Kërko

 Zoja e Këshillitt ë Mirë Zoja e Këshillitt ë Mirë 

Maji i Zojës: Lutje Zojës së Këshillit të Mirë, për shpëtimin nga pandemia

O Zoja e Këshillit të Mirë: ndihmoje popullin tënd, në viset arbërore e kudo nëpër botë. Atë popull, që nuk të harroi kurrë, në ditë të bardha e të zeza, në gëzim e në vaj. Çliroje nga ankthi i sëmundjes, që po e kërcënon njëlloj si pushtuesi i huaj, kur Ti u shkëpute nga muret e Shenjtërores sate e more rrugën e largët, duke u bërë Zojë mërgimtare.

R. SH. - Vatikan

 Virgjër Shenjte, Nëna e Këshillit të Mirë, sa na prek në shpirt historia e ikjes së figures sate kur Kisha jote rrëzë Kështjellës rrethohej nga hordhitë turke - e mbrojtësit e Rozafës binin nën breshërinë e shigjetave anadollake. Ashtu si binin, më vonë, muret e Shenjtërores nën kazmën komuniste.

Ti ike nga ne, po devocioni ynë për Ty nuk u zbeh. Ndonëse u bëmë të padenjë për mbrojtjen tënde, për Këshillën tënde të mirë, pikërisht kur rrebeshe të reja dyndeshin mbi ne e mbi Kishën rrëzë Rozafës.

Po sot, o Zojë, një armik i ri po e sulmon Kombin, që të zgjodhi si Pajtore: nuk ka shpatë, as kazëm, po mbjell njëlloj vdekje e shkatërrim.

Të padenjë për mbrojtjen tënde, të lutemi, mos harro se jemi bijtë e tu e na e nxirr nga Zotit hirin e shëndetit.

Na zgjidh, edhe ne, si pate zgjedhur dy shtegtarët, që të shoqëruan duke ecur përmbi det - si na tregon gojëdhëna - të cilën e ruajtëm me përkushtim në shekuj. Na mëso të ecim edhe ne pas teje, në çdo rrethanë, si bijtë e tu, e atëhere do ta mundim sëmundjen dhe jeta rreth Shenjtërores sate shekullore - e jeta e çdo shqiptari - do të lulëzojë përsëri, nën Mbrojtjen tënde! E ne do të mblidhemi prap rreth Altarit tënd e të Birit tënd Jezus, për të lartuar drejt qiellit këngën tonë gazmore të falënderimit e të mirënjohjes!

11 maj 2020, 12:25