Kërko

Vatican News
 Zemra e Krishtit Zemra e Krishtit 

Jezusi të thotë: “Të dua tepër! Ndaj nuk mund të të lë si je”.

Zemra e Krishtit na flet e na thotë “Ejani ju të gjithë që jeni të lodhur e të shtypur, e unë do t’ju çlodh!”.

R. SH. - Vatikan

Lexova shumë në jetë - na kujton Shën Agostini - Lexova Platonin e Ciceronin e shumë gjëra të tjera të urta e të mrekullueshme. Po në asnjë nga shkrimet e tyre nuk lexova “Ejani tek unë të gjithë ju, që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh”. (Mt 11,28)

Në asnjë nuk e gjeta urdhërimin e pagjetshëm: “Duajini armiqtë tuaj!”. Në këtë masë të pamasë, Krishti na kërkon të heqim dorë nga egoizmi ynë, nga uni i gatuar me dëshira e ankthe! Atyre, që pyesin ironikisht “e kush qenka i afërmi im?”, Jezusi vijon t’u përgjigjet edhe sot: “Njeriu, që ka nevojë për ty!”. E kur i dëgjon këto fjalë, të gjitha marrëdhëniet e tjera njerëzore e humbasin kuptimin.

Humbasin kuptimin mbretëritë, krijime gjeniale, fryt i forcës, themeluar mbi gjak e eshtra - përballë perandorisë së Jezusit, me themelet mbi Zemrën e Tij!

Prandaj edhe sot e kësaj dite, miliona njerëz janë gati të derdhin gjakun për Të,  ashtu si e derdhi Ai mbi Kryq, për mbarë njerëzimin.

E prandaj ai, që beson në Zemrën e Jezusit, mendon se po të mos e kish njohur Krishtin, Zoti do të ishte vetëm një fjalë më shumë në fjalor. Duhej të  zbriste në gjirin e njerëzimit,  të bëhej mish e gjak, të shqiptonte fjalë, që nuk i kishte shqiptuar askush para Tij, që unë e ti të gjunjëzoheshim para Zemrës së Zotit, të shporuar për ne! Zemrës së Atij, që vijon të na thotë: “Të dua tepër, ndaj nuk mund të të lë kështu, si je”.

08 qershor 2020, 09:27