Kërko

Vatican News
Urna e Shën Ritës në Bazilikën e  Cascia-s Urna e Shën Ritës në Bazilikën e Cascia-s 

Cascia, Festa e Shën Ritës dhe e fesë së saj shkëmbore

Kisha kremton sot Festën e Shën Ritës nga Cascia. Sivjet, në qytezën e Umbries, Pajtorja e rasteve të pamundura - ose e të padermanëve, si e quan tradita shqiptare - kremtohet në një mënyrë krejt të jashtëzakonshme, duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

R. SH. - Vatikan

Mijëra trëndafilat, që stolisin çdo vit figuret e Shenjtërores, për t’i kërkuar ndërmjetësim  e hire, këtë vit  do të mungojnë në Kishat që i kushtohen, në Cascia e në të katër anët e botës. Vit i jashtëzakonshëm edhe për Murgeshën Agostiniane, në festën e së cilës sivjet, përveç trëndafilave, do të mungojnë edhe turmat e pafundme të besimtarëve, që  pikërisht në këtë maj kanë nevojë më shumë se kurrë për hire gati-gati të pamundura. Në qytezën umbre numri i besimtarëve, që po marrin pjesë në kremtime, është i kufizuar. Por, për ta mbushur këtë zbraztësi, kremtimet po ndiqen në streaming, në kanalet e Manastirit të Shën Ritës e në kanalin e internetit www.santariradacascia.org. Bekimi i luleve, simbol i mrekullibërëses, do të ketë vlerë për të gjithë besimtarët e lidhur me këto mjete komunikimi.

Takimet

I ngarkuar, programi i ditës, që u hap në orën 10.00, me mesazhin e urimit  drejtuat murgeshave e gjithë të devoçmëve të Shenjtores. Në orën 10.30., Mesha solemne, e kryesuar nga imzot Renato Boccardo, kryeipeshkëv i Spoleto-Norcias. Në 11.30, bekimi tradicional i trëndafilave, me një risi: 45 prej tyre po  shpërndahen në të gjithë Italinë. 20 do t’u dorëzohen kryetarëve të rajoneve; një, kryetarit të Konferencës ipeshkvnore italiane; 16, kryetarëve të Konferencave ipeshkvnore rajonale; një, Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella e një, Kryeministrit Giuseppe Conte. Një tjetër do t’i dorëzohet kryebashkiakut të Cascias, e 5, simbol i 5 kontinenteve, do t’i dërgohen Papës Françesku, si rojar i popullit të krishterë në mbarë botën. Në mesditë, lutja drejtuar Shenjtores e, në orën 17.00, Mesha për bamirësit e Shenjtërores së Shën Ritës, kryesuar nga atë Bernardino Pinciaroli, rektor i Bazilikës. Në përfundim, trëndafilat do të bekohen përsëri.

Fortesa e vërtetë, besimi në Jezusin

Emergjenca shëndetësore nuk i krijoi pengesa fesë. Përkundrazi, nxiti lindjen e mënyrave të reja për ta shprehur. Këtë nënvizon abatesha e Manastirit të Shën Ritës, në Cascia, motra Maria Rosa Bernardinis:

“Feja nuk pyet kurrë për pengesa, sepse është e aftë t’i kapërcejë. E këtë mund ta shikojmë qartë në jetën e Shën Ritës. Nuk do të kishte mundur kurrë të bënte çka bëri, po të mos mbështetej në besimin e pamposhtur që kishte në Krishtin e kryqëzuar, e të ngjallur”.

Çfarë mund të na mësojë Shën Rita sot e ç’virtyte të saja të posaçme ia vlen  t’i bëjmë tonat?

“Shën Rita ishte besimtare e dishepulle e Krishtit. Jezusi na thotë se e vetmja gjë që duhet të mësojmë nga Ai, është të jemi të butë e të përvujtë. Sepse çdo kohë ka nevojë për butësi e përvuajtëri. Shpesh, përballë provokimeve, harrojmë se jemi të krishterë e se duhet t’i përgjigjemi së keqes me të mirë. Shën Rita e dëshmoi këtë me jetën e saj: nëse duam ta mundim të keqen, Zoti na i dha mjetet e mënyrat për ta bërë këtë. Na e dha i pari shembullin. S’na mbetet tjetër, veçse ta ndjekim. Këtë na kujton Shën Rita sot, ashtu si dje e si do të na e kujtojë edhe nesër: nëse dëshiron të jesh vërtet i fortë,  duhet të forcohesh në fenë e Krishtit”.

Sot, në bekimin tradicional të trëndafilave, lule simbolike e  Shën Ritës, a keni menduar ndonjë nismë të veçantë, që lidhet edhe me Papën Françesku?

“Po. Duke pasur parasysh se Papa Françesku përfaqëson universalitetin e Kishës e, prej këndej, edhe të gjithë popujve, duam të bekojmë 5 trëndafilë. Simbolikisht përfaqësojnë pesë kontinentet. Menduam: ‘Po ia dërgojmë Papës, sepse në të i kemi të pesë kontinetet, që e njohin Shenjtoren, sepse Shën Rita njihet edhe në Pakistan, në Indi e, natyrisht, në të gjithë Amerikën Latine…”.

Shën Rita është Pajtore e rasteve të pamundura, që duken si të pazgjidhshme, prandaj mijëra besimtarë i kërkojnë gjithfarë hiresh, në një botë të ngarkuar me sëmundje e mungesa të të gjitha natyrave. Ç’hire të veçanta mendoni se mund t’i jenë kërkuar në këtë muaj?

“Janë të shumta e të ndryshme: nisen nga nevojat shpirtërore, familjare, ekonomike… Pastaj është vetmia, që shumë njerëz e ndjejnë fort në këtë kohë pandemie, e posaçërisht ata, që shtrohen në spitale, në vetmi të plotë. Më se një prej tyre më ka shkruar - kur ka dalë nga kjo gjendje - se e duroi falë forcës që i dha Shën Rita. Edhe duke mbajtur në duar një figure të saj!”

Cili mesazh i Shën Ritës mund të na ndihmojë për t’i përballuar muajt jo të lehtë që na presin, gjatë të cilëve do të vijojmë të zbatojmë masat e autoriteteve civile për ndalimin  e përhapjes së coronavirusit? Si mund ta jetojmë këtë kohë?

“Mesazhi i Shën Ritës është gjithnjë aktual: Zoti është dashuri. E, kush është në dashurinë e Zotit, banon në Tënzonë e Zoti banon në të. Ne përpiqemi, me mundësitë tona, të krijojmë një manastìr të gjërë, në kuptimin se dëshirojmë të lutemi me sa më shumë shtegtarë. Deri në fund të majit do të vijojë Rruzarja  e transmetuar në Facebook. Pastaj, do të shohim nëse do ta vijojmë në këtë mënyrë, apo në ndonjë tjetër. Sidoqoftë, do të bëjmë ç’është e mundur të jemi  pranë të gjithë atyre, që kërkojnë ndërmjetësimin e Shën Ritës. Gjë që nuk ka munguar as në këto ditë bllokimi të plotë. Ditë vërtet të jashtëzakonshme, që kërkojnë edhe hire të jashtëzakonshme! Besoj se është gjë e bukur t’i jetosh  bashkë me të tjerët këto çaste. Ndoshta do të kemi edhe ne hirin t’i rifitojmë forcat, të cilat as që mendonim se i kishim”.

22 maj 2020, 11:29