Kërko

2020.05.19 Vangelo del giorno ascensione Cristo in gloria 2020.05.19 Vangelo del giorno ascensione Cristo in gloria 

Shenjtorët e javës 24 - 31 maj

Kisha katolike sot të Dielën VII të Pashkëve kremton solemnitetin e të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell. Festa e të Shëlbuemit, rrezaton mbi gjithë universin dritën e Krishtit Zot të ngjitur në qiell e na kujton se shëlbimi u përket të gjithë popujve, pa dallim e pa përjashtim. Po këtë të diele kalendari kishtar kremton edhe festën e Zojës Ndihmëtare.

R.SH. - Vatikan

E diel më 24 maj, Kisha katolike kremton të Dielën VII të Pashkëve e po sot kremtohet solemniteti i festës të të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell. Festa e të Shëlbuemit, rrezaton mbi gjithë universin dritën e Krishtit Zot të ngjitur në qiell e na kujton se shëlbimi u përket të gjithë popujve, pa dallim e pa përjashtim.

Gjithnjё më 24 maj, kalendari kishtar kremton edhe festën e Zojës Ndihmëtare,  pajtore qiellore e Kishёs Katedrale tё Prizrenit, nё Kosovё.

Të hënën më 25 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Gegën VII, papë, e Shën Bedën Venerabile, meshtar benediktin e doktor i Kishës dhe e Shën Maria Madalena de Paci, virgjër. Liturgjia e ditёs na kujton se mbretëria e Zotit shtrihet në botën mbarë dhe u përket të gjithë njerëzve pa dallim e pa përjashtim.

Të martën më 26 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Filip Nerin, themelues i Kongregatës së Priftërinjve të Oratorit; Shën Eleuterin papë e Shën Simetrin, martir. Liturgjia e ditës na kujton këngën e Psalmistit: “Vetëm në Zotin pushon shpirti im”. E Jezusi na siguron: “Lum ata që vuajnë, sepse do të ngushëllohen”. 

Të mërkurën më 27 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Agostinin, kryeipeshkëv i Kanterbërit. Liturgjia e ditës na kujton se Ati na do e na krijon mundësinë të nxjerrim prej tij hiret që i kërkojmë në emër të Krishtit, na fton të bashkojmë zërin në himnin e lavdit që ia këndojnë Zotit mbarë popujt e tokës.

Të enjten më 28 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Gjermanin, ipeshkëv i Parisit. Liturgjia e ditës na kujton se feja e besimtarëve rritet në bashkim të ngushtë me transmetimin e pandërprerë të Fjalës së Krishtit të ngjallur nga ana e Kishës

Të premten më 29 maj, sipas kalendarit kishtar përkujton Shën Ursulën Ledohovska, themeluese e motrave Orsoline të Zemrës së Jezusit në agoni. Liturgjia e ditës na kujton se ndjekja e Zotit përjashton çdo kompromis. Në se pranon ta ndjekësh Krishtin, duhet të heqësh dorë nga gjithçka tjetër. E atëherë do të vërejmë me gëzim se që në këtë jetë realiteti ynë nis të ndryshojë e zemra nis të na rrahë me ritmin e Zemrës së Zotit. 

Të shtunën më 30 maj, kalendari përkujton Shën Zhanën d’Ark, virgjër e Shën Ferdinandin, mbret i Kastiljes. Liturgjia e ditës pohon se në se duam t’i tregojmë botës se i përkasim Krishtit, duhet ta dëgjojmë Fjalën e Hyjit dhe ta zbatojmë në jetën tonë. Vetëm kështu njerëzit mund të binden se jemi të krishterë jo me fjalë boshe, me predikime të zbrazëta, nga të cilat bota është e velur, por me vepra.

Të dielën e ardhshme më 31 maj,  Kisha katolike do të kremtojë festën e bie Rrëshajëve, 50 ditë pas festës së Pashkëve, ditëlindjen e Kishës,
E kujtojmë se festimi i Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull, së bashku me Marinë, shënon plotësimin e premtimeve të Krishtit, do të thotë dërgimin e Shpirtit Shenjt, për t’i ngushëlluar e ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. Jezusi u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”!

Gjithnjë më 31 maj edhe festën e vizitës që e Lumja Mari Virgjër i bëri kushërirës së vet Elizabetës, kjo festë njihet me emrin Pasia e Virgjërës Mari. Kjo festë na kujton Pasinë e së Lumes Mari Virgjër te Shën Elizabeta, nga e cila lind ‘Madhërimi’, ‘Magnificat’, kënga e cila madhëron të Gjithëpushtetshmin Zot për punët e mëdha që kryen në jetën e bijve të vet.

24 maj 2020, 12:56