Kërko

Vatican News

50 vjet më parë lindi Ordo virginum: në bashkim me Krishtin, pranë njerëzve

Më 31 maj kremtohet 50-vjetori i përtëritjes së ritit të shugurimit të Ordo virginum, një Urdhër i lindur në gjirin e bashkësive të para të krishtera. Pas një periudhe rënieje, Papa Pali VI deshi ta përtërinte këtë formë për t’ia kushtuar jetën Zotit e kështu, deri më sot, janë shuguruar rreth 5000 gra në botë.

R.SH. - Vatikan

Me synimin për ta lëvduar e për ta falënderuar Zotin, por edhe për të reflektuar e për të shkëmbyer përvojën, do të mblidhej në Romë me Papën, nga 28 deri më 31 maj, Takimi IV Ndërkombëtar i Ordo virginum. Ngjarja, e promovuar nga Kongregata për Jetën Rregulltare, do të mbahej në 50-vjetorin e kësaj forme të veçantë shugurimi, por u shty, për shkak të pandemisë së Covid-19. Ishin regjistruar më se 700 gra të kushtuara, ipeshkvij dhe delegatë të ndryshëm nga 61 vende. Pavarësisht nga shtyrja e takimit, nuk mungojnë propozimet për lutje dhe për takime online. Për shembull, në 50-vjetorin e përtëritjes së Ritit, më 31 maj, këto murgesha të veçanta në të gjithë botën do të mblidhen së bashku në lutje në distancë.

Urdhër i pranishëm që në bashkësitë e para të krishtera

 Ishte 31 maji i vitit 1970, kur, me mandatin e Palit VI, Kongregata kishtare për Kultin Hyjnor shpalli Ritin e ri të Shugurimit të Virgjëreshave, duke përtërirë sërish Urdhrin e lashtë të tyre, dëshmuar në bashkësitë e krishtera që nga koha apostolike. Kjo thirrje për t’ia dhuruar jetën Zotit ka tërhequr vazhdimisht gra e vajza, aq sa tani numri i virgjërave të kushtuara ka arritur në më se 5000, në të gjitha kontinentet. Gratë që shugurohen në këtë Urdhër mbeten me rrënjë në dioqezën, ku jetojnë e ku kanë arritur atë maturi, që i ka nxitur të marrin vendimin e rëndësishëm për t’iu kushtuar Hyjit.

Thirrje për t’u impenjuar në botë, përkrah të fundmëve

 Gratë e kushtuara të Ordo virginum nuk mbajnë asnjë shenjë të jashtme, përveç një unaze, që u jepet gjatë ritit të shugurimit dhe tregon lidhjen e tyre me Krishtin. Në veçanti, sipas mundësive dhe talenteve, ato kontribuojnë në veprimtarinë e Kishës me të varfërit, me të vuajturit e të mënjanuarit. Secila prej tyre punon e mbahet ekonomikisht nga puna e saj, duke u përpjekur ta jetojë si bashkëpunim me veprën krijuese dhe shëlbuese të Zotit dhe si impenjim për të arritur nivele të larta profesionale. Janë të pranishme në të gjitha fushat e jetës, nga shëndetësia në politikë, nga mësimdhënia në gazetari. Të shumta, infermieret dhe mjeket, që këtyre muajve, kanë punuar me vetëmohim për shërimin e të sëmurëve nga koronavirusi.

28 maj 2020, 11:42