Kërko

Vatican News
Konferenca Ipeshkvnore Katolike e Shqipërisë, foto arkivi Konferenca Ipeshkvnore Katolike e Shqipërisë, foto arkivi 

Faza 2 e koronavirusit edhe për Kishёn Katolike tё Shqipërisë. Që sot, meshët, me popull

Sot nё Tiranë u mbajt Asambleja e 58-të e përgjithshme e zakonshme e Konferencës Ipeshkvnore Katolike tё Shqipërisë. U vendos që meshët të kremtohen në praninë e besimtarëve, duke shfrytëzuar edhe tremet e sheshet jashtë kishave.

R.SH. - Vatikan

Sot nё Tiranë u mbajt Asambleja e përgjithshme tё zakonshme LVIII e Konferencës Ipeshkёvnore Katolike tё Shqipërisë. Në mbledhje, u vendos të rifillojë kremtimi i meshëve me popull. Siç thuhet në deklaratën e nënshkruar nga kryetari i saj, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit, që sot, do të rinisin “në të gjithë territorin e Shqipërisë, aktivitetet fetare të pezulluara me dekretin e datës 12 mars 2020, sidomos kremtimet liturgjike publike, duke vlerësuar edhe ambientet e jashtme”, “duke mbajtur parasysh udhëzimet e ipeshkvijve të çdo dioqeze dhe masat e duhura të dhëna nga ekspertët”. Së fundi, ipeshkvijtë e Shqipërisë e falenderojnë Hyjin për përmirësimin e gjendjes dhe sigurojnë se do të vazhdojnë t’i luten Zotit që situata të normalizohet tërësisht. 

Takimin njëditor i ipeshkvijve tё Kishës Katolike tё Shqipërisë filloi me bashkёkremtimin e Meshёs sё Shenjtë. Punimet u hapen me fjalën e  Kryetarit tё KISH-it, Imzot George Frendo dhe me përshëndetjen e Nuncit Apostolik nё Shqipëri, Imzot Charles John Brown.

Nё rendin e ditës, ipeshkvijtë e Shqipërisë trajtuan disa çështje dhe argumente me rëndësi pёr jetën shpirtërore, baritore dhe shoqёrore tё Kishёs katolike nё Shqipёri. Ndёr to, po përmendim: paraqitjen e Katekizmit tё Kishёs katolike nga Atë Flavio Cavallin e Imzot Giovanni Peragine; diskutimet rreth Projektit baritor pesëvjeçar, paraqitur si bocë nga Imzot Angelo Massafra. Pastaj, u fol pёr Seminarin ndёrdioqezan nё Shkodёr, ku bёhet përgatitja e tё rinjve pёr jetën meshtarake e rregulltare, duke u nisur nga Imzot Simon Kulli, si dhe u diskutua pёr një fond emergjencash, pёr siguracionet e meshtarёve – sipas projektit “Piccolo gregge”, u fol pёr çështjet ekonomike nё Kishёn katolike nga Imzot Gjergj Meta, pёr marrëdhëniet ndërmjet Komisionit Teologjik Ndërkombëtar e Konferencës Ipeshkvnore Katolike tё Shqipërisë e argumente tjera si faza e dytё nё kohёn e Covid-19. Tashmë, meshët do të mund të kremtohen në praninë e besimtarëve, duke shfrytëzuar edhe tremet e sheshet jashtë kishave.

19 maj 2020, 10:53