Kërko

Vatican News

Atë Fortunato, Asizi: Papa e Shën Françesku, “në ‘sintoni’ për të varfërit”

Drejtori i Zyrës së Shtypit të Kuvendit të Asizit, atë Enzo Fortunato komenton vendimin e Papës për të themeluar Fondin "Jezu Krishti Punëtor Hyjnor" dhe u kërkon të gjithëve të ndihmojnë françeskanët për t'u shërbyer të varfërve, që u drejtohen mensave të tyre.

R.SH. - Vatikan

“Lajmi që Papa Françesku themeloi fondin ‘Jezu Krishti Punëtor Hyjnor’, në mbështetje të atyre, që kanë humbur punën, në këtë periudhë pandemie, na nxit të bëjmë gjithnjë e më shumë për të tjerët. Fjalët e tij na motivojnë për të arritur tre objektiva të rëndësishme për maratonën e solidaritetit me temë ‘Me zemër, në emër të Françeskut’”. Kështu deklaroi drejtori i Zyrës së Shtypit të Kuvendit të Asizit, atë Enzo Fortunato.

 Sivjet, koncerti tradicional për këtë nismë u mbajt pa publik dhe u transmetua dje, drejtpërdrejt, nga televizioni italian RAIUNO, paraqitur nga Carlo Conte dhe këngëtari i njohur Gianni Morandi. Që prej 18 vitesh, shpjegon atë Fortunato, ajo ndihmon familjet në vështirësi e sivjet, edhe ata, që kanë humbur punën, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Vërtet, janë të shumtë njerëzit, që u drejtohen mensave françeskane, sepse kanë probleme, për shkak se shumë ndërmarrje janë detyruar t’i mbyllin dyert. “Edhe një herë – përfundon atë Fortunato – Françesku Papë e Françesku shenjt janë në ‘sintoni’ për të varfërit: deri sa jemi në kohë, të veprojmë për të mirën”. Që nga 1 maji e deri më 5 korrik, kush dëshiron mund të dërgojë akoma një mesazh në numrin 45515 për të mbështetur fretërit e Asizit në ndihmën për të varfërit. Kushton vetëm 2 euro.

10 qershor 2020, 10:44