Kërko

Vatican News
San Nicola di Flue  San Nicola di Flue  

Më 21 mars kalendari kishtar përkujton shën Nikollën nga Flye

Lutja që thoshte më shpesh shën Nikollën nga Flye ishte: “O Zoti im e Hyji im, largoi nga unë të gjithë ata që më largojnë nga Ti, më çliro nga vetvetja e bëj që të kënaqem vetëm me Ty!”. Na la si kujtim thënien aq aktuale: “Zoti është paqe e këtë paqe s’ka forcë në botë që të shkatërrojë!”.

R.SH. - Vatikan

Më 21 mars kalendari kishtar përkujton shën Nikollën nga Flye, pajtor qiellor i Zvicrës, babai i një familje, oshënar (Flue 1417 –Sachseln 21 mars 1487). I njohur edhe emrin  Vëllai Klaus, shenjti gëzon një popullaritet të madh në Zvicër, vend që e ka zgjedhur si Pajtor Qiellor.

Klausi lindi në vitin 1417 në Flueli, pranë Sacheseln, në kantonin e Obwaldenit. Ndonëse që në moshë të njomë ndjeu thirrjen për jetë eremitë, kundër dëshirës së tij, iu desh të kryente disa detyra të rëndësishme civile, si kryetar i bashkisë së Sachenselnit, këshilltar i gjykatës kantonale, deputet e ushtarak.

Në vitin 1445 u miratua me Dorotea Wtìyss; nga ky bashkim i lindën pesë djem e pesë vajza: njëri nga djemtë u bë famullitari i Sachselnit, ndërsa një nga nipat, vdiq si shenjtë. Shumë shpejt, pa marrë parasysh kundërshtimet e së shoqes, së cilës nuk i pëlqente dëshira e tij për jetë vetmitar, hyri në një bashkësi rregulltare alsasiane që njihej me emrin “Miqtë e Zotit”. Më pas u tërhoq në Kristerli-Apl, ku nisi një jetë shenjte. Ekzistojnë disa dëshmi, sipas të cilave shenjti për 19 vjet me radhë u ushqye vetëm me Eukaristinë, gjë që ngjalli kureshtjen e të afërmve e të largëtëve.

Atëherë ai u detyrua të gjente strehë në Ranft, pranë një humnere vetmitare. Dilte nga shpella ku jetonte, vetëm për të shkuar në Meshë e për t’i ardhur në ndihmë atdheut të vet, në çaste kritike. Kështu, në vitin 1473, kur Austria kërcënonte fatet e Zvicrës, pastaj më 1481 e 1482, kur u ndje rreziku i shpërthimit të luftës civile. Me lutjet e tij, me praninë e tij, me këshillat, me paqen shpirtërore që rrezatonte si rezultat i lëshimit të plotë në dorë të Zotit, ia doli mbanesh të siguronte bashkëjetesës paqësore të grupeve rivale, me interesa të ndryshme ekonomike e politike. Rezultatet që u arritën me ndërmjetësinë e tij ishin aq të mëdha, sa meritoi emrin “Profet e Atë i Atdheut”.

Lutja që thoshte më shpesh ishte: “O Zoti im e Hyji im, largoi nga unë të gjithë ata që më largojnë nga Ti, më çliro nga vetvetja e bëj që të kënaqem vetëm me Ty!”. Si e vëzhguan për shumë kohë nga larg, të afërmit u bindën për vlerën e dëshmisë së tij e të lutjes së së tij. Atëherë i ndërtuan një eremitazh e një kapelë, e cila u shugurua në vitin 1469. Atje vijoi të jetonte e të lutej shën Nikolli i Flyes, një nga mistikët më në zë të të gjitha kohërave. E atje edhe vdiq në ditën kur po mbushte 70 vjet, më 21 mars 1487.

Në vitin 1501 Enrico Wolfin hartoi biografinë e tij të parë mbi bazën e fakteve të mbledhura, nën betim, nga dëshmitarë që kishin pa me sytë e tyre e kishin dëgjuar me veshët ngjarjet e mrekullueshme të jetës së Shenjtit. I lum u shpall në vitin 1669: shenjt – nën papninë e Piut XII në vitin 1947. Na la si kujtim thënien aq aktuale: “Zoti është paqe e këtë paqe s’ka forcë në botë që të shkatërrojë!”.

21 mars 2020, 13:14