Kërko

Vatican News
Trasfigurazione di Cristo - il vangelo della domenica Trasfigurazione di Cristo - il vangelo della domenica 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Kreshmëve “A"

Pjesa e Ungjillit tё kësaj së diele na fton të ecim bashkë me Krishtin drejt malit të shenjtë për të kundruar fytyrën e tij të lavdishme. Duke vështruar Jezusin e shndërruar në shkëlqimin e lavdisë së tij mbi malin Tabor, ne nxitemi e mbushemi me shpresë që edhe ne do t’ia arrijmë lavdisë së jetës së përjetshme e do të shndërrohemi bashkë me Të në amshim.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së dytë të kohës së Kreshmëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së II të Krezhmëve ‘A’

Leximet biblike të kësaj së diele të dytë të Kreshmëve  na flasin për dëftimet e mëdha të Zotit: dëftimin e marrëdhënies së besnikërisë që e lidhë Zotin me njeriun në personin e Abrahamit, dëftimin e cakut e te fatit të lavdishëm në Krishtin, që “na ka shndërruar në korpin e vet të lavdishëm” dhe së fundi dëftimin e hyjnisë së Jezu Krishtit “Birit të zgjedhur” në Shndërrimin mbi Malin Tabor. Kështu, pas tundimeve të Krishtit, për të cilat foli Ungjilli i dielës së kaluar, dielës së parë të Kreshmëve, në këtë diele të dytë, pjesa e Ungjillit na paraqet Shndërrimin e Krishtit .

Pjesa e Ungjillit e liturgjisë së Fjalës së Zotit e dielës së Dytë të Kreshmëve na flet mbi Shndërrimin e Jezusin. Kjo pjesë ungjillore nga Mateu, na kujton se kur Jezusi, merr me vete mbi një mal të lartë Pjetrin, Jakobin e Gjonin, shndërrohet: fytyra e tij dhe personi i tij u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu.

Shndërrimi është ngjarje që lidhet ngushtë me lutjen: duke u lutur, Jezusi shkrihet në Hyjin, bëhet një me Të, bashkon vullnetin e tij njerëzor me vullnetin e dashurisë së Atit, e kështu pushtohet nga drita e duket ai që është në të vërtetë: “Ai është Hy, Dritë prej Drite”.

Veshja e bardhë e flakëruese e Jezusit, na kujton rilindjen tonë në pagëzim, parashijim i jetës qiellore. Kjo është pika më rëndësi, madje edhe vendimtare: shndërrimi i Jezusit është përshpejtim i ngjalljes, por kjo të kujton vdekjen. Jezusi u tregon Apostujve lumninë e tij, që të kenë forcë për ta përballuar shkandullin e Kryqit e të kuptojnë se duhet të durojnë shumë mundime për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit.

Ungjilli na kujton se Shndërrimi i Jezusit ka qenë thellësisht një eksperiencë lutjeje. Në të vërtetë, lutja e arrijnë kulmin e vet, e prandaj bëhet burim i dritës së brendshme, kur shpirti i njeriun aderon me atë të Hyjit e vullnetet e tyre shkrihen aq sa bëhen një i vetëm. Kur Jezusi ngritët mbi mal, zhytet në kundrimin e planit të dashurisë së Atit, i cili e pati dërguar në botë për ta shpëtuar njerëzimin. Gjithnjë Ungjilli i kësaj së diele na kujton, më pas, zërin e Atin Hyjnor, që jehon nga lart, duke shpallur se Jezusi është Biri i Tij i dashur e duke shtuar për ne: “Dëgjojeni!”. Për të hyrë në jetën e amshuar duhet dëgjuar Jezusi, duhet ndjekur në udhën e kryqit, duke pasur në zemër, ashtu si Ai, shpresën e Shndërrimit, do të thotë shpresë e Ringjalljes.

                                                                        Liturgjia e Fjalës së Zotit

Lexim prej Librit të Zanafillës (Zan 12, 1-4)

Zoti i tha Abrahamit: “Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së babait tënd në drejtim të një vendi që do të ta tregoj. Prej teje do të bëj një popull të madh dhe do të të bekoj. Do ta bëj të madh emrin tënd. Ti do të jesh bekimi. Do t’i bekoj ata që do të bekojnë ty, do t’i mallkoj ata që do të mallkojnë ty. Në ty do të bekohen të gjitha fiset e tokës!” Atëherë Abrahami u nis sikurse i kishte urdhëruar Zoti dhe me të shkoi edhe Loti. Abrami kishte shtatëdhjetë e pesë vjet, kur u çua prej Harranit. Fjala e Zotit!

Psalmi 33 (32)
Ref: Na e jep, o Zot, mëshirën tënde,
sepse në ty shpresojmë

E drejtë është fjala e Zotit,
e të gjitha veprat e tija me besë.
E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.
____________________________________________________

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
_____________________________

Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.
___________________________________________________


Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut  (2 Tim 1, 8-10)

Fort i dashur, mos të vijë marre ta dëshmosh Zotin tonë as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit, i cili na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë – jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha qysh prej amshimit në Jezu Krishtin dhe u dëftua tani me ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Ky e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit. Fjala e Zotit!

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë:
“Ky është Biri im: Atë dëgjoni!”
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut (Mt 17, 1-9) 

Në atë kohë Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, e i çoi në vetmi në një mal të lartë. Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre u dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrijmë këtu. Nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”
E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shnditshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!” Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën për së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm.
Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi u urdhëroi: “Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.” Fjala e Zotit!

06 mars 2020, 16:53