Kërko

Vatican News
  Eukaristia, forca jonë! Eukaristia, forca jonë! 

Mesha nuk ka përfunduar….

Mesha nuk ka përfunduar! Kështu shkruan kryeipeshkvi i Monrealit, Michelle Pennisi, në një letër drejtuar mbarë bashkësisë dioqezane, duke e ftuar, në këtë periudhë emergjence shkaktuar nga coronavirusi, të rizbulojë forcën e lutjes.

R. SH. - Vatikan

Mesha nuk ka përfunduar! Kështu shkruan kryeipeshkvi i Monrealit, Michelle Pennisi, në një letër drejtuar mbarë bashkësisë dioqezane, të cilën e fton, në këtë periudhë emergjence shkaktuar nga coronavirusi - ta  jetojë përmasën shtëpiake të fesë, duke rizbuluar forcën e lutjes në familje.

Duke thënë bashkërisht Rruzaren - kujton prelati - e duke medituar Udhën e Kalvarit, ne ndjejmë mbi shpatullat tona sa i rëndë është kryqi e sa e rrëpirët, Udha e mundimeve!

Prelati i fton besimtarët të mos harrojnë se Mesha nuk ka përfunduar! Ajo mund të ndiqet çdo ditë përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit, duke vlerësuar, kështu, praktikën e bashkimit shpirtëror me mbarë njerëzimin. Meshë e transmetuar - që na kujton se qindra mijëra besimtarë luten shpirtërisht pranë nesh - ndonëse në vise qindra mijëra kilometra larg, duke formuar kështu turmën vigane të njerëzimit, që i larton në kor lutjen e përgjëruar Zotit të jetës, kur jeta kërcënohet nga fantazma e vdekjes, që endet këto ditë në rrugët e planetit!

Mesha nuk ka mbaruar! Deri më 3 prill – kujton prelati i Monrealit - famullitarët e meshtarët do të vijojnë ta kremtojnë vetëm, pa besimtarë. Por, si Moisiu mbi mal, do t’i sigurojnë popullit një lutje të pandërprerë…

Mesha nuk përfundon kurrë! E shoqëruar në këtë kohë edhe me “agjërimin kreshmor”.

Është kohë e pushtuar nga pasiguria. Kohë kur virusi Covid 19 vijon të vrasë. E kohë kur bashkësisë së krishterë i mungon pikëmbështetja më e fuqishme e jetës: Eukaristia. E edhe përmasa komunitare e fesë…

Po Mesha nuk përfundon. Mesha kremtohet çdo ditë në të gjithë rruzullin tokësor e Krishti është më shumë se kurrë pranë nesh! E na bën të fortë në fe, të patundur në shpresë, veprimtarë të zjarrtë në dashurinë e krishterë!

Imzot Pennisi uron që Kreshmët të jenë për të gjithë gurrë hiri, nga cila buron malli e dëshira për Zotin, për të kërkuar ç’është  me vlerë në jetë e për të ndjerë praninë Kryqit, që na prin drejt dritës shndërruese të Pashkëve.

Mesha nuk ka përfunduar. Nuk përfundon këtu….

Besimtarët mund të rrëfehen. Meshtarët i presin në rrëfyestore!

E i presin për t’i ngushëlluar sidomos, kur humbasin njeriun e dashur! Nuk do t’i mungojë kurrë njeriut të pushtuar nga dhimbja, ngushëllimi i Kishës, ngrohtësia e bashkësisë e, sidomos, dora e Zotit në çaste të tilla të dhimbshme, edhe pse nuk mund të kremtohen Meshët e dritës.

Sot, më shumë se kurrë e ndjejmë  në shpirt se i përkasim një familjeje të vetme njerëzore, gjë që kërkon të shikojmë larg, të shembim çdo mur, sidomos atë të individualizmit e të kërkimit të shpëtimit vetëm për vete!

Kryeipeshkvi i Monreales u shpreh afërsinë e tij atyre, që u prekën nga virusi e edhe familjarëve, të moshuarve të vetmuar e edhe atyre, që pësojnë pasojat e kësaj krize në punën e jetën e përditshme…

Po Mesha nuk përfundon këtu! Me mijëra njerëz shërbejnë çdo ditë, duke mbartur mbi shpatulla kryqin e rëndë të sëmundjes së të tjerëve. Përballojnë lodhje e frikë, për t’i shërbyer shëndetit të tjetrit, me rrezikun që ta humbasin të vetin.

Mesha nuk ka përfunduar: ajo zgjatet pambarimisht me lutje planetare, që e ndihmojnë njerëzimin ta njohë më mirë fytyrën e Zotit të cilit, në këto ditë tragjike, i drejtohen me gjithë shpirt për ndihmë!

Zoti është Atë i pasur me mëshirë e nuk mund të mos kujdeset për çdo bir, që vuan.

Zoti nuk ndëshkon, por fal e shpëton. Ai nuk e do vdekjen e mëkatarit. Dëshiron të pendohet e të jetojë.

Mesha nuk ka përfunduar…

Jezusi, Samaritani i mirë, nuk pushon s’u kujdesuri për dramat e njerëzimit e kërkon nga besimtari të njëjtin kujdes. Kërkon që secili nga ne të bëhet i afërt me atë, që të afërm nuk ka! E Samaritan i Mirë është çdo njeri, që ndalet pranë tjetrit, që vuan, preket në shpirt nga dhimbja e të afërmit dhe   e ndihmon në çastin kur ka më shumë se kurrë nevojë për ndihmë.

Mesha vijon…Krishti vijon të flijohet për ne.

Mesha nuk ka përfunduar - shkruan kryeipeshkvi i Monrealit, Michelle Pennisi, duke iu drejtuar secilit prej nesh!

Po përfundojmë me një porosi, nga një libër i vjetër uratësh në gjuhën shqipe, ku gjetëm këtë fjalë, që në festën e Zemrës së Krishtit, e përherë, posaçërisht nëe kohë të vështira, Jezusi na thotë: “ M’a çil zèrmen o njerì: Dishroj me ndejë me ty”! Jezu Krisht, zemërbutë dhe i përvujtë. Bëj që zemra ime t'i përngjajë Zemrës sate!".

14 mars 2020, 12:39