Kërko

Vatican News
Mesha në kohën e koronavirusit Mesha në kohën e koronavirusit 

Kontaktet në çaste të vështira. Sot, lutemi në rrjet

Nisma të shumta e të ndryshme për të ndjekur meshën edhe në kohën e koronavirusit, për të marrë pjesë në lutje e për t’u ndierë afër, pavarësisht nga distancat.

R.SH. - Vatikan

Të krishterët nuk dorëzohen para koronavirusit e dëshira për t’u lutur së bashku – larg, por të bashkuar – fiton mbi barrierat e moshës dhe mbi aftësitë e pakta për të përdorur internetin e rrjetet shoqërore, duke nxitur fantazinë e krijimtarinë, përtej çdo imagjinate. E kështu, të krishterët gjejnë mënyra të ndryshme për t’i qëndruar pranë njëri-tjetrit në lutje, edhe pse nuk mund të takohen, pasi duhet shmangur përhapja e Covid-19.

Disa lidhen me platformën “Zoom” për të marrë pjesë së bashku në meshë, duke u parë nga larg, por duke e ruajtur ndjenjën e bashkësisë dhe të përkatësisë në një popull të vetëm, me shumë fytyra e histori. Të tjerë e ndjekin meshën në Youtube e në Facebook. Të tjerë akoma, përmes televizionit, ose portaleve të ndryshme. Virusi nuk e ndal dot fenë. Madje, njerëzit bëjnë gjithça për t’u lutur së bashku gjatë Engjëllit të Tënzot, ose për të thënë Rruzaren. Po përvijohet kështu një asamble e madhe besimtarësh, që luten të bashkuar në rrjet.

Mesha “së bashku”

 Jezuiti, atë Arturo Elberti, këto ditë po e kremton meshën në platformën “Zoom”, me të cilën lidhen edhe besimtarë të shtyrë në moshë. “Kjo, për mua, është një përvojë shumë e thellë – tregon ai, në një intervistë për Vatican News – që nuk përfshiu vetëm ndjenjat, por edhe më shndriti e më ndihmoi të jetoj realitetin e Eukaristisë. Duke mos mundur të kremtoj me popullin e Zotit, prania, edhe ‘virtuale’, përmes kësaj platforme, më lejon ‘ta përqafoj’ gjithë situatën, gjithë njerëzit, që jo vetëm marrin pjesë në atë çast – sepse, në fund të fundit, unë arrij ta shoh grupin, prandaj, është njëlloj sikur të ishin aty – por edhe të gjithë të sëmurët, që janë larg e nuk mund të jenë të pranishëm”. Atë Elberti u bën kështu jehonë, fjalëve të Papës në Engjëllin e Tënzot të së dielës për krijimtarinë e meshtarëve, të cilët bëjnë ç’është e mundur për t’u qëndruar pranë njerëzve, në këtë çast të vështirë.

Rëndësia e kungimit shpirtëror

 Për atë Elbertin është tejet e rëndësishme t’u qëndrohet pranë shtresave më të ligshta të popullsisë, si të moshuarve, që kanë nevojë të mbështeten e të ngushëllohen nga Zoti, nga prania e Tij. Përsa i përket situatës, që po jetojmë, meshtari jezuit vë në dukje se në këtë kohë, që përkon me Kreshmët, Zoti na fton të kthehemi tek Ai i Lumi, ta kërkojmë, sepse, edhe kur jo gjithçka shkon ashtu siç duam, një gjë është e sigurt: Zoti na mbështet të gjithëve me atësinë dhe me mëshirën e Tij. Nënvizon edhe vlerën e kungimit shpirtëror. “Kur kremtoj me besimtarët, heshtim për një çast – unë mund ta marr kungimin sakramentor – e pasatj, lutemi për kungimin shpirtëror”, tregon atë Elberti, duke kujtuar vlerën e madhe, që ka për Atin Qiellor, dëshira për të marrë pjesë në Eukaristi.

17 mars 2020, 13:21