Kërko

Vatican News
2018.08.17 Gesu pane di vita, Eucaristia, discepoli di Emmaus 2018.08.17 Gesu pane di vita, Eucaristia, discepoli di Emmaus 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të të Pashkëve ‘A’

Ungjillit të kësaj së diele na kujton se Jezu Krishti, bariu ynë i mirë, është Udha që na shpie tek Ati Qiellor, është e Vërteta që na bënë të lirë, është Jeta që na mbush me gëzim. Shën Pjetri Apostull na kujton se në Jezusin, gur i gjallë, jemi shndërruar në një popull gurësh të gjallë, jo për ta mbajtur për vete këtë dhuratë, por për t’ua çuar të gjithëve.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 5-të të kohës së Pashkëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik kishtar.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të të Pashkëve ‘A’

Në këto dy të diela të fundit të kohës së Pashkëve, Kisha na ofron leximin e fjalimit të lamtumirës së Jezusit drejtuar nxënësve të vet para se të vdes mbi kryq, edhe pse tashmë jemi në kohën e Pashkëve e këndej në periudhën në të cilën Krishti e ka kaluar pragun e vdekjes. Këto fjalime të lamtumirës të Jezusit, në këtë kohë, i paraprijnë festës të të Shëlbuemit, do të thotë të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, e përmbajnë porositë e fundit të Jezusit drejtuar nxënësve të tij para se të vdiste, të ngjallej e të ngjitej tek Ati në qiell, duke i ftuar që vetët të mos jenë të trishtuar sepse Ai shkon për t’ua përgatitur një vend atyre në shtëpinë e Atit.

Ungjilli i dielës së V të Pashkëve nga Gjoni (Gjn 14,1-12), është mesazh dashurie. Jezusi fillon duke thënë: “Mos t’ju shqetësohet zemra”, dhe i këshillon të kenë besim në Zotin e në Të, sepse në shtëpinë e Atit “ka shumë banesa”.  Ungjilli i kësaj së diele nga Gjoni na kujton fjalët  me të cilat Jezusi u paraqit para dishepujve, para nesh, njerëzve: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”.  Ai u kërkonte dishepujve ta konsideronin e ta pranonin si të tillë. Jezusi është Udha, e Vërteta e Jeta edhe për ne. “Zotëri – i thotë Filipi Jezusit, njëri nga apostujt – na trego Atin e na mjafton”, duke shprehur kështu dëshirën më të thellë të njeriut: të shohë fytyrën e Hyjit. Por Hyji erdhi të na takojë përmes Jezusit, duke përvijuar kështu edhe rrugën në të cilën duhet të ecim jo vetëm për ta kërkuar, por edhe që kërkimi të mos shkojë kot, ose të mbetet i pjesshëm. “Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin”, u thotë Krishti apostujve, duke dëshmuar se Ai vetë është udha e shëlbimit, në të cilën gjejmë atë horizont të së vërtetës, që është banesa e Atit Qiellor e ku plotësohet jeta e njeriut. Mesazhi i Ungjillit të kësaj së diele na kujton se Jezu Krishti, bariu ynë i mirë, është Udha që na shpie tek Ati Qiellor, është e Vërteta që na bënë të lirë, është Jeta që na mbush me gëzim.

Shën Pjetri Apostull, nё Leximin e Dytё (1Pt 2,4-9), na kujton se në Jezusin, gur i gjallë, i hedhur poshtë nga njerëzit, por i zgjedhur dhe i çmuar në sytë e Zotit, jemi shndërruar në një popull gurësh të gjallë, jo për ta mbajtur për vete këtë dhuratë, por për t’ua çuar të gjithëve, duke shpallur veprat e mrekullueshme të Hyjit, duke dëshmuar Krishtin.

Jezu Krishti Gjallë, bari i mirë, i bashkon rreth vetes disa njerëz duke i thirrur në misionin e tij jetëdhënës, sepse dëshiron që të gjithë njerëzit të jenë pjesë në " meshtarínë mbretërore, si komb i shenjtë, popull të cilin Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme" (1 Pjt 2, 4-9).  Ndër ta jemi edhe ne. Hyj, pra, na e tregon këtë përmes Birit të vet, Jezu Krishitit i cili na shpjegon se askush nuk mund të shkojë tek Ati Qiellor përveçse duke kaluar përmes Tij.  Shën Pjetri e përshkruan rolin e të krishterëve, si gurë të gjallë në Kishën e Jerusalemit të asaj kohe, e tani shfaqen gjithnjë më tepër si ndihmë e çmueshme dhe e pazëvendësueshme në Kishën e sotme.

Në Leximin e Parё nga Veprat e Apostujve (Vap 6, 1-7) shihet qartë përvijimi i shërbimit të Fjalës, besuar Apostujve, si edhe shërbimi i bamirësisë, që kryhej nga diakonët e zgjedhur prej të Dymbëdhjetëve.

                                             Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Vap 6, 1-7

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në atë kohë, me të rritur të numrit të nxënësve, filluan ankesat e hebrenjve që flisnin greqisht kundër hebrenjve vendas pse në shërbimin e përditshëm po i lënin pas dore vejushat e tyre. Atëherë të Dymbëdhjetët bashkuan në një mbledhje të përgjithshme nxënësit e u thanë: “Nuk është e drejtë ta lëmë predikimin e fjalës së Hyjit për të shërbyer në tryezë. Gjeni, pra, o vëllezër, ndër ju shtatë vetë në zë të mirë, plot me Shpirt Shenjt e me urti, të cilët do t’i caktojmë për këtë detyrë, kurse ne do t’i kushtohemi krejtësisht uratës dhe shërbesës së fjalës.”  Propozimi i pëlqeu krejt mbledhjes së nxënësve. Ata atëherë zgjodhën Shtjefnin, njeri plot fe e Shpirt Shenjt, pastaj Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, proselit prej Antiokisë. Këta i vunë para apostujve. Apostujt, pasi u lutën, vunë duart mbi ta. Fjala e Hyjit vazhdonte të përhapej. Shtohej shumë numri i nxënësve në Jerusalem dhe shumë priftërinj e pranonin fenë. Fjala e Zotit.

Psalmi  33

Ref: Kthehu drejt nesh, o Zot, sepse në ty shpresojmë

————————————————

Galdoni, o të drejtë me Zotin,
të drejtëve u ka hija lavdërimi!
Lavdërojeni Zotin me kitarë,
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!

————————————————-

Sepse e drejtë është fjala e Zotit,
e të gjitha veprat e tija me besë.
E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.

————————————————–

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
 për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

———————————————–

Leximi i dytë 1 Pjt 2, 4-9

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, afrohuni Krishtit – Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin.  Këndej thuhet në Shkrim shenjt: “Ja, po vë në Sion një gur këndi, të zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!” Për ju, pra, që besoni, nder; kurse për ata që nuk besojnë, “gur që përbuzën ndërtuesit, u bë gur i këndit.” E “gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa.” Ata zënë në thua sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të caktuar. Porse ju jeni “Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.” Fjala e Zotit.

Aleluja

Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta, thotë Zoti: askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua.

Aleluja

Ungjilli  Gjn 14, 1-12

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos t’ju shqetësohet zemra! Besoni në Hyjin edhe në mua besoni! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, a do t’jua thosha: ‘Po shkoj t’ju bëj gati vendin’? Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju. Ku shkoj unë, ju e dini rrugën.” “Zotëri – i tha Toma – ne  s’dimë ku po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?” Jezusi u përgjigji: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta. Askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua. Nëse më njohët mua, do ta njihni edhe Atin tim. Qysh tash e njihni dhe e keni parë.”  Filipi i tha: “Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton!” “O Filip – i tha Jezusi – kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende? Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin. Si thua, pra: ‘Na e dëfto Atin!’ Po a nuk beson se unë jam në Atin e Ati është në mua? Fjalët që jua them, nuk jua them prej vetvetes: Ati që banon në mua i kryen veprat e veta. Më besoni mua: Unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Përndryshe, besoni për shkak të vet veprave!  Përnjëmend, përnjëmend po ju them: kush beson në mua, veprat që i bëj unë edhe ai do t’i bëjë. Madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.” Fjala e Zotit.

08 maj 2020, 13:50