Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Shën Palit për Selanikasit, fillimi i Besëlidhjes së Re

Cili është libri i parë i Besëlidhjes së Re, në rend kronologjik? Letra e parë e shën Palit drejtuar të krishterëve të Selanikut, ndoshta rreth njëqind vetë, që Apostulli i Popujve i pati takuar gjatë udhëtimit të tij të dytë apostolik, në vitin 50, pas Koncilit të njohur të Jeruzalemit. E pikërisht për të do të fillojmë të flasim sot, gjithnjë, sipas librit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Qyteti u quajt Selanik më vonë, por në kohën e Palit thirrej Thesaloniki e kishte rreth 150 mijë banorë. Gjithsesi, në vitin 1937, iu kthye emri Thesaloniki, por në shqip vazhdon të quhet Selanik.

Si zakonisht, shën Pali – siç tregohet në Veprat e Apostujve – e filloi predikimin nga sinagoga, por u refuzua, prandaj, të shtunën e tretë vendosi t’u flasë paganëve, ndër të cilët pati një sukses jo të vogël. Kështu, në tre-katër muaj themeloi bashkësinë e dytë të krishterë evropiane, pas asaj të Filipit. Nëse mendojmë për kohën e shkurtër në dispozicion të apostullit, për mungesën e librave, kurseve, strukturave apo traditave e, njëkohësisht, edhe për persekutimet e betejat si ato me bashkësinë hebraike, nuk kuptohet mirë si kanë mundur të lindin këto bashkësi e si kanë mundur të rezistojnë.

Pikërisht, për shkak të persekutimeve, Palit, që ishte bashkë me Silën, një natë prej netësh iu desh të ikte nga Selaniku dhe të shkonte në Berea, ku gjeti Timoteun. Judenjtë e arritën grupin misionar edhe në Berea, prandaj, Palit iu desh të shkojë në Athinë, ku provoi të përhapë Ungjillin, por me rezultate tepër të pasigurta, para se të arrinte në atë, që do të bëhej Korinti i tij “i dashur”.

 Me një fjalë, Selaniku duket si kalimtar, por shën Pali u përpoq të kthehej dy herë atje e në fund të fundit, dërgoi Timoteun, i cili më pas, kur shkoi pas Palit në Korint, e siguroi për gjallërinë e bashkësisë së selanikasve. E megjithatë, vetëm pak muaj pas fillimit të jetës së krishterë, nuk mungonin dyshime, gabime e pështjellime, veçanërisht përsa i përket ringjalljes së të vdekurve dhe kthimit të Zotit.

 E kështu, pas lajmeve që solli Timoteu, Pali dërgoi nga Korinti një letër, që, në rend kronologjik, është teksti i parë i Besëlidhjes së Re. Toni i Letrës së parë drejtuar Selanikasve është tejet i ëmbël. Apostulli nuk kishte para vetes probleme të rënda, por njerëz, që kishin nevojë të plotësonin formimin e tyre të krishterë.

Kapitulli i parë rrjedh i qetë. Pali përshëndet bijtë e vet dhe i falënderon që e pranuan fjalën e tij jo si fjalë njerëzore, pra, i besuan Ungjillit, që u predikonte, duke e parë si Fjalë, që vjen nga Zoti e, pikërisht për këtë, e aftë të sjellë fryte. Është kriter i mirë, ky që na jep shën Pali, për të kuptuar nëse fjalët që themi, vijnë prej nesh apo prej së Larti: duhet parë nëse sjellin fryte në ata, që i besojnë.

Shën Pali është i këndshëm dhe i sjellshëm me bijtë e vet, por brutal e cinik me ata, që vazhdojnë ta pengojnë. Për këtë arsye, shkruan atë frazë, që është, pa dyshim, më e keqpërdorura në histori, një farë vërtet e keqe, që do të shkaktojë një antisemitizëm të urryer nga ana e të krishterëve. Duhet dëgjuar me vëmendje:

“Çifutët... e vranë edhe Zotin Jezus dhe profetët. Na salvuan edhe ne. Ata nuk i pëlqejnë Hyjit. Janë armiq me të gjithë njerëzit, duke u munduar të na e ndalojnë t’u predikojmë paganëve që ta fitojnë shëlbimin. Kështu çifutët në çdo kohë e mbushin masën e mëkateve të veta. Por tekembramja, ra mbi ta hidhërimi i Hyjit” (1 Sel 2,14-16).

 Është argument i atij, që, siç thotë populli, s’ka ç’i bën gomarit dhe i bie samarit. Nëse nuk të pëlqen ç’të thotë kundërshtari, sjell si argument atë që mund të kenë bërë të parët e tij, të cilët, madje, mund të mos jenë as të tijtë, por thjesht, të jenë të të njëjtit fis a popull. Mund ta falim shën Palin, duke pasur parasysh se ai s’kishte kohë për të gjetur fjalët e duhura, pasi jetonte gjithnjë me frymën e armiqve pas zverkut. Sidomos në Selanik, iu desh t’i bënte ballë persekutimit nga ana e bashkësisë judease. Por, e meritojnë më pak faljen ata që, në shekuj, abuzuan me fjalët e tij dhe i ngritën në sistem teologjik racist! Në emisionin e ardhshëm, thelbi i Letrës, që e ka bërë atë të famshme.

28 maj 2020, 08:11