Kërko

Vatican News
Giornata contro la tratta, Bakhita Centre for Empowerment, Lagos,   2019.10.18 Giornata contro la tratta, Bakhita Centre for Empowerment, Lagos, 2019.10.18 

Më 8 shkurt, Dita e Lutjes kundër Trafikimit të Njerëzve

Në Romë, në Ditën e Lutjes kundër Trafikimit të Njerëzve, që do të kremtohet më 8 shkurt, besimtarët do të mblidhen në mbrëmësore së bashku me zv.Sekretarin e Seksionit për Migrantët dhe Refugjatët në Dikasterin vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kardinalin jezuit Michael Czerny. Të dielën, më 9 shkurt, procesioni drejt Shën Pjetrit. Nisma “social” me hashtagun #PrayAgainstTrafficking.

R.SH. - Vatikan

“Së bashku kundër trafikimit”. Kjo është ftesa e Kishës Katolike për të bashkuar forcat që të përballohet sfida e shfrytëzimit dhe e trafikimit të njerëzve – problem, që prek mbi 40 milion vetë në mbarë botën. Rasti jepet nga Dita e dytë botërore e Lutjes dhe e Reflektimit kundër Trafikimit, që do të kremtohet më 8 shkurt, në përkujtimin liturgjik të shën Bakitës, murgeshë me origjinë sudaneze, simbol universal i angazhimit të Kishës kundër skllavërisë.

Veprimtari, më 8 e 9 shkurt

Komiteti Ndërkombëtar i Ditës Botërore, koordinuar nga Talitha Kum, Rrjeti i rregulltareve kundër trafikimit, në bashkim me Kongregatën për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, me Seksionin e Migrantëve dhe të Refugjatëve në Dikasterin vatikanas për shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, me Caritas Internationalis, me Bashkimin Botëror të Organizatave Femërore Katolike, me Grupin e Punës kundër trafikimit dhe më Shërbimin e Jezuitëve për Refugjatët, ka organizuar dy ngjarje për këtë rast, të cilat do të zhvillohen në Romë, më 8 dhe 9 shkurt.

Mbrëmja e lutjes në Bazilikën e Shna’Ndout

Takimi i së shtunës, 8 shkurt, do të fillojë në orën 18.30, me mbrëmjen e lutjes në Bazilikën e Shna’Ndout (via Merulana 124/B), kryesuar nga kardinali Michael Czerny, zv.sekretar i Seksionit të Migrantëve dhe Refugjatëve. Ndjeti është ai i Papës Françesku për muajin shkurt: “Të lutemi që britma e vëllezërve tanë migrantë, rënë në duart e trafikantëve të paskrupull dhe viktima të trafikut, të dëgjohet e të merret parasysh”. Gjatë takimit, ku protagonistë do të jenë kryesisht të rinjtë, do të dëgjohen dy dëshmi trafikimi.

9 shkurt, procesion sensibilizimi

Ndërkaq, të diel, 9 shkurt, do të mbahet një procesion sensibilizimi, që do të fillojë në orën 10.00 nga Kështjella e Shën Engjëllit (Castel Sant'Angelo) dhe, do të përfundojë në Sheshin e Shën Pjetrit në orën 12.00, për të marrë pjesë në lutjen e Engjëllit të Tënzot, bashkë me Papën Françesku.

#PrayAgainstTrafficking

Për të promovuar rëndësinë e lutjes dhe të veprimit të përbashkët kundër trafikimit të njerëzve, Komiteti Ndërkombëtar përdor edhe rrjetet shoqërore, ku me hashtagun #PrayAgainstTrafficking, të gjithë mund të publikojnë fotografi, të japin mendime dhe të tregojnë për çastet më të rëndësishme të kremtimeve në krejt botën.

Qëllimi i Ditës kundër kësaj plage të hapur, është t’i ftojë të gjithë të luten dhe të reflektojnë kundër tregtisë njerëzore, një ‘tragjedi që nuk i takon vetëm të kaluarës”. Kisha nënvizon se plaga e Trafikimit të Njerëzve vijon edhe në ditët tona, me pasoja të rënda mbi miliona njerëz, posaçërisht gra e fëmijë.

Shën Jozefina Bakhita, të cilën Kisha katolike e feston nesër më 8 shkurt, skllave sudaneze e liruar e, më pas, murgeshë kanosiane, shpallur shenjte në vitin 200, në shtegtimin e saj mbi këtë tokë, që luftoi në vijën e parë, pikërisht, të frontit kundër tregtimit të grave, kaloi nga skllavëria, në liri.

Figurë prekëse ajo e Shën Jozefina Bakhitës, të bën të reflektosh për këtë plagë të tmerrshme, e cila edhe sot e kësaj dite i shndërron në skllevër miliona njerëz nëpër botë: gra, fëmijë e burra. Tregtia e njerëzve, pohojnë motrat rregulltare kanosiane që janë në ballë të luftës kundër këtij fenomeni, e plagos dinjitetin e njeriut, i shpërfytyron viktimat, bren jetë dhe histori individuale e familjare.

Përkujtimi i kësaj Dite është edhe një ditë për t’i këputur vargonjtë e frikës, të padijes, të mohimit e të indiferencës, që bashkëpunojnë në heshtje me këtë fenomen të tmerrshëm, me nxjerrjen e njeriut në treg.

Kisha, pra, na propozon shembullin e një gruaje të kushtuar, Shën Jozefina Bakhitën, si mike në këtë udhë e në këtë betejë; e kjo na kujton sa rëndësi ka të jesh e të veprosh me Zotin, edhe kur është fjala për t’iu kundërvënë një fenomeni kaq të turpshëm e kriminal, siç është tregtia e njerëzve.

06 shkurt 2020, 16:02