Kërko

Vatican News
  Yangon: Mesha e Papës para takimit me murgjërit budistë Yangon: Mesha e Papës para takimit me murgjërit budistë 

Nga një lider budist, 10 mijë dollarë për fondin e emergjencës së Papës

Prej Myanmar arrin një ndihmë e madhe lidhur me Fondin e krijuar më 6 prill nga Françesku për “Përgjigjen ndaj Covid-19 në zonat e misionit”.

R. SH. - Vatikan

Murgu budist Ashin Nyanissara, i njohur më shumë me emrin Sitagu Sayadaw, një nga personalitetet fetare më në zë të Myanmarit, i dhuroi 10 mijë dollarë Fondit të emergjencës krijuar më 6 prill nga Papa Françesku, për t’i shoqëruar bashkësitë e prekura nga Covid-19 në vendet e misionit, përmes strukturave të Kishës. Sipas agjencisë Ucanews -  murgu ia dorëzoi shumën, si dhe disa thasë me oriz e me ushqime të tjera, për nevojat e kryedioqezës gjatë emergjencës, kryeipeshkvit të Mandalay, imzot Marco Tin Win.  Kjo shumë u shtohet 750 mijë dollarëve të caktuara nga Papa Françesku si kontribut fillestar për Fondin, në të cilin  u ftuan të kontribuojnë edhe kishat vendase.

Mëshirë e përbashkët e të gjitha feve

Eshtë gjest - shpjegoi murgu Sitagu Sayadaw - që dëshirojmë të jetë  shenjë e mëshirës së përbashkët të të gjitha feve: duhet të luftojmë së bashku kundër Covid-19 e t’i çojmë përpara veprat e bamirësisë përmes solidaritetit, kujtoi lideri budist. Kryeipeshkvi Tin Win, mik i liderit budist,   u prek thellë nga ky akt vullnetmirë e solidar, në dobi të njerëzve që e ndjejnë më shumë këtë krizë të rëndë e të paparashikuar. Kontributi i tij  është mesazh, që flet vetë për harmoninë ndërfetare në mbarë vendin - kujtoi prelati.

Murgu Sitagu Sayaday ka marrëdhënieve shumë të mira edhe me kardinalin Charles Bo, kryeipeshkëv i  Yangon dhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore birmane, me të cilin angazhohet aktivisht në promovimin e  dialogut ndërfetar në këtë vend me shumicë budiste. Themelues dhe president i “Sitagu Buddhist Academies”, një organizatë, që financon projekte të ndryshme shoqërore në Myanmar, lideri fetar budist merr pjesë në Këshilla të ndryshme për dialogun ndërfetar. Më 2017 u takua me Papën Françesku gjatë shtegtimit të tij apostolik në Myanmar, ndërsa më 2011 u prit në audiencë nga Papa Benedikti XVI.

Dhurata, që i bëri Fondit të posaçëm të Papës Françesku për emergjencën Covid-19 u dorëzua ndërsa budistët kremtojnë Vitin e Ri, Festën e Ujit, kremtimi i së cilës u ndalua nga qeveria birmane për shkak të emergjencës Covid-19. Në vendin aziatik u regjistruan, deri më 17 prill, 85 raste, nga të cilat, dy vdekjeprurëse.

20 prill 2020, 11:18