Kërko

Vatican News
 Bazilika e Shën Marisë së Burimit në Caravaggio Bazilika e Shën Marisë së Burimit në Caravaggio 

1 Maj: Kisha ia beson Italinë Marisë

Në Shenjtëroren e Shën Marisë së Burimit të Caravaggios, sot do të kremtohet akti, përmes të cilit Italia do t’i besohet Nënës së Zotit, në këtë kohë pandemie. Nisma është e Konferencës ipeshkvnore italiane.

Kisha ia beson Marisë të sëmurët, veprimtarët shëndetësorë, mjekët, familjet, të vdekurit. Duke pranuar kërkesën e shumë besimtarëve, në ditën e parë të muajit marian, Konferenca Ipeshkvnore Italiane (CEI) do të kremtojë një çast lutjeje, për t’ia besuar kombin mbrojtjes të Nënës së Zotit, si shenjë shëlbimi e shprese. E këtë do ta bëjë sot, ditën e parë të majit, në orën 21.00, me një çast lutjeje në Shenjtëroren e Shën Marisë së Burimit, në Caravaggio (dioqeza e Kremonës, provinca e Bergamos), goditur tepër rëndë nga pandemia. Vend, që duke iu lutur Zojës, qan, me një vaj të ngarkuar me shpresën e shëlbimit, edhe bijtë e vet të shumtë të kallur në varre të panumërta. Në një video, realizuar nën kujdesin e Zyrës kombëtare për komunikimet shoqërore të Konferencës Ipeshkvnore të Italisë, kardinali Gualtiero Bassetti, kryetar i Ipeshkvijve italianë, kujton se “barinjtë e kanë për detyrë t’i prijnë grigjës, popullit të krishterë”. Por shpesh - shton - është grigja ajo, që u prin barinjve, siç ndodhi në këtë rast, përmes kërkesave të shumta të besimtarëve për t’ia besuar, në këtë kohë pandemie, Kombin mbarë Zemrës së Papërlyer të Marisë.

Sytë, ngulur mbi Marinë dhe mbi të ardhmen

Maji është muaj, që i kushtohet tradicionalisht Zojës, kohë kur thuhet çdo ditë Rruzarja e nisin shtegtimet ndër shenjtërore. Ta fillosh këtë muaj me aktin, që ia beson Marisë Italinë, në situatën e sotme fiton një domethënie  shumë të veçantë për gjithë Kombin. E posaçërisht për vendin ku kremtohet, Caravaggion, që ndodhet në Lombardi, rajon i prekur rëndë nga pandemia. Në festën e Shën Jozefit Punëtor, fat i Marisë Virgjër, Kisha ia beson Zojës së Bekuar posaçërisht punëtorët, e vetëdijshme për shqetësimet e për frikën, me të cilën shumëkush e shikon sot ardhmërinë. Prej këndej, mund të themi se zgjedhja e këtij vendi, për këtë lëshim në dorë të Zojës, është thellësisht simbolike!

Në një intervistë dhënë Vatican News, ipeshkvi i Caravaggios, imzot Napolioni, uron:

 “1 Maji qoftë porta, që hap një rrugë feje. Ky maj - vijon - për bashkësinë italiane, përkon me rifillimin shkallë-shkallë të veprimtarive të punës. Është edhe festa e Shën Jozefit Punëtor e, prej këndej, ia besojmë Marisë dhe gjithë Familjes Shenjte, nevojat konkrete të rifillimit të jetës shoqërore e të kishterë, me urimin që të vijë e ngarkuar me fryte të begata! U zgjodh Caravaggio jo vetëm sepse tokë tepër e prekur nga Pandemia, por sidomos, pse është zemra shpirtërore e rajonit, vend i bukur, shenjtërorja e të cilit njihet si cak shtegtimesh, sepse këtu, më 26 maj 1432, Zoja e Bekuar iu duk një gruaje me emrin Gianetta. Menjëherë mbas dukjes, aty shpërtheu një burim i ri e, në shekullin XVI, u ngrit Kisha e parë, e shndërruar më pas në Shenjtëroren  e Shën Marisë së Burimit”.

Lutja e Papës Françesku: “O Mari, ne po ta besojmë Ty gjithë vetveten!

Aktit  të 1 majit, përmes të cilit Italia i kushtohet Marisë, i parapriu një lutje tjetër. Më 11 marsin e kaluar, në një kohë dramatikisht të përshkuar nga përhapja e virusit, Papa Françesku ia besoi Qytetin e Romës, Italinë dhe mbarë botën, mbrojtjes të Nënës së Zotit. Me këtë rast, në kuadrin e një dite lutjeje e agjërimi në dioqezën e Romës, Papa i drejtoi lutjen Marisë “Shëndeti i të sëmurëve” e “Shpëtimi i Popullit romak”. Më poshtë, lutja e Papës:

“O Mari,

Ti shndrit gjithnjë në udhët tona,

si shenjë shëlbimi e shprese!

Besojmë në ty, Shëndeti i të sëmurëve.

Në ty, që dhimbjen e Krishtit,

shoqërove me fe të patundur!

Ti, Shpëtimi i popullit romak,

 i  njeh mirë nevojët tona!

 Jemi, prandaj, të sigurt

 se, ashtu si në Kanë të Galilesë,

do  të na e  shndërrosh përsëri

këtë kohë të hidhur prove

në çaste gëzimi e feste!

Ndihmona, o Nënë e Dashurisë Hyjnore,

të ecim në udhën e Atit,

e të bëjmë çka do Krishti,

që mori mbi vete vuajtjet tona,

e u ngarkua me dhimbjet tona,

për të na prirë, me Kryqin në krah,

kah gëzimi i ringjalljes!

Nën mbrojtjen tënde strehë kërkojmë,

o Nëna Shenjte e Zotit!

Mos e pëbuz lutjen tonë!

Lutje e njerëzve në provë!

Çlirona nga çdo rrezik,

O Virgjër e lumnueshme, e bekuar!

01 maj 2020, 12:31