Kërko

Vatican News
2018.10.31 Terra Santa - Muro del pianto a Gerusalemme 2018.10.31 Terra Santa - Muro del pianto a Gerusalemme 

Më 27 prill kalendari kujton Shën Simeonin, ipeshkëv i Jerusalemit e martir

Shën Simeoni pati fatkeqësinë të shikonte rrënimin e Jeruzalemit, parafolur prej Jezusit, në të cilin romakët nuk lanë gur mbi gur. Si kaloi stuhia, bariu i mirë i priu grigjës drejt shtëpive tashmë të shkatërruara dhe filloi, bashkë me besimtarët, rindërtimin e Kishës, Nënë e të gjitha kishave.

R.SH.-Vatikan

Më 27 prill kalendari përkujton Shën Simeonin, ipeshkëv i Jerusalemit e martir

Ipeshkvi Shenjt Simeoni qe prijësi i dytë, pas Shën Jakut Apostull, i bashkësisë së parë të krishterë, që u formua në Jeruzalem e që jetoi në një frymë vëllazërim të plotë, sipas urdhrit të dashurisë, predikuar nga Jezusi: "Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë". 

Shën Simeoni pati fatkeqësinë të shikonte rrënimin e Jeruzalemit, parafolur prej Jezusit. Bashkësia e vogël e krishterë, duke kujtuar këtë parafolje, u largua me kohë dhe shpëtoi nga fati tragjik, që u takoi banorëve të tjerë të Qytetit Shenjt, në të cilin romakët nuk lanë gur mbi gur.

Si kaloi stuhia, bariu i mirë i priu grigjës drejt shtëpive tashmë të shkatërruara dhe filloi, bashkë me besimtarët, rindërtimin e Kishës, Nënë e të gjitha kishave, duke arritur t'i kthejë në fe të Krishtit shumë hebrenj, që vërtetimi i profecisë së Jezusit i kishte shtyrë të meditonin mbi mesazhin ungjillor, të cilin më parë nuk kishin dashur ta pranonin.

Simeoni jetoi gjatë. I udhëhoqi të krishterët e Jerusalemit për më se dyzet vjet e, kur dha dëshminë e gjakut për Krishtin, gjatë periudhës së dytë të persekutimit të madh, që shpërtheu në të gjithë perandorinë romake, e kishte kapërcyer pragun e njëqindtës. Pas persekutimit të parë, që goditi vetëm bashkësinë e krishterë të Romës, të cilën Neroni e akuzoi për djegien e qytetit në vitin 64, bashkësia katolike gëzoi një farë paqeje. 

Por shumë shpejt, nën perandorin Domician, salvimi rifilloi me furi dhe çoi në vdekje disa përfaqësues të shquar të aristokracisë romake, në gjirin e së cilës kishte nisur të depërtonte feja e krishterë. Një persekutim tjetër, që shpërtheu nën Perandorin Trajan, u shtri në të gjitha provincat e Perandorisë, ndonëse qëllimi i tij nuk ishte aq t'i dënonte me vdekje të krishterët, sa t'i bënte të hiqnin dorë nga Krishti. Vendosmëria e mahnitshme, me të cilën të krishterët refuzuan ta mohonin fenë, përbën një nga faqet më të lavdishme të historisë së Kishës. E pikërisht në kohën e Trajanit, Simeoni, ipeshkvi i Jerusalemit, "vëlla me Jezu Krishtin", i mbaroi ditët në kryq, si Zoti i vet! 

27 prill 2020, 10:03