Kërko

Vatican News
 Imzot Pizzaballa i bekon besimtarët me Kryqin e Krishtit Imzot Pizzaballa i bekon besimtarët me Kryqin e Krishtit 

Pashkët në Tokën Shenjte. Pizzaballa: “Të bashkuar, kundër Koronavirusit”.

Viset e Shenjta, të mbyllura për publikun, duket sikur vuajnë së bashku me popullsinë. Kështu mendon administratori apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit, kryeipeshkvi Pierbatista Pizzaballa që, në një instervistë dhënë Vatican News, flet për ritet e Pashkëve në Tokën Shenjte. Pashkë, në kohën e pandemisë.

R. SH. - Vatikan

Lutja në familje dhe uniteti i bashkësisë së krishterë, por jo vetëm! Emergjenca Covid-19 ka dy faqe në Tokën Shenjte. Atë  të rrezikut të ngjitjes, që i detyroi Vendet Shenjte t’i mbyllin portat, me pasojë mungesën e punës për shumë njerëz, e atë të perspektivave ekonomike shumë të brishta. Por e gjithë kjo nuk i pengon njerëzit të luten. Përkundrazi, i nxit izraelitët dhe palestinezët të bashkëpunojnë për një strategji unike kundër Coronavirusit. Për këtë flet, në Vatican News, kryeipeshkvi Pierbatista Pizzaballa, administrator apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit.

Forca e Ringjalljes

Pasi i priu lutjes të së Dielës së Larit në Dominus Flevit, mbi Malin e Ullinjve, në Jeruzalem, çast që zevendësoi sivjet procesionin tradicional nga Betfage - në Bazilikën e Shën Anës, kryeipeshkvi Pizzaballa kujton se edhe në Tokën Shenjte të gjitha kremtimet e Pashkëve i kanë mirë parasysh masat  e marra për ta frenuar përhapjen e Koronavirusit.  Mesha e Bagmit sivjet do të kremtohet në Jeruzalem. Triditshi, në Kishën konkatedrale të patriarkatit latin, i transmetuar drejtpërdrejt në streaming nga Christian Media Center. Coronavirusi -  pohon kryeipeshkvi - nuk duhet ta frenojë besimin tonë në Krishtin e në pushtetin e Ngjalljes së Tij.

Ja si shprehet imzot Pizzaballa:

“Mbi të gjitha, kemi nevojë për lutje: lutemi gjithnjë në liturgji, po sot liturgjia është e kufizuar - vijon. - Gjithsesi kjo nuk na pengon të lutemi, e sidomos në familje. E pastaj, ta ruajmë unitetin jo vetëm ndërmjet anëtarëve të bashkësisë së krishterë, por me të gjithë, mbasi e kemi parë tashmë se ky virus nuk shikon politikë, racë as besim”.

Në të Dielën e Larit procesioni tradicional nga Betfage në Bazilikën e Shën Anës u anulua. Pse? Cili ishte reflektimi edhe bekimi juaj me reliken e Kryqit të vërtetë të Krishtit?

“Procesioni u anulua për dy arsye. Para së gjithash, kufizimet ishin të shumta e, prej këndej, edhe organizimi do të ishte tejet i ndërlikuar. E pastaj, mungonte shpirti i festës! Festa është burim gëzimi e kërkon që edhe popullsia të jetë plot gëzim. Po nuk ishte kështu. Ndaj menduam ta zëvendësojmë këtë çast feste, me një çast lutjeje nga Dominus Flevit, vendi ku Krishti qau mbi qytetin, për t’i bashkuar lotët tanë me ato të Zotit, që për ne është simbol  i humanizmit, i vëllazërisë njerëzore ndërmjet të gjithë popujve, të gjitha feve. Me që froni i Jezusit është Kryqi, me Kryq i bekuam edhe njerëzit!”.

 

09 prill 2020, 10:30