Kërko

Vatican News
2019.10.07 La Madonna del Rosario e la battaglia di Lepanto 2019.10.07 La Madonna del Rosario e la battaglia di Lepanto 

Më 30 prill kalendari kishtar kujton Shën Piun e V, Papë

Piu V, qe një nga Papët e mëdhenj të Kishës që fuqizoi energjitë fetare në një periudhë që pati kriza të thella shoqërore. Zbatoi vendimet e Koncilit kishtar të Trentit në fushën liturgjike, katekistike e teologjike. Botoi tekstet e reja të Mesharit më 1570, të Breviarit (1568) e të Katekizmit romak. Kujtohet si Papa i fitores së Lepantit, jo pse ai qe njeri i luftës, por sepse me autoritetin dhe prestigjin e tij personal arriti të imponojë një armëpushim ndërmjet shteteve evropiane të përçara dhe t’i nxisë ato që përmes “aleancës së shenjtë” t’i ndalnin hovin avancimit të trupave turke drejt Evropës.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin kishtar, më 30 prill Kisha përkujton Shën Piun e V ( 27.1.1504 - 1.5.1572), Papë i madh që la gjurmë të pashlyeshme në Kishën e kohës së vet, duke i dhënë një shtytje ungjillore providenciale përpara.

Në kohën e vet, Antonio Michele Ghisleri njihej si kardinal aleksandrin, aq e fuqishme ishte lidhja e tij me tokën e dashur të Aleksandrisë. U ul në fronin e papnisë në moshën 62 vjeçare, në vitin 1556. Qe një nga papët e mëdhenj të Kishës katolike, që fuqizoi energjitë fetare në një periudhë që pati kriza të thella shoqërore, që nganjëherë përfunduan me konflikte të dhimbshme të armatosura. E Kisha në drejtimin e Piut V u imponua për të kërkuar rrugë të reja, për të gjallëruar fenë e për t’ia propozuar botës vlerat ungjillore në përkim me ndryshimet kulturore e shoqërore të kohës. Këto rrugë asokohe u propozuan nga Koncili Kishtar i Trentit. 

I ngarkuar me veprimtari të jashtëzakonshme, shëndetlig, i lodhur nga pesha e viteve, papa Piu V megjithatë nuk e la kurrë pas dore lutjen e meditimin e Fjalës së Zotit. Plot përshpirtërie për Zojën e Bekuar, Piu V e thoshte për ditë Rruzaren Shenjte. Pasi u zgjodh Papë, vuri të gjitha forcat për të zbatuar me besnikëri vendimet e Koncilit Kishtar të Trentit në fushën liturgjike, katekistike e teologjike. Këto virtyte e bëjnë Piun V shembull për të gjithë ata që duan ta jetojnë vërtetësish thirrjen e tyre të krishterë. Botoi tekstet e reja të Mesharit më 1570, të Breviarit (1568) e të katekizmit romak.

Shën Piu V përkujtohet kryesisht si papa i fitores së Lepantit, jo pse ai qe njeri i luftës, por sepse me autoritetin dhe prestigjin e tij personal arriti të imponojë një armëpushim ndërmjet shteteve evropiane të përçara dhe t’i nxisë ato që përmes “aleancës së shenjtë” t’i ndalnin hovin avancimit të trupave turke drejt Evropës. Më 17 tetor të vitit 1571, kur flota e krishterë mposhti përfundimisht atë turke, Papa Piu V urdhëroi që të binin njëkohësisht të gjitha këmbanat e Romës.

30 prill 2020, 09:37