Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës. Shën Pali, filipianëve: jeta është Krishti

Nëse do ta pyesnim shën Palin ç’do të thotë të bëhesh i krishterë, kjo do të ishte përgjigjja e tij: “Që ta njoh Atë [Krishtin] dhe fuqinë e ngjalljes së Tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e Tij, që të bëhem i ngjashëm me Të në vdekjen e Tij, që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ngjalljes së të vdekurve” (Fil 3,10-11).

R.SH. - Vatikan

Përfundojmë sot komentin e Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve. Jemi në fund të kapitullit III, në të cilin gjetëm një apostull polemik, që gjykon në mënyrë të tillë, sa bëhet i famshëm e antipatik, njëkohësisht. Natyrisht, fjalët e tij sjellin fryte, por mendimi i tij ka gjithnjë nevojë të bilancohet, për të mos krijuar dualizma e dogmatizma të kota, siç pohon don Federico Tartaglia, meshtar italian, autori i librit “Është ora e leximit të Biblës”, që po ndjekim për këtë rubrikë.

          Mbetet gjithsesi, qendra e mendimit paolin, që shprehet mrekullisht mirë. Vërtet, apostulli thekson se qëllimi i tij është:

          “…të fitoj Krishtin dhe të gjendem në Të - jo me drejtësinë time - me atë që vjen nga Ligji, por me atë që vjen nga feja në Krishtin, me drejtësinë që vjen nga Hyji, e themeluar në fe” (Fil 3,8-9).

          Pjesa, që vjen pas, është një lloj programi për udhën e formimit të krishterë. Nëse do ta pyesnim shën Palin ç’do të thotë të bëhesh i krishterë, kjo do të ishte përgjigjja e tij:

          “Që ta njoh Atë [Krishtin] dhe fuqinë e ngjalljes së Tij me pjesëmarrjen në vuajtjet e Tij, që të bëhem i ngjashëm me Të në vdekjen e Tij, që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ngjalljes së të vdekurve” (Fil 3,10-11).

          Është interesant rendi: pa e njohur pushtetin e Krishtit të ringjallur, është e pamundur dhe e pamendueshme pjesëmarrja në dhimbjet dhe në vdekjen e Tij. Armiqtë e kryqit, për të cilët flet shën Pali në këtë Letër, në të vërtetë janë ata, që mohojnë ringjalljen e nuk e kuptojnë misterin e mohimit të vetvetes e të lartimit të Krishtit.

          Në fund të Letrës, nuk e hasim më këtë ashpërsi të pjesëve polemike e shën Pali e gjen edhe një herë dashamirësinë. Nxitja, me të cilën mbyllet Letra, tashmë, bën pjesë në liturgjinë e Kohës së Ardhjes, në të dielën “e gëzimit” e, pikturon një kuadër të përshpirtshëm e të pastër të bashkësisë së krishterë:

          “Gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni! Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është ngjat! Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka - me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim - paraqitjani Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlershme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus” (Fil 4,4-7).

          Letra e shën Palit drejtuar Filipianëve lexohet me dëshirë, është e bukur dhe, në fund të fundit, pak polemikë nuk stonon. Gëzim, hare e pak piper polemizues, por rresht pas rreshti, mësohemi ta kuptojmë forcën e apostullit, e ndiejmë se bëhet një me Krishtin, e shohim se reflektimi i tij mbi fenë ngrihet në një nivel gjithnjë e më të lartë.

          Në fund të fundit, kjo është merita e vërtetë e shën Palit: ai dëshmoi se besimi në Krishtin dhe njohja e misterit të Tij e bëjnë të krishterin një me të Ringjallurin. Siç shkruan, me të drejtë, në këtë Letër: “jeta është Krishti!” Sa prej nesh, mund ta thonë me sinqeritet një gjë të tillë?

30 prill 2020, 08:40