Kërko

Vatican News

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra e shën Palit apostull drejtuar Efesianëve (kapitulli 2 e 3)

Vijojmë sot me kapitullin e dytë e të tretë të Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve, gjithnjë, sipas librit “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Në kapitullin e dytë  te Letrës drejtuar Efesianëve, shën Pali përmend që në fillim thelbin e Ungjillit të tij:

“Ju jeni të shëlbuar me hir… Dhe kjo s’vjen prej jush, por është dhuratë e Hyjit! E jo me anë të vepravet që ndokush të mos lavdërohet. Jemi vepër e tij, të krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira, që Hyji i përgatiti qysh më para që të jetojmë në to” (Ef 2,5.8-10).

 Bukur, apo jo? Të krijuar në Krishtin Jezus! Gjithçka del nga ky hir, i cili ka krijuar gjithë botën e dëshiron ta çojë atë drejt plotësimit. E Pali, që e ka përjetuar vetë takimin me Hirin Hyjnor, shpik një imazh për të përshkruar botën e atyre, që nuk e kanë njohur këtë hir: imazhin e murit.

Para Krishtit (sot mund të themi: pa Krishtin), njerëzit ndërtonin mure. Ai i shembi për të ndërtuar ura!

“Ai është Paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një e përmbysi murin ndarës, d.m.th. armiqësinë - në trupin e vet. Ai e shfuqizoi Ligjin e urdhërimeve me të gjitha rregulloret, me qëllim që prej dyve: paganëve e hebrenjve, të trajtonte në vetvete një njeri të ri e, duke vendosur paqen, të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin me anë të kryqit, duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë” (Ef 2,14-16).

Pikërisht këtu, Pali pa dritën e filloi të mendonte se historia e botës duhej ndryshuar e se kjo histori ishte shkruar që para krijimit, se ishte mister, më parë sekret e tashmë, më në fund, e zbuluar. E të gjithë ata, që i kundërvihen kësaj miqësie ndërmjet popujve, pra, ndërmjet njerëzve e Zotit, i kundërvihen planit të zanafillës për krijimin e gjithësisë, menduar nga Hyji.

“Misteri i Krishtit, nuk u qe zbuluar njerëzve të breznive të shkuara sikurse tani u është zbuluar në Shpirt Shenjt apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve: se paganët - në Jezu Krishtin - janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup, dhe bashkanëtarë të të njëjtit premtim në saje të Ungjillit... Prandaj, nuk jeni më të huaj e mërgimtarë, por jeni bashkëqytetarë të shenjtërvet dhe anëtarë të familjes së Hyjit” (Ef 3,4-6; 2,19).

 Për ata, që besojnë në Zot, nuk ka urim më të mirë: Krishti banoftë në ne për të na dhënë dijen, që e kapërcen çdo dije e që arrin të na zbulojë misterin, i cili përqafon gjithë krijimin dhe e çon drejt plotësisë. Me kapitullin e tretë përfundon pjesa më e bukur e letrës. Me kapitullin e katërt e të pestë, që përmbajnë disa këshilla e paralajmërime morale, do t’ju njohim në emisionin e ardhshëm.

02 prill 2020, 08:06