Kërko

Vatican News
 Zoja e Sheshanit Zoja e Sheshanit 

24 maj: Dita e lutjes për Kishën në Kinë

E themeluar në vitin 2007 nga Benedikti XVI me “Letrën drejtuar katolikëve kinezë”, Dita e lutjes për Kishën në Kinë kremtohet çdo vit më 24 maj, datë e festës së Zojës “Ndihma e të Krishterëve”.

R. SH. - Vatikan

E themeluar në vitin 2007 nga Benedikti XVI me “Letrën drejtuar katolikëve kinezë”, Dita e lutjes për Kishën në Kinë kremtohet çdo vit më 24 maj, datë e festës së Zojës “Ndihma e të Krishterëve”, posaçërisht e nderuar në Kinë, në Shenjtëroren e “Zojës së Sheshanit”, pranë Shangait.

Me këtë rast, 13 vjet më parë, e pikërisht në vitin 2008, Papa Benedikti XVI pati shkruar një lutje kushtuar Zojës së Sheshanit, duke ia besuar fatet e Kishës në Kinë gjithnjë Asaj, ndërsa një vit më parë, ia pati besuar Kinën katolike përmes një Letre,  duke kërkuar që festa e 24 majit  të bëhej, në të gjithë botën, ditë bashkimi e lutjeje për Kishën në Kinë.

 “Zoja e Sheshanit” është  tejet e dashur dhe e nderuar nga katolikët në Kinë, posaçërisht gjatë majit. E është edhe Pajtore  e vendit. Për të, thuhet se u duk disa herë, posaçërisht në kohët më të errëta  të luftës së shekullit  të kaluar, kur të krishterët kishin aq shumë nevojë për mbrojtjen e Saj.  

Në  këtë ditë kremtohen meshë e lutje në të gjitha bashkësitë katolike të kinezëve, kudo jetojnë e punojnë. E edhe Papa Françesku e kujton gjithnjë këtë festë, duke i kërkuar Marisë, që në figurën e Saj të Sheshanit e rrok të Birin e ia tregon botës – forcën e dëshmisë për besimtarët kinezë e duke uruar të jenë gjithnjë të bashkuar me Kishën universale.

Marrëveshja historike e Selisë së Shenjtë me Republikën Popullore kineze

Historike, marrëveshja e arritur ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore kineze, më 22 shtator 2018. Kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shetit të Vatikanit, në një intervistë dhënë me këtë rast në Global Times,   e quajti “pikarritje e një udhe të gjatë, por posaçërisht, piknisje e një faze të re bashkëpunimi më të madh, për të mirën e bashkësisë katolike kineze dhe për harmoninë e mbarë shoqërisë. Vetëm kështu - pati theksuar -  mund t’i shërojmë plagët dhe moskuptimet e së kaluarës e t’i tregojmë botës se edhe duke u nisur nga qëndrime të largëta, mund të arrihen marrëveshje të frytshme”.

24 maj 2020, 12:32