Kërko

Vatican News
 Udhë në shkretëtirë Udhë në shkretëtirë 

Udha e nevojshme e Kreshmëve

Filluam udhën e Kreshmëve! Nuk është udhë e shktruar me lule, por me ferra! Udhë vetëflijimi. Në emër të Krishtit të ngjallur. E të ringjalljes sonë!

R. SH. - Vatikan

Beslidhja e Re, duke treguar historinë e popullit të zgjedhur, të çliruar nga skllavëria e Egjiptit, e paraqet udhën e shkretëtirës si udhë të nevojshme. Për popullin e  vet, Zoti nuk zgjedh udhë të lehta, udhë të drejta. Zgjedh udhën më të gjatë, më të lodhshme, më të rrëpirtë! E çon popullin e vet në shkretëtirë. Zoti, me krahun e Tij të pushtetshëm, e çliron popullin, e ndan detin më dysh e i prin në shkretëtirë, larg dëfrimeve.

E, pasi i duket si Zot - i vetmi Zot, që të çliron nga skllavëria e idhujtarive -  dëshiron të hyjë drejt e në zemrën e popullit të vet, që të mund ta provojë atësinë e tij në një lidhje intime, lidhje dashurie, të jetuar me besim e në liri të plotë. “Unë jam Zoti, Hyji yt, e ti je populli im!” – vijon t’i kujtojë Zoti popullit të vet në shekuj.

Në Besëlidhjen e Re, Ungjijtë tregojnë se Jezusi - para se të fillonte jetën publike - u tërhoq në shkretëtirë, për të ndenjur zemër për zemër me Atin, në dashurinë e Shpirti Shenjt. E ky është edhe Lajmi i mirë; ky, Ungjilli që duhet t’ia kumtonte botës: “Ai erdhi t’i mbledhë bijtë, që të jenë një gjë e vetme me Hyjin Atë, në bashkim me Shpirtin Shenjt!”.

Shkretëtira është vend i nevojshëm, vend ku bijtë duhet të mësohen t’i besojnë Atit. Është udhë: këtu Zoti e tregon dashurinë për bijtë, që ecin me besimin në Fjalën e Tij.

Kisha u propozon të krishterëve ta përshkojnë deri në fund të fundit Rrugën e Kreshmëve, ecjen nëpër shkretërirë, nëpër shtegun e heqjes dorë nga gjithçka është e panevojshme, gjithçka që të largon nga Zoti e  nga të tjerët,  me qëllim që dashuria e Krishtit të vdekur e të ngjallur të bëhet stil i jetës së përditshme të secilit prej nesh!

29 shkurt 2020, 11:12