Kërko

Vatican News
Pentecoste - Maria con gli apostoli Pentecoste - Maria con gli apostoli  

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Rrëshajëve ‘A’

Rrëshajët, festa e Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull, në Jerusalem. Që nga ajo ditë e nga ajo ngjarje madhore e vendimtare, mund të pohojmë se historia dhe njerëzimi kanë një orientim të ri, një hov të ri, një dritë të re, një horizont të pakufishëm drejt Amshimit.

R.SH.-Vatikan

Zoti flet në gjuhën tënde! Miq të nderuar të Radio Vatikanit - Vatican News, ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të solemnitetit të Rrëshajëve, festës së Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull, në Jeruzalem.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Rrëshajëve ‘A’

Pra, kanë kaluar 50 ditë nga solemniteti i Pashkëve e sot, me Kishën në festë, kremtojmë dhuratat që Jezu Krishti Zot i pat premtuar dhe dhuruar asaj, pra ne të gjithëve: Shpirtin Ngushëllues që vjen nga Ati Qiellor, Shpirtin Shenjtërues Zot që na është dhuruar në zemrat tona me sakramentin e Pagëzimit, në mënyrë që të mund të ecim, të mund të veprojmë e të jetojmë në Dritën Hyjnore, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, të cilin jemi të ftuar ta pranojmë, ta dëgjojmë e ta dëshmojmë në jetë e në marrëdhëniet të përditshme me të tjerët.

Festa e Rrëshajëve, festa e Ardhjes së Shpirtit Shenjt mbi Apostujt, shënon ditëlindjen e Kishës dhe ditëlindjen e gjallërimit tonë si besimtarë e dëshmitarë të Krishtit të Gjallë, Shpëtimtarit të njerëzimit. Që nga ajo ditë e nga ajo ngjarje madhore e vendimtare, mund të pohojmë se historia dhe njerëzimi kanë një orientim të ri, një hov të ri, një dritë të re, një horizont të pakufishëm drejt Amshimit.  

Nga ngjarja e Rrëshajëve, Shpirti Shenjt Zot banon në shpirtin tonë njerëzor, Zoti është bërë më i afërt me ne, Ai është më intim me ne, se sa ne jemi me vetveten tonë, thotë shën Agostini. Kështu, festa e Rrëshajëve na siguron se Zoti nuk na braktis kurrë,  Ai është miku e shoku i përjetshëm dhe i përhershëm i udhës sonë në jetën tokësore drejt përjetësisë qiellore. Është Shpirti Shenjt Zot Ai që na jep kuptimin e ri të misterit të Jezusit. Pa Të është e pamundur të depërtojmë në këtë mister të Krishtit Zot. Është Shpirti Shenjt Ai që na bën të aftë t’i lexojmë ngjarjet tona e të njerëzimit mbarë në dritën e fesë, në fenë e Krishtit që është dhuratë e tij.

Me kremtimin e solemnitetit të Rrëshajëve, Kisha e mbyll ciklin e Pashkëve për të vijuar me kohën e zakonshme liturgjike gjatë vitit kishtar. Porsi pema që, pas stinës së lulëzimit, më në fund sjell frytet e veta, në mënyrë që të gjithë të mund t'i shijojnë, po kështu është edhe për Kohën e Pashkëve, që mbyllet duke na dhuruar Shpirtin Shenjt.

Pesëdhjetë ditë pas Pashkëve realizohet premtimi, që Jezusi u pati bërë dishepujve: pagëzimi në Shpirtin Shenjt dhe ndikimi nga lart i pushtetit, për t’ia kumtuar me bindje Ungjillin mbarë popujve. Me Rrëshajët përmbushet plani i Hyjit për krijimin e një populli të ri e lind Kisha. Të ndalemi shkurt tek figurat, me të cilat paraqitet Shpirti Shenjt: figura e stuhisë dhe e zjarrit. Stuhia, na kujton se atё çka është ajri për jetën biologjike, është Shpirti Shenjt Zot për jetën shpirtërore; e ashtu siç ekziston ndotja atmosferike, që helmon mjedisin dhe qeniet e gjalla, ekziston edhe ndotja e zemrës dhe e shpirtit, që e helmon dhe e nxin jetën shpirtërore.

Më pas, kemi zjarrin, njё figurë tjetër e Shpirtit Shenjt, për të cilën na flasin Veprat e Apostujve. Zjarrin e vërtetë, Shpirtin Shenjt, e solli mbi tokë Jezu Krishti. Ai nuk ua rrëmbeu zotave, si bëri Prometeu, sipas mitit grek, por u bë ndërmjetës i ‘dhuratës së Hyjit’ pёr njerёzimin, duke nxjerrë për ne hirin e aktit më të madh të dashurisë: vdekjen e vet mbi kryq. Festa e Rrёshajve na kujton Shpirtin Shenjt, që zbriti mbi Kishën në fasha, duke e bërё atë misionare, dhe e nisi t’u kumtonte mbarë popujve fitoren e dashurisë hyjnore mbi mëkatin.

Shpirti Shenjt është shpirti i Kishës. Ç’do të ishte Kisha pa të? Do të ishte sigurisht një lëvizje e madhe historike, një institucion i ndërlikuar e i fuqishëm shoqëror, ndoshta një lloj agjensie humanitare: e në të vërtetë, kështu e mbajnë ata, që nuk e shikojnë me syrin e fesë. Në realitet, në natyrën e saj të vërtetë e edhe në praninë e saj të mirëfilltë historike, Kisha brumoset e udhëhiqet gjithnjë nga Shpirti i Zotit të vet. Është një trup i gjallë, që merr jetë pikërisht nga Shpirti i padukshëm hyjnor. Kujtojmë se sivjet Rrëshajët kremtohen në ditën e fundit të majit, në të cilën zakonisht kremtohet festa e Pasisë së Zojës, e ky pёrkim na kujton se Maria e re është ikonë mahnitëse e Kishës, me rininë e saj të përhershme, që buron nga Shpirti Shenjt Zot, e Kishës, misionare dhe e Fjalës Hyjnore të mishëruar

Eja o Shpirt Shenjt! Ndize në ne zjarrin e dashurisë tënde! E dimë se kjo është një lutje e guximshme, me të cilën kërkojmë të prekemi nga flaka e Hyjit; por e dimë edhe se kjo flakë – e vetëm ajo – ka fuqi të na shpëtojë. Nuk duam që për të mbrojtur jetën tonë, të humbim jetën e amshuar që Zoti dëshiron të na dhurojë. Kemi nevojë për zjarrin e Shpirtit Shenjt, sepse vetëm Dashuria shëlbon. Amen!

                                              Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Vap 2, 1-11)
Pashkët janë çlirimi i një populli; Rrëshajat i japin këtij populli realizimin konkret të kësaj lirie. Festa e krishterë e Rrëshajave është e treguar me të njëjtat fjalë që përshkruhet shfaqja e Hyjit mbi malin Sinaj. Por, shpallet një liri më e vlefshme dhe që zgjat: liria e Shpirtit që ka ringjallur Jezu Krishtin.

Lexim prej Veprave të Apostujve
Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë iu dukën gjuhë, si të ishin prej zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin.
Dhe asohere në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet.
Të gjithë çuditeshin e mrekulloheshin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas?  Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare?
Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të
Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit e të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenj e proselitë, kretas e arabë - të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërishme të Hyjit në gjuhët tona amtare.” Fjala e Zotit !

Psalmi 104 (103)

Ref:
Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zot.

________________

Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Plot është toka me krijesat e tua.
________________

Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen,
dhe e rinon fytyrën e dheut.
________________

E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,
u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
I pëlqeftë Zotit kënga ime,
kënaqjen time e kam vënë në Zotin!
________________

Leximi i dytë (1 Kor 12, 3-7. 12-13)
Shpirti Shenjt i dhuron çdokujt thirrje dhe dhurata të ndryshme, sipas personalitetit të secilit. Por lind problemi që të krishterët, të ndryshëm njëri nga tjetri mund të ndahen. Shpirti kërkon bashkimin që realizohet duke e kultivuar këtë bashkim dhe duke ruajtur për secilin personalitetin e vet.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, askush që fletë në ndikimin e Shpirtit të Hyjit nuk thotë: “Qoftë mallkuar Jezusi!”, por edhe askush nuk mund të thotë as: “Jezusi është Zot!”, veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt.
Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë – po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka në të gjithë. Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët.
Dhe njëmend, sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë, nuk trajtojnë por një trup të vetëm, ashtu edhe Krishti. Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët, dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt. Fjala e Zotit !

NDJEKËSORJA

O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne,
e prej qiellit derdh mbi ne
rrezet tua plot me dritë.

Eja, o Atë,

për nevojtarë,
eja, ti n’ dhanti bujar,
eja, ti që mendjet shndrit.

Ti n’ ngushtica
ngushëllim bjen,
ti ndër zemra si mik vjen,
t’ lodhunt
n’ jetë rishtas forcon.
N’ mund e djersë ti je pushim,
n’ vapë e luftë ti je freskim,
lot ti terë,
zemrat ngushëllon.

Dritë Hyjnore, plot shejtni,
shndritnai mendjet e n’ dashuri
kalle flakë kënd n’ ty shpreson.

Ku s’je ti, gjithçka dështon
n’ natyrë t’ njerit
gjë s’qëndron
që t’ jetë shenjte, si ti
don.

Njollat hiq, dangat pastro,
n’ shpirtra tanë hiret rigo,
varrët e mëkatit na i shëro.

Çka ësht’ t’ brishtë, këndshëm lako,
çka ësht’ t’ ftohtë, me flakë rretho,
çka ësht’ t’ shtrembët, ëmbël drejto.

Jepna ne që n’ ty besojmë,
jepna ne që n’ ty shpresojmë,
shtatë dhantitë
që aq dëshirojmë.

Mundin tonë ti na e shpërble,
n’ mëkat me vdekë
ti mos na le,
bën me ty

n’ amshim t’
lumnojmë.

Aleluja.
Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu,dhe ndeze në ta zjarrin e dashurisë sate.
Aleluja.

Ungjilli (Gjn 20, 19-23)
Jezusi sapo është ringjallur, dhe prezantohet menjëherë me një dhuratë për dishepujt që e kishin braktisur. Është dhurata e Shpirtit Shenjt. Është dhurata e ripërtëritjes, e pajtimit, e paqes. Duke dhuruar Shpirtin e tij, Krishti përsërit veprimin që Krijuesi bëri në Zanafillën, dhe u jep apostujve fuqinë për të falur 
mëkatet.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës – ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!”
Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë.
Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.” Fjala e Zotit!

29 maj 2020, 10:59