Kërko

Vatican News
 Coronavirus: njerëzit në radhë para Bankave të Pengjeve Coronavirus: njerëzit në radhë para Bankave të Pengjeve  (ANSA)

Konsulta kundër fajdesë: bankat duhet t’i ndihmojnë familjet

Imzot Alberto d’Urso, president i Onlus (Organizatë pa qëllim fitimi) Gjon Pali II e falënderon Papën që, këto ditë, kujtoi viktimat e fajdesë, “të fundmit ndërmjet të fundmëve” dhe flet për “kthimin e zemrave të atyre, që kanë lidhje të gabuar me paratë”.

R. SH. - Vatikan

“Sigurisht fajdexhinjtë duhen ndjekur ligjërisht, por Jezusit e Kishës iu intereson kryesisht kthimi i zemrave të tyre”. Kështu shprehet kryetari i Konsultës italiane “Gjon Pali II” kundër fajdesë , imzot Alberto D’Urso, duke kujtuar lutjen e Papës kushtuar familjeve në krizë dhe kthimit të fajdexhinjve, shqiptuar gjatë Meshës së 23 prillit, kremtuar në Shën Martë.

Në vijë të parë kundër fajdesë

"Pandemi shoqërore” e quan imzot D’Urso, i cili që prej 25 vjetësh  e përballon këtë pandemi, të denoncuar nga Papa, me fondacionin “Shën Nikolla dhe Shenjtorët Mjekë”. Prelati i kërkon qeverisë t’i mbrojë viktimat e fajdesë, njerëz pa zë, më të varfër ndër të varfërit, pa asnjë ndihmë. E bankat, t’i ndihmojnë familjet në vështirësi. Kisha kërkon kthimin e fajdexhinjve, ashtu si qe kthyer Mateu, Zakeu e shumë nga ata, që kanë lidhje të gabuara me paranë. Lidhje, të cilat - kujton - i shfrytëzojnë posaçërisht kur rriten çmimet e, sidomos, çmimet e prodhimeve ushqimore. Kështu gjendja e të varfërve bëhet gjithnjë e më e rëndë. E atëhere ata nisin e trokasin në portat e kishave, ose të fondacioneve. E pikërisht këtë kohë presin organizatat kriminale, për të përfituar sa më shumë. Të përgatitura për të dhënë para me fajde, ata janë gjithnjë gati për të shtënë, pastaj, në dorë pronat e nevojtarëve, që nuk janë në gjendje ta kthejnë as borxhin e marrë, pa le më përqindjet. Nga ana tjetër vërehet  lulëzimi i tregut të shitjes së arit e stolive të çmuara: kush i blen shpesh fshihet pas emrave të tjerë, shumica njerëz që vijnë nga mjediset e kriminalitetit të organizuar. Thua mund të dalë edhe sot prej tyre një Mate i ri? Për Zotin nuk ka asgjë të pamundur, por kjo nuk e përjashton punën e njerëzve për t’i vënë fre një fitimi të tillë kriminal, që thellon varfërinë e mjerimin, deri në dëshpërim. Prej këndej, është e domosdoshme edhe ndërhyrja e qeverive, që duhet t’i japin fund fenomeneve të tilla çnjerëzore, sidomos kur bota mbarë ndodhet në një situatë të pushtuar nga sëmundja e vdekja! Edhe e fajdexhinjve!

Në këtë situatë - kujtoi Papa në Shën Martë - dalin në skenë  fajdexhinjtë, që të marrin edhe atë pak që ke. E më pas ftoi: “Të lutemi për  familjet, për fëmijët e tyre, për dinjitetin e tyre, por edhe për fajdexhinjtë, që Zoti t’ua prekë zemrat  e të ndërrojnë rrugë”.

 

24 prill 2020, 14:30