Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra II e Shën Palit për Selanikasit, ardhja e dytë e Krishtit

Vijojmë komentin e Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve, të cilin e filluam javën e kaluar, duke sqaruar se argumenti qendror i saj është ardhja e dytë e Jezu Krishtit dhe Gjyqi i Mbramë. Si gjithnjë, ndjekim reflektimin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, në librin e tij “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

“Ardhja e dytë” e Krishtit do të thotë jetë e re për të gjithë besimtarët, të cilët, në kohën e shkrimit të kësaj Letre, turbulloheshin e shqetësoheshin shpesh nga filozofime, fjalë, shkrime, në të cilat pohohej se dita e Zotit, tashmë, ishte krejt afër. E shën Pali i paralajmëron bijtë e vet:

“Mos lejoni t’ju gënjejë kush, në asnjë mënyrë!” (2 Sel 2,3).

Por, si ia bën Pali të jetë kaq i sigurt? Ja dhe pjesa më e errët e Letrës e, s’mund të jetë ndryshe, sepse kemi të bëjmë me një tekst apokaliptik. Ja ç’shkruan apostulli:

 “Njëherë duhet të ndodhë rënia nga feja (apostazia) dhe të shfaqet Njeriu i fajit, biri i Bjerrjes, Kundërshtari, ai që e ngre veten kundër çdo qenieje, që quhet Hyj dhe gjë e shenjtë, sa që ta vërë veten edhe në Tempull të Hyjit, duke e paraqitur veten për Hyj” (2 Sel 2,3-4).

Shën Pali është i sigurt se Zoti nuk do të vijë kaq shpejt, pasi më parë, duhet të ndodhë diçka. Më parë, duhet të vijë Dikush, që “i kundërvihet” e shi për këtë, e vonon ardhjen. Po kush është ky “bir i bjerrjes”? E sidomos, cili është qëllimi i tij?

“Tani e dini çka e ndalon që të shfaqet vetëm në kohën e vet. Vërtet, misteri i paudhësisë është tashmë në veprim, por është diçka që e ndalon deri të jetë hequr nga mesi. Atëherë do të shfaqet i Paudhi, të cilin Zoti [Jezus] do ta mbysë me frymën e gojës së vet dhe do ta zhbijë me shkëlqimin e Ardhjes së vet të dukshme. I Paudhi do të vijë me pushtetin e Satanit dhe do të bëjë gjithfarë mrekullish, shenjash dhe çudish të rrejshme. Ai me ngashnjime të padrejta do t’i gënjejë ata që birren, për arsye se nuk e pranuan dashurinë e të vërtetës, që i kishte shëlbuar” (2 Sel 2,6-10).

Ja pra, nëse ndokush dëshiron një tekst, që të mbërthen me misterin e vet, këtu, ka me ç’të merret: aty është Krishti; është edhe njeriu i fajit, biri i bjerrjes; kemi edhe misterin e paudhësisë; kemi apostazinë e atyre, që do të bëhen tradhtarë; kemi atë, që e pengon zbulimin e plotë të këtij misteri; por kemi edhe kohën kur ai do të zhduket; aty është edhe ardhja e njeriut të fajit me pushtetin e Satanit (pra, nuk është djalli vetë); e kemi edhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, që e zhduk të paudhin nga faqja e dheut, bashkë me ndjekësit e tij.

Në një analizë të parë, ne e njohim Jezu Krishtin, madje edhe Satanin, por ky njeri i fajit e ai, që e mban atë, kush janë vallë për shën Palin? Kush ishte pra Antikrishti për Apostullin e Popujve? Mbetet mister, mbi të cilin secili mund të thotë mendimin e vet. Rëndësi ka të ndiqet Besëlidhja e Re, kur flet për fundin. Para fundit, do të manifestohen plotësisht ata dhe ai, që nuk duan ta pranojnë të vërtetën. Ardhja e Jezu Krishtit do të ndodhë pas dukjes përfundimtare të misterit të paudhësisë, gjë që thuhet edhe në Librin e Zbulesës, ku lexohet se para se të vijë fundi, do të shfaqet mbretëria e Një mijë viteve dhe Satani do të vijë i mbyllur diku (pra, i fshehur), për t’u liruar më pas, për ndeshjen përfundimtare.

Na pëlqen apo jo, ne shkojmë drejt një lufte finale, drejt ndeshjes apokaliptike ndërmjet së mirës e së keqes, ndërmjet Krishtit dhe Antikrishtit. E menjëherë kuptohet se kur ushqehemi vetëm me këto fjalë, në dekik bëhemi kryqtarë, engjëj shfarosës të apokalipsit. Shën Pali nuk bie në këtë tundim, por si ia bën për të mos rënë, do ta shohim në emisionin e ardhshëm.

25 qershor 2020, 08:00