Kërko

Toka  Shenjte Toka Shenjte 

Pashkë në Tokën Shenjte: “Krishti i ngjallur është vaksina e vetme, që të shpëton nga virusi i vdekjes!”

“Jezusi i ngjallur është tani shpresa e sigurt: duke e marrë me fe, marr të vetmen vaksinë, që mund të më shpëtojë nga virusi i vdekjes!

R. SH. - Vatikan

 “Jezusi  i ngjallur është tani shpresa e sigurt: duke e marrë me fe, marr të vetmen vaksinë, që mund të më shpëtojë nga virusi i vdekjes, i frikës, i ankthit, nga virusi i së keqes, që na ngjitet ne, mbarë njerëzimit  e historisë sonë; nga virusi i jetës pa kuptim e pa qëllim”. Është ky një fragment i mesazhit të Rojtarit të Tokës Shenjte, atë Francesco Patton, drejtuar mbarë njerëzimit përmes videos  realizuar  brenda Bazilikës së zbrazët – e pranë Varrit të zbrazët të Krishtit, nga Christian Media Center (Cmc) e Rojtarisë Françeskane.

Pasi i përshkoi duke ecur, i vetëm, viset e Bazilikës, që kujtohen nga Ungjilli, Rojtari i nxiti besimtarët ta pranojnë ftesën që Krishti i bëri Marisë Magdalenë,  e cila pati vrapuar e para tek varri: “Shko e thuaju vëllezërve të mi se më takove! Tregoju se jam gjallë! Thuaju se varri im është bosh!”.

Sot, kur pandemia vijon akoma të mbjellë vdekje në mbarë botën e ndjej se më takon mua, të takon ty, i takon secilit nga ne ta pranojë ftesën që Krishti i bëri Marisë Magdalenë: “Shko e thuaji botës mbarë se varri im është i zbrazët!”.

Tregoji se thimthi i së keqes është flakur tutje, se mund të plagosë, por jo të vrasë! Tregoji se frika, ankthi, dëshpërimi e vdekja u mundën, përgjithmonë e jetës! Se jeta ka akoma kuptim! E se lindi njerëzimi i ri!”.

Kështu u shpreh Atë Paton nga Toka Shenjte ku, ashtu si në të gjithë botën e krishterë, Nata e Pashkëve u kremtua në bazilikat boshe, pa besimtarë. Ku të Premten e Madhe u duk se Krishti po nisej drejt Kalvarit krejt i vetëm, pa turmën e zakonshme, që e ndjek çdo vit pas deri te Kryqi. E se mbeti vetëm edhe Natën e Pashkëve, kur vdekja e ringjallja e Tij kremtohej në bazilikat e zbrazura.

Kështu u duk! Po Krishti nuk mbeti për asnjë çast i vetëm. Ishte me të  gjithë ata, të cilët po rrezikojnë jetën për t’i shërbyer njeriut, që ka nevojë, në këtë situatë. Ishte me të gjithë ata, që po e kremtojnë në rrethana kaq tragjike, për t’ju kujtuar të gjithëve, ju, familjeve tuaja, miqve tuaj, nga Toka ku u mundua, u kryqëzua e u ngjall: “Shko e thuaji botës mbarë se varri im është i zbrazët!”. Tregoji se lindi njerëzimi i ri!”.

 Krishti i ngjallur  ju ruajtë e ju dhashtë sy për ta parë jetën që gurron nga Varri i zbrazët!”- uroi në përfundim, nga Bazilika e Varrit bosh, Rojtari i Tokës Shenjte, atë Patton!

12 prill 2020, 12:13