Kërko

Vatican News
 Eukaristia në kohën e pandemisë Eukaristia në kohën e pandemisë 

Lutja tradicionale në shqip për Kungimin shpirtëror

Për Kungimin shpirtëror nisi të flitej që në Koncilin e Trentit, që zgjati 18 vjet (1545-1563), në të cilin morën pjesë edhe ipeshkvijtë e Shqipërisë. Lutja tradicionale në gjuhën shqipe.

R. SH. - Vatikan

Për Kungimin shpirtëror, të cilin Papa Françesku ua porositi besimtarëve gjatë Meshëve kremtuar në Shën Martë, në kohën e ndalimit të kremtimit të Eukaristisë me popull, nisi të flitej që në Koncilin e Trentit, që zgjati 18 vjet (1545-1563) e ku ishin të pranishëm edhe ipeshkvijtë e Shqipërisë. Nuk është gjë e re, prandaj. E as e lidhur vetëm me pandeminë e Covid 19. Kanë kaluar qindra vjet, që kur u mblodh Koncili i Trentit. Mbi planetin tonë u dyndën shumë rrebeshe: luftëra, zi buke, pandemi shumë më të tmerrshme, se kjo që po vijon ende sot, për një mori shkaqesh  historike, klimaterike e shoqërore.

Banorët e Planetit u ndodhën shumë shpesh përballë situatave të jashtëzakonshme, që i penguan ta marrin Sakramentalisht Kungimin Shenjt.

Atëhere në Koncil u fol për tri mënyra të marrjes së Kungimit: Sakrametalisht; Sakramentalisht e Shpirtërisht dhe Shpirtërisht. Dy të parat janë mënyra, që nuk kanë shumë nevojë për shpjegime, sepse jepen gjatë katekizmit.

Përsa i përket Kungimit shpirtëror, kur është e pamundur të merret Sakramentalisht, domethënë personalisht, gjatë kremtimit të Meshës, besimtarët mund ta marrin duke bërë akte feje e bamirësie e duke pasur në shpirt një dëshirë të zjarrtë për t’u bashkuar me të Mirën e pambaruar, që u krijon kushtet për të fituar frytet e Sakramentit.

Kungimi në shpirt, në historinë e Kishës në Shqipëri

Kungimi në shpirt nuk është aspak i ri për besimtarët në përgjithësi, e as për shqiptarët, të cilëve iu desh  të përballonin fatkeqësi të rënda në shekuj. E prandaj e provuan edhe Kungimin në shpirt.

Gjatë muajve të kaluar e përsëritëm ditë për ditë lutjen e zjarrtë, që thuhet  tani para se ta marrësh Kungimin në Shpirt:  

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Po këtë lutje, me pak ndryshime, e gjejmë edhe në oficet e traditës së Kishës Katolike në Shqipëri, në formën, që vijon:

“Eja, o i dashtuni Jezu Krisht i êmi,

Eja në ketë të shkreten zêmren t’ême

e ngîji dishiret e mija;

Eja e shêjtnò shpirtin t’êm;

Eja, o i ambli Jezu Krisht në ketë zêmren tême;

Si me të pasë mbrenda zêmret

qe po të shterngoj në parzëm têm,

po të adhroj,

po të due.

po të lutem nepër mundime që hoqe

e dekë qi vuejte

me më dhanë dashtninë tande e hírin e mbram.

Korpi i Krishtit më shelbò mue

Shpirti i Krishtit më shejtnò mue;

Gjaku i Krishtit, deh! më ngij mue!

Uji i krahnorit të Krishtit më pastrò mue,

Mundimi i Krishit më forcò mue.

O i ambli Jezus, më ndigjò mue

Ndër varrët tua më msheh ti mue;

Mos premtò me u ndá prej teje

Prei anmikut t’shpirti më del zot mue.

Në fill të mordes s’ême ti më thirr mue!

Bân qi un t’vî me tý,

E me shejten të levdoj tý,

Per gjithmonë e motit të jetës

Ashtû kjoftë

(Fitohet ndjesa e 300 ditëve)

25 maj 2020, 13:05