u përngjanin marrëdhënieve të dashurisë, që lidhin tri Vetjet hyjnore, bota do të ishte një vend shumë më i lumtur, ku secili do të jetonte për tjetrin.

Prandaj, jemi të thirrur të jetojmë jo njëri pa të tjerët, mbi ose kundër të tjerëve, por njëri me të tjerët, për të tjerët, në të tjerët. Kjo do të thotë ta pranosh e ta dëshmosh njëzëri bukurinë e Ungjillit, ta jetosh dashurinë reciproke, dashurinë për të gjithë, duke ndarë së bashku gëzime e trishtime, sidomos, duke u mësuar të lypim falje e të falim e duke i vlerësuar frymëzimet e ndryshme, që burojnë nga Shpirti Shenjt Zot.

Dashuria është distinktiv i të krishterit, kёtё na kujton nё mёnyrё tё veçantё solemniteti i Trinisë Shenjte. E Kisha na fton tё shikojmё në Trininë Shenjte edhe modelin e jetës sonё nё gjirin e familjes e tё Kishës, ku jemi të ftuar ta duam njëri-tjetrin, ashtu si na deshi vetë Jezusi. Fjala e Zotit e kёsaj sё diele na kujton se dashuria është shenjё dalluese dhe konkrete, që shpreh besimin në Hyjin Atë, në Birin dhe në Shpirtin Shenjt.

Distinktiv i të krishterit, kjo dashuri, ashtu si vijon të na e kujtojë Jezusi ku thotё: “Prej këndej të gjithë do ta dinë se jeni dishepujt e mi: nëse do ta doni njëri-tjetrin!”. Të gjithë, pra, jemi të thirrur ta dëshmojmë e ta kumtojmë mesazhin e ‘Hyjit dashuri’, të dëshmojmë se Zoti nuk është larg ngjarjeve tona njerëzore. E kjo është dashuria e Hyjit në Jezusin. Kjo dashuri, që është tejet e vështirë për t’u kuptuar, por që ne e ndjejmë kur i afrohemi Jezusit. E Ai na fal gjithnjë, Ai na pret gjithnjë, Ai na do shumë! E dashuria e Jezusit, që ne e ndjemë, është dashuria e Hyjit.

Energjia e Trinisë Shenjte, është energji dashurie, bashkimi, shërbimi reciprok, ndarjeje të përbashkët. Njeriu, që i do të tjerët thjesht për gëzimin e dashurisë, është pasqyrim i Trinisë Shenjte Hyjnore.  Familja, në të cilën pjesëtarët e duan dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin, është pasqyrim i Trinisë Shenjte. Famullia kishtar apo komuniteti, ku njerëzit duhen e ndajnë bashkë pasuritë shpirtërore dhe materiale, është pasqyrë e Trinisë Shenjte.

Edhe shenja e Kryqit simbolizon misterinё e Trinisë, e cila, në një farë mënyre, përmbledh shkurtimisht zbulimin e Zotit në misterin e Pashkëve. Vdekja e ringjallja e Krishtit, ngjitja e Tij në të djathtën e Atit e ndikimi i Shpirtit Shenjt! Mendja e gjuha njerëzore nuk mund ta shpjegojnë lidhjen ndërmjet Atit, Birit e Shpirtit Shenjt, e megjithatë, Etërit e Kishës u përpoqën të hyjnë në misterin e Zotit, Një i vetëm, në tri Vetje, duke e jetuar në shtegtimin e tyre mbi tokë, me fe të gjallë. Prandaj, mund të themi se në shenjën e Kryqit e në emër të Zotit të gjallë, përmblidhet gjithë kumtimi, që lind fenë e frymëzon lutjen tonё. Festa e Trinisë Shenjte, është nxitje për të jetuar “njëri me tjetrin”, duke mësuar të falim e të lypim falje. Kjo është detyra qё na ёshtё besuar pёr të ndërtuar njё bashkësi kishtare, në të cilat të ndjehet gjithnjë më shumë fryma e familjes dhe e vёllazёrimit .

                                                    Liturgjia e Fjalës 

Leximi i parë   Dal 34, 4-6.8-9

Moisiu ngjitet drejt malit të Zotit për të gjetur një fjalë të sigurt se do të ruajë bashkimin në popull e do t’i japë paqe zemrës së tij.  Ngjitet drejt Hyjit me dy rrasa guri, që Hyji të shkruante Fjalën e tij, por Hyji që takon nuk kënaqet thjesht me vënien në praktikë të Ligjit: Hyji shfaqet si një Hyj plot me mëshirë dhe dashuri.

Lexim prej Librit të Daljes

Në atë kohë, Moisiu i latoi dy rrasa si të parat; u çua herët në mëngjes e u ngjit në malin Sinaj me dy rrasat në dorë sikurse i kishte urdhëruar Zoti. Atëherë Zoti zbriti në re. Moisiu u ndal aty, ngjat tij dhe e thirri emrin e Zotit. Zoti kaloi përpara tij e shpalli: “Jahuè, Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë.” Moisiu ra vrik me fytyrë për dhe, adhuroi e tha: “O Zot, nëse kam gjetur hir para syve të tu, po të lutem, udhëto me ne. Njëmend, është një popull zverkngurtë, por ti na i fal fajet tona e mëkatet e na prano për pronën tënde.” Fjala e Zotit. 

Psalmi Dn 3, 52-56

Ty, o Zot, të qoftë lavdi e nder në shekuj

I bekuar je, o Zot,

Hyji i etërve tanë.

I bekuar emri i shenjtë

i lavdisë sate.

 

I bekuar je në Tempullin

e lavdisë sate të shenjtë.

I bekuar je në fronin

e mbretërisë sate.

 

I bekuar je, ti që shqyrton

humnerat e që rri mbi kerubinë.

I bekuar je në kupën qiellore.

 

Leximi i dytë 2 Kor 13,1-13  

Ja cila duhet të jetë atmosfera e bashkësisë liturgjike: gëzim, vëllazërim, ndihmë e ndërsjellët në bashkim me tre vetat hyjnore.  Nëse ndërtojmë këtë klimë në kremtimet tona eukaristike do të zbulojmë bukurinë e puthjes së të krishterëve të parë që shprehte gëzimin e të qëndruarit së bashku.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Më në fund, o vëllezër, gëzohuni! Mos pushoni të përmirësoheni! Ngushëllohuni dhe jini në përkim njëri me tjetrin! Jetoni në paqe, e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë! Ju bëjnë të fala të gjithë shenjtërit. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit Atë, dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë. Fjala e Zotit. 

Aleluja. Aleluja. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt: Hyjit që është, që ishte dhe që po vjen.  Aleluja

Ungjilli   Gjn 3, 16-18

Nikodemi, ashtu si të gjithë hebrenjtë priste Mesinë, njeriun e fortë që do të bënte drejtësi dhe do të gjykonte botën me fuqi.  Por, Jezusi i paraqitet atij si Mesia që pranon të jetë i gjykuar, më parë se të gjykojë.  Ai erdhi nga qielli të shpëtojë dhe jo të dënojë.  Gjykimi i vërtetë nuk vjen nga jashtë, por nga raporti personal që secili ka me të vërtetën e Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi i tha Nikodemit: “Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. Kush beson në të nuk dënohet, ndërsa kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

05 qershor 2020, 11:06