Kërko

Vatican News
Santi Carlo Lwanga e compagni, Albert Wider Santi Carlo Lwanga e compagni, Albert Wider  (Joachim Schäfer - Ökumenisches Heiligenlexikon)

Më 3 qershor kalendari kujton shenjtorët Karl Luanga e shokët martirë të Ugandës

Mes vitit 1885 e 1887 me qindra të krishterë qenë viktima të përndjekjeve në Ugandë. Karl Luanga qe shembull i shokëve të vet që flijimin e tyre e bashkuan me atë të Krishtit në Kampala. Dëshmia e martirëve ugandezë na fton të dëshmohet bukuria e fesë së flaktë, që shndërron jetën e përditshme dhe propozohet si mënyrë tërheqëse për ata që pyesin e kërkojnë arsyet e shpresës që janë në ne, besimtarët e Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Mes vitit 1885 e 1887 me qindra të krishterë qenë viktima të përndjekjeve në Ugandë. Karl Luanga qe shembull i shokëve të vet që flijimin e tyre e bashkuan me atë të Krishtit në Kampala. Karli e shokë e tij janë martirët e parë të Afrikës së kohëve moderne.

Karli ishte shtëpiak në pallatin e mbretit Muanga të mbretërisë së vjetër të pavarur të Bugandës, që sot është provincë e Republikës së Ugandës. Ai u pagëzua gjatë ungjillëzimit të Etërve të Bardhë të themeluar nga kardinali Lavizherie. Ishte viti 1885. Një vit më pas, mes rojeve mbretërore e pazhëve, ai u dogj i gjallë në Namugongo bashkë me dymbëdhjetë shokë të tjerë. Ishin të gjithë të rinj. Turrës së madhe të druve të 3 qershorit i pasoi masakra e tmerrshme e filluar më 15 nëntor të vitit 1885 me prerjen e kokës së kryeshërbëtorit të mbretit, Jozef Balikudembes. 

E në një kohë të shkurtër u vijua me martirizimin e të krishterëve të tjerë që u torturuan e gjymtuan në mënyrë të tmerrshme. Llogaritet se nga 15 nëntori i vitit 1885 deri më 27 janar 1887 janë masakruan mbi njëqind të krishterë. 27 janari ishte dita kur Gjon Maria Muzeit iu pre koka dhe iu hodh në një pellg uji.

Sot kalendari kishtar përkujton njëzet e dy martirët e Ugandës, të shpallur të lumtur më 6 qershor të vitit 1920 nga Papa Benedikti XV dhe shenjtorë nga Papa Pali VI më 8 tetor 1964.  Rregulltarët Etërit e Bardhë kishin filluar ungjillëzimin e vendit në qershorin e vitit 1879. Fillimisht u pritën mirë nga vetë mbreti Muteza dhe nga pasardhësi i ri, mbreti Muanga. Por, ky i fundit u ndikua shpejt nga kancelari i mbretërisë dhe nga kryetarët e fiseve. Pasi ndryshoi sjelljen e favorshme ndaj të krishterëve, mbreti urdhëroi shtypjen e përndjekjen e tyre dhe nuk ngurroi t’i vriste disa me duart e veta. 

Në Namugongo është ndërtuar një shenjtërore e madhe në nder të njëzet e dy shenjtorëve ugandas, e cila u shugurua nga Papa Pali VI gjatë vizitës së tij apostolike në Ugandë në korrik të vitit 1969. Pikërisht në Shenjtëroren e Namugongos, Papa Montini i pat thirrur besimtarët ta duan Jezu Krishtin, t’i jenë besnik Kishës e të jenë të fortë e guximtarë, në kultivimin e vlerave shpirtërore e njerëzore. 

Për shën Karl Lwanga dhe shokët e tij Jezu Krishti nuk ka qenë simbol i një vlere të dosido e abstrakte, por simbol i një Personi të gjallë e konkret, një Personi absolutisht të jashtëzakonshëm, për të cilin çdo i pagëzuar mund të thotë me fjalët e Shën Palit Apostull: ‘Më ka dashur dhe ka flijuar vetveten për mua’. Dëshmia e martirëve ugandezë na fton të dëshmohet bukuria e fesë së flaktë, që shndërron jetën e përditshme dhe propozohet si mënyrë tërheqëse për ata që pyesin e kërkojnë arsyet e shpresës që janë në ne, besimtarët e Krishtit.

 Nga rubrika jonë radiofonike : “ 365 ditë: Martirët e Ugandës"  të 26 shtatorit 2008

“Zoti ministër, nuk jam fare i kënaqur nga ju!”.
Mvanga, mbreti i ri i Ugandës, zë vend përballë kryeministrit. “Të kujtojmë përmbledhtas ngjarjet më të freskëta. Vitin e kaluar… kur sapo isha ulur në fronin e babait, gjithçka shkonte mrekullisht mirë në mbretërinë time”.
“Sigurisht zotëri!”.
Një ditë Jozefi, kryetari i pazhëve të mi, guxoi të më qortonte: arriti deri atje, sa të më thoshte se jeta ime private ishte e gabuar. Jozefi ishte i krishterë e sipas tij, unë duhet të doja një grua të vetme për gjithë jetën. Sa i pacipë, apo jo?”.
“Sigurisht, im zot!”.
“E ti pastaj më këshillove: Zotëri, ta dënojmë me vdekje këtë të pafytyrë. Kështu edhe ata pak të krishterë, që janë në vend, do të frikësohen e do ta braktisin këtë fe të huaj. E edhe priftërinjtë e bardhë, që kanë ardhur të banojnë këtu, do vënë thembrat ku vunë majat. M’i the apo jo këto fjalë?”.
“Sigurisht, zotëri!”.
“Jozefi u ekzekutua më 15 nëntor. Vdiq si heronjtë! Duke brohoritur emrin e zotit të vet. Fare mirë! Po ditën tjetër, ç’ndodhi?”. 
Ministri fshin, në heshtje, ballin e djersitur.
“Përgjigju!”, urdhëron mbreti.
“Qindra njerëz shkuan tek etërit e bardhë për të kërkuar pagëzimin” - mërmërit ministri me një fije zëri.
“Ju lumtë, zoti ministër! Rezultat i bukur! E mënyrë edhe më e bukur për t’i mbajtur premtimet”.
“Unë nuk mund ta përfytyroja se vdekja e Jozefit do t’i nxiste njerëzit të bëheshin të krishterë… nuk mund as ta mendoja se janë kaq të çmendur...! – ankohet ministri.
“Hesht! Ndërmjet të krishterëve të rinj ishin edhe… por jo, ma thuaj më mirë ti kush ishte!”.
“Të gjithë pazhët tuaj, zotëri!”.
“Pikërisht kështu, zoti ministër, të gjithë, madje edhe Kizitua i vogël, që s’i kishte mbushur ende dymbëdhjetë vjetët. Atëherë ju më thatë: “T’i dënojmë të gjithë me vdekje, e këtë herë, ju premtoj se krishterimi do të zhduket nga Uganda”.
“Isha i bindur për këtë, zotëri!”.
“Ta lemë mënjanë faktin se në këtë mënyrë ju më latë pa asnjë shërbëtor. Ju lumtë!”.
“Por, nuk është faji im…”.
“Pusho! Pazhët e mi vdiqën duke kënduar për Zotin e tyre, gjë që çoi turma të reja tek etërit e bardhë… Krishterimi vijon të lulëzojë në vendin tonë, si me magji… Përgëzimet e mia, zoti ministër!”.
“Unë mendoj se zoti i tyre është shumë më i fuqishëm se të gjithë shenjtorët tanë”.
“S’më bëhet vonë fare ç’mendon ti. Dua t’i jap fund persekutimit. E do t’ia filloj duke i falur tre të krishterët, që janë në burg. Duhet të trajtohen si heronj, zoti ministër, e të gjithë do të tallen me ju! E meritoni plotësisht këtë dënim, e duhet të më falënderoni që po kufizohem vetëm me të”. “Faleminderit, zotëri”.
Sa e vështirë të jesh ministër...

03 qershor 2020, 09:20