Kërko

Vatican News
 Zoja e Këshillit të Mirë Zoja e Këshillit të Mirë 

Iku figurja, po kurrë Zoja

Dita e fundit e majit të Marisë, më 31 maj, në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër.

R. SH. - Vatikan

Në prill të vitit të largët 1467, kur turqit e rrethuan Rozafën, në Shkodër, Kisha e vogël rrëzë kodrës u ra në dorë e para. Por kur shkelën brenda, nuk e gjetën aty të Zojën e shtëpisë. E atëherë lindi gojëdhëna. Thanë se kishte ikur, e mbartur nga engjëjt, mbi det. E se e kishin përcjellë mrekullisht dy shkodranë të devoçëm, duke ecur mbi dallgë. Se kishte shtegtuar gjatë, derisa ishte ndalë  në Gjenacan të Italisë, ku kish bërë shumë mrekulli!

 Kjo, gojëdhëna. Po Zoja nuk kish ikur kurrë nga shtëpia e vet shqiptare. Kish ikur vetëm figurja e Saj. Përndryshe, si do të shpjegohej që shqiptarët vijuan shtegtimet, zbathur, te Zoja, edhe gjatë ditëve të zymta të pushtimit? E edhe kur ai vend i bekuar, u shndërrua në teqe?

Zoja nuk kish ikur! Kishte ikur vetëm figurja!

Përdryshe si do të shpjegohej që, menjëherë pasi ngritën flamurin e Pavarësisë në majen e Deçiçit - shqiptarët menduan t’ia rindërtonin shtëpinë Nënës, që kish banuar pesëqind vjet ndër gërmadha.

E dinin se Zoja nuk kishte ikur kurrë. Se ishte aty!

Ndaj gratë e vajzat shkodrane hodhën rrathët e artë të martesës, vëthët e edhe dupat e nusërisë, për t’ia rindërtuar Nënës shtëpinë e rrënuar. Sepse e dinin: Zoja ishte aty!

Përndryshe nuk do të kishin shtegtuar, me rrezikun e kokës e të bukës së përditshme, kur shtëpia shqiptare e Marisë u kthye rishtas në gërmadhë. E Maji u shndërrua në një nga muajt më të rrezikshëm të vitit. Po bijtë e Zojës e morën më sy rrezikun. Vijuan të shtegtojnë kah gërmadhat e shenjtërores. Këmbëzbathur. Mbështesnin kokën e lodhur nga jeta mbi rrënojat e, çuditërisht, ndjenin butësinë e gjirit të nënës, prej nga buron tambli i jetës!

Sepse Zoja ishte aty! E dinin. E ndjenin!

Ndaj vijuan të shtegtojnë te Zoja, që i priste  e i niste ngarkuar me hire. Duke i siguruar se nuk e kishte në mend të ikte që aty! Kurrë!

E u mblodhën përsëri këtë fundmaji, kur Shenjtërorja ishte e rrethuar nga një armik tjetër, coronavirusi. Po ata e dinin se Zoja ishte aty e i priste. Ndaj u dynden pa frikë dhe e mbushën plot oborrin e Kishës së vogël stolisë me lulet e fundmajit. Nën një shi të imtë, që binte - por nuk i lagte sepse, të përhumbur në kundrim, nuk e ndjenin aspak. Atmosferë që e frymëzoi edhe famullitarin, dom Vlashin. - Ju - u tha besimtarëve që mbushnin përplot oborrin e madh të Kishës së vogël - nuk ju trembi as turku, as komunizmi, as pandemia - jo më po ju tremb shiu i butë i pranverës! Sepse ju e dinit, e dini, se Zoja nuk iku kurrë nga Kisha. Iku vetëm figurja e Saj. Ajo ka qenë gjithnjë këtu, në shtëpinë e vet, në shtëpinë tuaj!

Zoja ishte aty e dëgjonte jonet e këngës, e cila përhapej ëmbël rrjedhës së Drinit - e ngjitej deri mbi bedenat e Kështjellës, që u bëri ballë shekujve, si besimi në Marinë, që nuk kishte ikur, sepse bijtë kishin nevojë për Nënën, së cilës edhe në ditën e fundit të majit të Saj, i drejtonin me devocion të thellë këngën e lashtë e të re:

“Tuajt jemi kenun/ Qyshse kem lé/ O Zoja e Shkodrës/ Lutu për ne!//.

01 qershor 2020, 09:35