Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra e shën Palit apostull drejtuar Efesianëve. Sakramenti i Martesës dhe universaliteti i Kishës

Përfundojmë sot komentin e Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve, gjithnjë, sipas librit “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia. Janë kapitujt e fundit, që kanë rëndësi sidomos për fjalët e shën Palit mbi martesën dhe mbi Kishën si bashkësi universale.

R.SH. - Vatikan

Kapitujt e fundit, i katërti dhe i pesti, synojnë të vënë në jetë vizionin e shën Palit, sipas të cilit, jemi të gjithë vëllezër, të destinuar të bëjmë pjesë në një familje e në një popull të vetëm, në Krishtin. Në ta propozohen një sërë këshillash morale, disa prej të cilave kanë të bëjnë me kohën kur u shkruan e janë të diskutueshme, të tjera, mjaft të rëndësishme edhe sot. Më thelbësorja është ajo në të cilën shën Pali, duke lidhur dashurinë e bashkëshortëve me dashurinë e Krishtit për Kishën e tij, faktikisht, themelon Sakramentin e Martesës:

“Ju, o burra, duajini gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të, për ta bërë të shenjtë duke e pastruar me lamje dhe me fjalë, që të bënte gati për vete një Kishë të lavdishme, të panjollë, të parrudhë… Në këtë mënyrë duhet që edhe burrat t’i duan gratë e veta - porsi trupin e vet. Kush e do gruan e vet, do vetveten… Ky është mister i madh: e kam fjalën në lidhjen e Krishtit me Kishën” (Ef 5,25-28.32).

Nëse vështrimi i kësaj Letre mbi misterin e Krishtit është kozmik dhe universal, për rrjedhojë, edhe vështrimi i Kishës bëhet i mistershëm. Në Letrat e tjera paoline, termi “ekklesia” tregon bashkësitë e veçanta, ndërsa këtu, për tetë herë me radhë, Kisha përvijohet si korp universal, si korp mistik i Krishtit, që është kreu i saj.

Imazhi i korpit, që shën Pali e pati përshkruar në Letrën e parë drejtuar Korintasve për ta ftuar të bashkohej atë grigjë të Krishtit kaq të shqetë, këtu përmendet sërish, në kuptimin e misterit. I gjithë populli i krishterë formon një trup, kreu i të cilit është Krishti e, përmes këtij korpi, që vepron në histori, plotësohet misteri i bashkimit të njerëzimit mbarë: risimi i tij në Krishtin.

Kur mbërrin në këtë pikë, natyrisht, Letra nuk mund të thotë ndonjë gjë tjetër të rëndësishme. Shën Pali provon ta bëjë këtë me një figurë, tejet të sofistikuar e disi të tepruar, që është ajo e “armaturës shpirtërore” të besimtarit, por, tashmë i ka shprehur mendimet e tij më të mira e çdo lexues mund të fillojë të meditojë mbi fjalët e jashtëzakonshme të Apostullit të Popujve.

Me këtë Letër, shën Pali na lë përpjekjen e parë të rëndësishme të fesë së krishterë për ta kuptuar vetveten. Jemi para një niveli metafizik, që përpiqet të bashkojë shëlbimin me krijimin e botës.

Nuk është e lehtë ta lexosh Letrën e shën Palit apostull drejtuar Efesianëve, jo vetëm për konceptet e ndërlikuara të saj, por edhe e sidomos se – të themi të vërtetën – ajo që uron shën Pali për ata, që do ta lexonin, nuk na intereson dhe aq sot. Kush prej nesh i kërkon Zotit një shpirt dije e zbulese? Kush shqetësohet për sytë e mendjes? Kush mendon se feja është çështje njohurish, shndritjeje, vizioni?

Në të vërtetë, kjo Letër është interesante për çështjet e shumta që ngre, sepse na flet për një plan të mistershëm, që përfshin gjithësinë e që gjen frymëzim e plotësim në Krishtin. E kështu, na lë një lloj “mantra” të krishterë, që duhet përsëritur vazhdimisht: “ta pantha en to Christo” – të gjitha gjërat në Krishtin!

09 prill 2020, 09:20