Maji i Zojës: Dogmat
R. SH. - Vatikan
Katër dogmat mariane përkojnë me katër solemnitete, që kanë në qendër Virgjërën Mari dhe rëndësinë e saj të padiskutueshme në Kishë. Kujtojmë se solemnitetet janë festat më të rëndësishme të katolicizmit, si për shembull, Pashkët e Rrëshajët. Dogma e parë është ajo e Marisë, Nënës së Zotit.
Maria, Nëna e Zotit (1 janar)
Në vitin 431 Koncili i Efezit pohonte se Maria, duke qenë Nëna e Krishtit, është Nëna e Zotit. Ky është titulli më i lartë që i jepet Marisë. E edhe dogmë.
Në këtë solemnitet Maria nuk kremtohet vetëm si Nënë e Zotit, por edhe si Nëna jonë.
Lajmërimi i Zotit (25 mars)
Dogma e Dytë, “Lajmërimi i Zotit”, njihet edhe si solemniteti i Vizitës së Engjëllit Marisë. Kremtohet nëntë muaj para Krishtlindjes, për të na kujtuar kohën prej 9 muajsh që kaloi Maria para se ta nxirte Foshnjën në dritë. Nuk është festë mariane, por solemnitet. Shumë i rëndësishëm, sepse na kujton Lajmin e madh të shëlbimit, që i solli Engjëlli Marisë.
Të Ngjiturit e Zojës në Qiell (15 gusht)
Në solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, që njihet edhe si “Fjetja e Hyjlindëses” kremtohet Ngjitja e Virgjërës Mari në qiell me korp e me shpirt.
Ishte data 1 nëntor e Vitit Shenjt 1950. Piu XII takohej me besimtarët pas ritit solemn të përcaktimit dogmatik të të Ngjiturit të Virgjërës në Qiell. E u drejtohej me fjalë prekëse, duke u kujtuar privilegjin e madh të pranisë në këtë ditë të jashtëzakonshme, që dukej se hapte shtigje të reja në qiellin e pafund, për t’u kapur në amshim.
Zoja e Papërlyer (8 dhjetor)
Zënia pa faj pa mëkat, është njëra nga katër dogmat mariane. Më 8 dhjetor 1854, me Bulën Ineffabilis Deus Papa Piu IX shpallte dogmën e virgjërisë së përhershme të Marisë. Thënë me dy fjalë, Hyji e mbrojti Marinë nga mëkati i rrjedhshëm, pikërisht që të përgatiste një banesë të denjë për të Birin e mishëruar. E edhe Piu XI, në Bulën, që përcakton dogmën, e lidh pazgjidhshmërisht këtë ngjarje me Krishtin.