Kërko

martinique-206916_1920.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Shën Pali, kolosianëve: mendja jo materiale

Sot, emisioni i fundit kushtuar Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve. Ashtu si pati luftuar ashpër kundër judeo-kristianëve, që ata të mos e bashkonin doemos kryqin e Krishtit me rrethprerjen, në Kolos, Apostulli i Popujve kritikon paganët dhe judeasit e helenizuar, që do të donin ta bashkonin kryqin e pagëzimin në Krishtin me praktikat e bestytnitë e tyre. Ndjekim gjithnjë librin e meshtarit italian, don Federico Tartaglia, “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. -Vatikan

Shën Pali është këngëtar i lirisë: kjo u duhet kujtuar të gjithë atyre, që largohen nga plotësia e Krishtit për të nderuar shenjtorë, njerëz që shtiren si të tillë e vegimtarë të llojllojshëm, ose, edhe më keq akoma, për të ndjekur horoskope, engjëj e shpirtra të panjohur.

Fjalët e shën Palit nuk lënë shteg për ta, megjithëse feja jonë, nganjëherë, ka gjetur një rrugë kompromisi, duke lënë të lira ato praktika e besime, që shpesh, kanë shijen e kotësisë, të ngjashme me ato, që kritikon shën Pali:

“Prandaj, askush të mos guxojë t’ju dënojë për çështje ushqimi e pijeje, për çështje festash o hëne të re, ose të shtunash, sepse këto janë vetëm hija e atyre që duhej të vinin, kurse realiteti është Krishti! Askush të mos ju shpallë të padenjë për shpërblim qiellor, …kinse ‘kënaqet në përshpirtëri dhe nderim të engjëjve’, kinse është në vegime dhe është themeluar në kujtime shpirtërore dhe në mendjen e vet fryhet për pamje përrallore” (Kol 2,16-18).

Ja pra, Letra për Kolosianët u drejtohet si atyre, që do të donin ta shpallnin të kotë kryqin e Krishtit me arsyetime të kota të filozofisë njerëzore, ashtu edhe atyre, që do të donin ta mbështesnin me praktika e besime fetare me vlerë të dyshimtë. Misteri i Krishtit është plotësia e realitetit, gjithçka tjetër është vetëm “hije” e krenari e kotë. Në të dyja rastet, bëhet i njëjti mëkat, ai i kërkimit të gjërave të kësaj bote.

Është interesant arsyetimi i hollë i shën Palit. Pikërisht ata, që flasin për engjëj, vegime e praktika të shenjta, duke pandehur se kështu duken si të përshpirtshëm, në të vërtetë, janë verbëruar nga mendja e tyre tejet materiale, që mendon për gjërat e qiellit me këndvështrimin e gjërave të tokës.

Kuptohet mirë atëherë, ftesa përfundimtare e Apostullit për ta braktisur këtë mendje materiale:

“Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit! Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë!” (Kol 3,1-2).

Me Pagëzimin, çdo besimtar bashkohet me vdekjen e Krishtit dhe vdes me Të: vërtet, ai zbrazet nga “njeriu i vjetër” dhe mbushet me “njeriun e ri” për të arritur kështu, njohjen e plotë, që të marrë pjesë në atë plotësi të Krishtit, e cila e bën shembëllim të Krijuesit të vet.

Njeriu i ri nuk është viktimë e lakmive tokësore dhe zotëron njohuri, që nuk janë më materiale, prandaj, i sheh gjërat e kësaj bote sipas rendit të gjërave të qiellit. Një botëkuptim shpirtëror ky, që është revolucionar për racën njerëzore dhe për historinë e saj, siç thotë shën Pali në Letrën drejtuar Kolosianëve:

“Aty nuk ka më: grek - hebre, rrethprerje - parrethprerje, barbar - skit, skllav - të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë” (Kol 3,11).

Nëse, për një çast, mendojmë sa shumë kohë do të kalonte nga kjo thënie, para se të miratoheshin ligjet e para kundër skllavërisë, në shekullin XVIII, e sa shpesh, historia vazhdon të ngrihet mbi dallimin ndërmjet racave dhe feve, fjalët e shën Palit do të na tingëllojnë të jashtëzakonshme: vizion i një mendjeje jo materiale.

21 maj 2020, 10:21