Kërko

Vatican News
  Francesco Astiaso Garcia: Figurja e Zojës Francesco Astiaso Garcia: Figurja e Zojës  

Besimi në Gruan më të dashur në historinë e artit

E kujtuar vazhdimisht nga Papa, e pranishme në një mori lutjesh e kërkesash për ndihmë, figura e Virgjërës Mari, në këtë kohë pandemie, ashtu si në çdo kohë, është, pa asnjë dyshim, figurë frymëzuese për brezni të tëra artistësh e besimtarësh.

R. SH. - Vatikan

Gjithnjë, në mbarë botën, në çastet e vuajtjes së madhe, besimtarët i  lartuan sytë drejt Nënës, Virgjërës Mari. Nuk është e rastit që, së bashku me Kryqin e Shën Marcello al Corso, Papa, në kulmin e pandemisë së koronavirusit, iu lut për ndihmë Marisë Salus Populi Romani, që lidhet ngushtë me ndërmjetësimin për shpëtim, në çastet më kritike të jetës së Romës. Edhe para kësaj ngarjeje tronditëse për botën, më 11 mars, me rastin e Meshës kremtuar nga mëkëmbësi i Papës, kardinali Angelo de Donatis, në Shenjtëroren e Zojës së Dashurisë Hyjnore, Papa Françesku  dërgoi një videomesazh me lutjen drejtuar Zojës, duke ia besuar qytetin, Italinë e Botën mbarë mbrojtjes të Nënës së Zotit “si shenjë shëlbimi e shprese”.

Papa: ta themi Rruzaren! Maria do të na shpëtojë edhe nga kjo provë!

E pikërisht në prag të muajit marian, majit, pak ditë më parë Papa, me një Letër të posaçme, i nxiti të gjithë besimtarët ta thonë Rruzaren në familje, siç ka qenë gjithnjë traditë e sot, 1 maj, Konferenca ipeshkvnore italiane, ia besoi Italinë mbrojtjes të Nënës së Zotit, me një çast lutjeje, në Bazilikën e Shën Marisë së Burimit, në Caravaggio, dioqeza e Cremonës si dhe në provincën e Bergamos, zonat më të prekura nga Covid-19. Për emocionet që provon artisti, kur pikturon Fytyrën e Marisë, të ndjekim intervistën e Francesco Astiaso Garcia, sekretar i Bashkimit Katolik të Artistëve Italianë, që ka realizuar disa piktura kushtuar Marisë. Artisti na shpjegon se të pikturosh Zojën, do të thotë t’i afrohesh misterit të mishërimit. Nuk ka artist, besimtar a jo, që të mos ketë menduar t’i kushtojë një vepër Gruas më frymëzuese në historinë e artit, sepse më e dashura, më e nderuara, më e kënduara e më e pikturuara edhe në gjithë historinë e njerëzimit. Për besimtarin, Zoti është zanafilla e çdo bukurie, ndërsa Zoja, udha përmes së cilës Fjala u bë njeri. Prej këndej artisti, që kap penelin për ta realizuar figurën e Zojës, nuk mund të mos e nisë punën, pa u lutur e pa kërkuar  frymëzimin prej Nënës së Zotit.

Zoja e Këshillit të Mirë
Zoja e Këshillit të Mirë

Zoja në histori

Zoja Rruzare e Pompeit, Virgjëra e Guadalupes, Zoja Salus Populi Romani, Zoja e Loretos, Zoja e Gjenacanit, Zoja e Shkodrës … janë  disa nga figuret më të dashura për besimtarët e devoçëm – na kujton Francesco Astiaso Garcia.  E për artistët, Zoja mbetet gjithnjë subjekt i preferuar, që ngjall emocione të thella e prek kordat më tingëlluese të zemrës njerëzore. Gjë që e vërejmë që në agimet e krishterimit. Figura e parë e Zojës gjendet ndër katakombet e Prishilës, në Romë, e pikturuar që në gjysmën e dytë të shekullit III. Fytyra e saj na kujton se, që në kohë të lashta, gjithë artistët e mëdhenj të historisë së artit kanë dëshiruar ta realizojnë portretin e Marisë.

Po kujtojmë disa nga më të rëndësishmit: Cimabue, Giotto, Duccio, ikonat ruse ortodokse, ikonat e Onufrit tonë e pastaj, rinashimenton italiane dhe evropiane, me Boticellin, El Greco-n, Raffaellon. Nga Caravaggio e tutje, pastaj, portretet e Marisë bëhen më njerëzore e kështu humbet paksa idealizimi i paraqitjes së Zojës, zbehet ngjyrimi hyjnor, por figura fiton një realizëm më të thellë, më të prekshëm, më drithmues, që e afron më shumë Zojën me njerëzit më të varfër, më të thjeshtë e më nevojtarë për ndihmën e Nënës së Krishtit. Në tetëqindën - vijon të kujtojë Astiaso Garcia - vërejmë një farë kthimi në të kaluarën, në kanonet më të idealizuara, më klasike. Artistët ndikohen përsëri nga arti bizantin. Ndërsa  në nëntëqinden realizohen disa nga portretet më të shquara mariane. Ndërmjet tyre vlen të kujtohen pikturat e Gauguin e Matisse. E pak e dinë se Matisse e përfundoi karrierën e tij me një cikël marian, në kapelën e Rruzares, kushtuar plotësisht Virgjërës Mari, ku Portreti i Zojës realizohet në kufirin ndërmjet figuratives e abstraktes. Edhe sot ka artistë shumë të mirë, që merren me artin kishtar, e edhe artistë të artit bashkëkohor, që frymëzohen nga tematikat kishtare, të cilat mbeten gjithnjë simbolike.

Lutja e fundit e gruas që po mbytej dhe Zoja e Migrantëve
Lutja e fundit e gruas që po mbytej dhe Zoja e Migrantëve

Zoja e migrantëve, e zemrave të hapura

Ndërmjet figureve të Virgjërës, vlen të kujtohet edhe Virgjëra “Madhështia e  Gjithë Shenjtorëve” e Giottos, ose ikona si  “Theotokos” Nëna e Zotit, në Rusi, dëshmi e gjallë e madhështisë së figurës së Marisë. Edhe Francesco Astiaso Garcia ka realizuar një figure të Marisë, titulluar “Zoja e migrantëve”, duke pasururar, kështu, ikonografinë mariane e edhe atë të jetës së Krishtit e duke bërë një ungjillëzim të mirëfilltë, sepse arti kishtar quhet edhe “Bibla e të varfërve”, e atyre që nuk dinë shkrim e këndim e kështu, në vend të librave, lexojnë pikturat. E kjo është themelore, sepse jeta e Zojës, gjestet e saj, heshtjet, butësia, përvujtëria, kanë një vlerë tepër të madhe simbolike.

Zoja e mëshirës, simbol i Kishës

Ndërmjet shumë pikturave kushtuar Zojës, Astiaso Garcia-s i pëlqen të na kujtojë atë të “Zojës së Mëshirës”, realizuar nga Piero della Francesca, me vlerë të madhe simbolike. Në pikturën, që ndodhet në pinakotekën e San Sepolcro të Arezzo-s, Zoja paraqitet simbolikisht me krahë hapur e me një mantel të gjërë, që të mund t’i strehojë e t’i mbrojë të gjithë ata, që kërkojnë mbrojtjen e saj, të gjithë njerëzit e plagosur e të brishtë.

Kështu Zoja e Bekuar bëhet edhe figurë e Kishës, që pret e mbron çdo njeri.

Shumë e dashur për Papën Françesku është, pastaj, figurja e “Zojës që zgjidh nyjet”, e cila mund të soditet në Gjermani e duket sikur shpjegon pikërisht misionin e Marisë që, si nënë,  kujdeset për të gjitha “nyjet”, domethënë, për të gjitha problemet e bijve të saj - sepse të gjithë e kemi një mori nyjesh për t’u zgjidhur. Njeriu ka nevojë për kundrim - përfundon piktori - ka nevojë të mbështetet dikund, t’i kërkojë ndihmë dikujt: e kush më mirë se Maria mund ta mbështesë, ta dëgjojë, ta ndihmojë, kur gjunjëzohet pikërisht para portreteve të Saj, që duket sikur i gjegjen, e ngushëllojnë, e ndihmojnë për t’i zgjidhur nyjet!

Photogallery

Disa vepra të Francesco Astiaso Garcia
02 maj 2020, 09:45