Kërko

Vatican News
Martiret e Kishes ne Shqiperi Martiret e Kishes ne Shqiperi 

At Marin Sirdani, françeskan e historian, në përvjetorin e vdekjes

Më 14 shkurt kujtojmë Atë Marin Sirdanin, historian, folklorist e shkrimtar, mbledhës i pasionuar i legjendave, këngëve e gojëdhanave, gjurmues i fjalëve të rralla e toponimeve, autor i veprave “Skanderbegu mbas gojëdhanash”, “Për historinë kombëtare”, “Shqypnia e shqiptarëve” etj. Kishte lënë në dorëshkrim disa mijëra faqe gjatë një periudhe 50 vjeçare punë të palodhshme, por ato u dogjën e u zhdukën nga kriminelët e Sigurimit të Shtetit.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik, përkujtojmë Atë Marin Sirdanin, françeskan e studiues i madh i historisë, në përvjetorin e vdekjes.

Marin Sirdani, historian, folklorist e shkrimtar, mbledhës i pasionuar i legjendave, këngëve e gojëdhanave, gjurmues i fjalëve të rralla e toponimeve, autor i veprave “Skanderbegu mbas gojëdhanash”, “Për historinë kombëtare”, “Shqypnia e shqiptarëve” etj. Kishte lënë në dorëshkrim disa mijëra faqe gjatë një periudhe 50 vjeçare punë të palodhshme, por ato u dogjën e u zhdukën nga kriminelët e Sigurimit të Shtetit.

Atë Marin Sirdani lindi më 15 janar 1885 në Guci, studioi në kolegjin Françeskan në qytetin e Shkodrës. Studimet filozofike e teologjike i kreu në Vjenë, kohë kur Atë Marini studioi së shumti edhe historinë, lëndë me të cilën do të merrej për gjatë tërë jetës së tij. Më 1909 do të kthehej në Shqipëri, ku do të vijonte misionin e tij meshtarak në bashkësi të ndryshme kishtare famullitare si në Kthellë, Pishkash, Bazë-afër Burrelit e Matit, kohë e zona të cilat ai do t’i shfrytëzonte për botimin pak vite ma vonë të veprës “Skenderbeu simbas gojëdhanave”.  Vepër kjo e cila plotësonte boshllëqet e detajet për të cilat e kishte porositur françeskani i jashtëzakonshëm Atë , mbi gjithë traditën popullore, toponomastikën dhe legjendat mbi Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun. 

Atë Marini nga Pishkashi transferohet me mision meshtarak si mësues në Troshan. Mbas Luftës së Parë Botërore fillon aktivitetin si shkrimtar e historian. Në vitin 1922 e thërrasin në Shkodër, pranë Kolegjit Françeskan, ku bashkë me Atë Gjergj Fishtën e Imzot e shumë intelektualë të shquar të Shkodrës, çelin të parin lice me cikël të plotë me emrin “Illyricum”. Atë Marini jepte aty Histori dhe Doktrinë të Krishterë; në të njëjtën kohë u bë strumbullari i një rrethi intelektualësh të rinj të fushave të ndryshme shkodranë. 

Profesori i ditur pas pak kohe u emërua Drejtor i Gjimnazit. Ndërkohë shkruan veprat "Skenderbegu mbas gojdhanash" më 1926 (kryevepra e tij, ku përmblodhi mbetjet e fundit të kujtimeve popullore arbnore për heroin e Kombit), "Për historinë kombëtare", monografia "Shqypnija e Shqyptarët" më 1941, "Vepra kombëtare e Françeskanëve", si dhe legjenda që sot janë në thesarin e kësaj fushe në revistat  e “Leka”, ashtu edhe në shumë gazeta të kohës, pse ai kishte aftësinë e rrallë të komunikonte me të gjitha shtresat, ashtu edhe me intelektualë të prejardhjeve të ndryshme krahinore e fetare. 

Në kohën kur qe bërë Epror (Guardian) i Kuvendit të Françeskanëve në Lagjen Arra e Madhe në Shkodër, dëshmoi interesim të jashtëzakonshëm e aftësi po të tilla në komunikimin me të rinjtë duke treguar interesim e bërë deri sakrifica, që më se një herë i shkaktuan edhe telashe, për arsimimin dhe edukimin e të rinjve. Mbi rolin e vlerave të Atë Marin Sirdanit si edukator më së miri rrëfejnë fjalët e Atë Gjergj Fishtës: “Rinia e Shkodrës nuk e di ende ç’personalitet i shquem gjendet në mes tyne”.

Veprave të përmendura të Atë Marin Sirdanit i shtojmë "Historija e provincës françeskane në Shqipëri" si dhe mjaft shkrime e vepra tjera botuar në "Hyllin e Dritës" si për shembull "Për çka fajësohet Skënderbegu, Kontributi i katolikëve në Shqipëri, Nora e Kelmendit, Varri i Skënderbeut" si dhe botime mbi çështje të tjera . Atë Zef Pllumi pohonte se janë afër 5 apo 6 vëllime gati për t’u botuar me këto shkrime të Atë Marinit mbi çështje të rëndësishme kombëtare e kishtare të shqiptarëve. 

Atë Marin Sirdani pësoi edhe përndjekje të ashpër, u burgos për dy vjet vetëm pse ishte françeskan e prift i Kishës katolike.  Vdiq më 14 shkurt në vitin 1962 në Shkodër pranë Kuvendi françeskan te Arra e Madhe, pesë vjet para se feja të ndalohet në Shqipëri, e kujtojmë se ishte vëllai i folkloristit, etnografit e martirit të krishterë në Shqipëri, dom Aleksandër Sirdanit.

Mbi figurën e veprën e françeskanit studiues të historisë së kombit e të kishës shqiptare, të dëgjojmë Agron Gjekmarkajn nga Tirana...

Mbi figurën e veprën e françeskanit studiues të historisë së kombit e të kishës shqiptare, të dëgjojmë Agron Gjekmarkajn

                      *****************

Atë Marin Sirdani: Histori dhe Fakte

Porsa u permenden amnisti e konçesjone prej perfaqsuesve të Turkis, Dedë Gjo Luli n’ emen të Malcorve u pergjegj se as nuk do tu xishin në gojë fjalë te atilla. “Turku, thojte aj, kundra çdo tagrit nderkomtar kishte hi e shkretnue vende që s’ ishin të tijat. Malet tona qysh me Kongresin e Berlinit edhe prej Turkut i kjenë lshue Malit të Zi. Na me armë në dorë kemi ruejtë lirin tonë jetike perballe Malit të Zi e tëTurkis e nuk jemi ba kurr të tyne. Sa pse na, si popull i vogel, jemi kenë ngushtue me ndejë në lidhje miqsore me Turk kundra anmiqve të perbashkët, e kemi ba vetem kur na ka interesue, por kurr me zor’t. Jemi kenë perherë të lirë e autonoma nder kto male, prandej kurdo qeverija turke ka me dashtë me shtrue kuvend me ne, s’do të permendin amnisti e konçesjone, por autonomi, e ket jo vetem per ne, se na e kemi pasë edhe mandej, por per mbarë Shqypnin.”

Fjalët e theksueme prej kryetarit të kryengritsve u vran veshin perfaqsuesve të Turkis, e tuj e dijtun se qeverija e tyne nuk ishte kurrkund gati me dhanë nji autonomi aq të hapët, u dan pa muejtë me perfundue kurrgja.

Fuqit e Mdha prej frigës mos të ngatrroheshin Mali i Zi e Turkija, e urdhnuen Malin e Zi me qitë jashta kufinit të gjith kryengritsit. Lufta me gjithshka vijoj poené edhe me ma furi deri nder ditët e para të gushtit, por atëherë, tuj e pa malcorët se ishte e kotë per nji herë me folë per Shqypnin mbarë, mbasi nuk luejte kush per së gjalli, ran në godi me Turki me kto kondita:

l) Me dhanë amnisti të pergjithtë;

2) Me u lanë armët;

3) Mos me iu perzie në kanun, fe e zakone;

4) Me u çilë shkolla shqype në seicillin bajrak;

5) Me u pague damet e luftës;

6) Me u dhanë bereqeti i njaj vjeti.

Ky kje perfundimi i njaj luftës së pergjakshme të sa muejve. Verte malsorët nuk muejten me ia dalë qellimit në skaj, por mbrrijten me ia mbushë menden Turkis se me shqyptarë nuk u luete, e formuen opinjonin publik n’ Europë se edhe shqyptarët meritojshin lirin komtare si popujt tjerë të Ballkanit.

Pajtimi i Malsis me Turki kje sa per faqe, pse edhe malsorët kishin mbrrijtë me kuptue se pshtimi i vertetë do t’ishte vetem atëhere kur t’ u trajtote nji Shqypni e lirë. Pritshin prandej rasen me pertri të pergjithtë. Me 22 Qershuer 1912 malcorët e Bregut të Matës kjenë lajmue se shi m’at ditë do të kalojte andej Kajmekani i Lezhes me 500 asqer, e mbasi pritshin rasen me u kacafytë me ushtri turke, u mueren vesht me shoqishoqin e dan me ia nisë pushken të dalë si të dalë. U ba nji luftë pak orësh, por e pergjakshme. Kajmekani mbet dekun me 187 asqer, prej malscove mbeten dekun e varrue 19 vetë. N’ at luftë u dan në shej Gjeto Coku me të vllan, Deden, Pjeter Sokoli i Llesh Nikë Dakës i quejtun prej disa “Leonida i Bregut të Matës”. Plaçka që mueren n’ at ditë permbahej në katerdhetë kual e mushq të ngarkuem me fishekë, mitroloza e nozull ushtrije. Me ket hap të bâm kundra qeveris turke, malcorët u bajten me rob e robi e gja e u rrasen mbrenda kufinit të dymdhetë bajrakve të Mirditës Ky guxim i diftuem prej malsorve u muer me simpati prej shumkuj e menjiherë u bashkuen te Kuvendi françeskan i Rrobigut krent e Kurbinit e disa persona me randsi të krahinës së Krues e të Tiranës, Avdi Beg Toptani e Gjin Pjetri i Skurajve, posë tjerve, dhanë shpresë të madhe per nji bashkim të vertetë ndermjet të dy elementave, kristjan e muhamedan. Prodhimi i ksajë lidhje kje e çuemja e Avdi Toptanit e të Kapidan Marka Gjonit në Kongres të Shkupit, dhe msymja e Lekve me ngrehë flamurin komtar në Durrëc, por të dyja të daluna pa dobi. E para pse në Shkup delegetent tonë nuk gjeten ambjentin e gatuem per me lypë nji autonomi e ma pak nji pamvarsi; dhe e dyta mbaroj tuj ba fli disa atdhetarë në Rushkull, shi në fund t’Erzenit. Kta kjenë Kolec Marku, Gjokë Doda, Zef Harapi e gjashtë vetë të tjerë; Dedë Coku kje varrue let, e Llesh Nikë Daka, hini në vorr me 29 Gusht, prej tri varrve që pat marrë at ditë. Por edhe kundershtarët e paguen shtrejt tradhtin pse mbeten tetë të dekun e kater të varruem. Kjo vllavrasje, shi në nji tokë ku ishte nisë nji bashkim elementash, e ma fort pse u xu e shkakëtueme prej ndonjanit nder Toptaj, si edhe perfundimi i paknaqshem i Kongresit të Shkupit, ringjalli mendimin e kundershtimit që vjeten perpara kishin pasë prej muhamedanve shkodranë, e fashiti çdo entuzjazëem per kahë levizjet komtare. Nder tjerë Emzot Serreqi e Emzot Doçi u munduen me e fashitë at pabesim ndermjet të dy elementave, por ishin fakte teper të freskta e nuk u duel me qetsue zemrat e pezmatueme, prandej paten formulue nji “memorandum” fort me randsi por delegetent e krahinës së Shkoders nuk e pan me udhë as m’ e paraqitë n’ at Kongres, mbasi nuk e gjeten ambjentin në favor t’autonomis.

Kshtu tuj u gjetun Shqyptarët të dam mbeten ndermjet dy zermoreve pa dijtë kahë me ia mbajtë. Disa u vun me perkrahë Turkin, disa Bal1kanasit, e tjerë u struken. Ushtrija turke e pagatueme per nji luftë t’ atille u dermue gjithkahë, e Ballkanasit, ta pershkuen vendin tuj ba mizori të çuditshme. Kto ngjarje ia mbushen menden shqyptarve se, a atëherë a kurr, do të bashkoheshin e do të lypshin pamvarsin komtare. Atdhetarët mbrenda e j ashta Shqypnijet çëmos kurr perdoren te gjitha mjetet per pshtimin e Atdheut prej nji rrezikut aq të madh. Gjithkah mbledhje, gjithkahë marrveshje, e shum herë me krye në gershanë. Nji meritim të madh pa dyshim, si ndërmjetës mbledhjesh, perpjekjesh e marrveshtjesh, si atëherë, si edhe do vjet mbrapa, e pat P. Pal Dodaj.

Para ktij rreziku të madh komtar, Esad Toptani kje kshillue disa heresh prej disave të klerit katolik, e ikje premtue ndima e të gjith katolikve të vilajetit të Shkoders, mjaft të ngrehte në kthtjellin “Rozafat” flamurin e Shqypnis, por ky s’i vuni vesh kshillit të tyne, e ashtu s’u ba kurgja. Në ket nderkóh Ismail Qemali i Vlonës, i siguruem prej Austrije e prej Italije se do ta mprojshin, me një tubë atdhetarë duel në Vlonë e me 28 Nënduer proklamoj indipendencen shqyptare. Vepra e tij u prit me entuzjazem prej të gjith atdhetarve, e perbri tij, edhe katolikët, megjithse Shkodra, qandra morale e intelekëtuale e tyne, ishte e rrethueme, paten, nder tjerë, dy ftyra të shkelqyeshme: Emzot Nikollë Kaçorrin, që kje i pari nenkryetar i shteti të ri shqyptar, e Luigj Gurakuqin, që kje dora e djathtë e Ismail Qemalit.

Nuk ishte marrë vesht ene mirë çpallja e indipendencës, e me 2 Dhetuer bahet nji mbledhje e madhe te Kuvendi Françeskan i Rrobigut. Aty mueren pjesë posë krenve të dymdhetë bajrakve edhe Gjin Pjetri i Skurajve e Emzot Koleci e disa pari të Zadrimës. Emzot Doçi, që kryesojte at mbledhje, paraqiti projektin, që kje pelqye prej të gjithve, me mkambë nji qeveri të perkohshme nen kryesi të Prengë Pashës, e cilla do të permblidhte gjith njat vend, që shtrihet që prej Urës së Drojës e deri në Liqe të Plavës. Kshtu do të kshilloheshin me ba edhe të gjitha krahinat tjera të Shqypnis tuj cakëtue nji qeveri të perkohshme per me trajtue• të gjitha sbashkut nji lidhje të pergjithtë.

Nevoja e bashkimit komtar ndoshta ma fort se ngjeti u ndiete në Shkodem e rrethueme. Edhe aty mbrendë kishin fillue perpjekje e marrveshje, e Hasan Riza Pasha, kryekomandanti i ushtris turke, tuj e pa se Shkodra nuk do të mbette ma e Turkis, mbas kshillit të mikut të vet, P. Gjergj Fishtës, dau me e pshtue at gjytet prej Malit të Zi, tuj ngrehë në kshtjell flamurin e Shqypnis. Por në sa ishin tuj u ba lidhje e marrveshtje me Malsi me i ra gjith njiherit anmikut, Esat Toptani nshíni e mbyti at kryekomandant, e marrë aj krye sundimin, me 23 Prill ia dorzoi gjytetin Malit të Zi.

Mendimi i sajuem qysh me Hasan Rizan me i ra Malit të Zi e me pshtue Shkodren kishin marrë dhen: kushtrimi kishte dalë prej Oroshit të Mirditës e kryetar i lidhjes që do të bahej në Lezhe ishte vetë Abati i Mirditës, Emzot Doçi. Ket mbledhje të prekun per sa kóh nuk e ndaloj as të ramt e Shkoders në dorë të Malit të Zi, e ndër ditët e para të majit u mblodh kuvendi në Lezhe ku mueren pjesë Mirdita, Mati, Gjakova, Puka, Shala e Shoshi, Malcija e Madhe, Kthella, Kurbini, Bregu i Matës, Zadrima e tjera, që u lidhen besabesë me msy Malin e Zi e me e qitë prej Shkodert. Por per me e realizue ket të msym nuk u duel kóh, pse pa organizue planin e luftës Mali i Zi u bajtë, e me 14 Maj mueren dorzimin e atij gjyteti Ushtrit Nderkomtare. Kshtu Shqypnija u gjet e dame trish, pse posë Ismail Qemalit në Vlonë, me 13 të Korrikut edhe Esad Toptani kishte ngrehë nji qeveri në vedi në Durrëc. Fuqit e Medha atëherë mbasi kishin pasë vendue qysh në muejin e Dhetorit, 1912, në Konferencen e Londers, me e njoftë mbretni në vedi, emnuen Princ Wiedin per mbret të Shqypnis, i cili me 7 Marc 1914, erdhi në Durrëc e muer rejen e sundimit në dorë.

Po s’vonoj e Esad Toptani, ke dojte per fas-et-nefas me e ba Shqypnin të veten, shtini ngatrresa e pshtjellime, e antarët e tij, qitën m’anesh nderen komtare, permysen flamuri komtar e në vend të tij u vu në vendin tonë Turkija, e që prej Bregut të Matës e në Vlonë u fashit çëdo e mirë që kje nisë e vetem mbi kshtjiellin “Rozafat” valvitej ene flamurin komtar. Per me ndalue ket shkandull, kishin rranë në ndihmë të mbretit, posë tjerve edhe Prengë Pasha me ma se 10.000 katolikë nder të cilët edhe shum djelm zotnish Shkodret, por kje e kotë, pse kryengritja kishte marrë teper të hapët, e pse ishte rrezik me shtue ma fort anmiqsin ndermjet të dy elementave.

Në ket kóh, P. Gjergj Fishta, per shkak të shkrimeve që botojte në të perkohshmen “Hylli e Dritës”, tuj qitë në shesh qellimet e t’ interesuemve per ato ngatrresa, kje dnue per mergim.

Kto pshtjellime e ky pabashkim vijoj se vijoj edhe gjith kohen e luftës europjane, e dymdhetë bajrakët e Mirditës e do të Pukës kjenë shkretnue prej esadistavet. Nder të gjitha ato luftime, pos sa burrave tjerë, Gjon Shkurt Lufi i Selitës e Pal Ndue Berhani i Pishkashit, i lanë nam vedit e bajrakut të vet per kreshniki që diftuen.

Edhe bajrakve të Dukagjinit u tokoj në vjeten 1915 me psue shum. Të msym kta prej njaj ushtris së madhe të Malit të Zi u shtrenguen me qindrue. Lufta e bame në Qafen e Kolçit e ajo e Lugut të Shalës janë të rralla në historin tonë. E para, pse nji numer i vogel komite theu me dâm të madh ushtrin e madhe malazeze; dhe e dyta, pse shaljanët ban me ra në dorë 1500 ushtarë, e në shej robnijet me u pershkue të gjith nen armë. Para se të hijte ushtrija malazeze në Shalë, Mehmet Shpendi bashkë me do kren i duel perpara ushtris per me u marrë vesht me ta, por kta per me ngushtue vendin mos me u vu pushken i mueren me vedi me hi në Dukagjin. Mehmeti athere, megjithse e dijte vedin e shokët të shkuem, u çoj lajmin bajrakve që mos të mendojshin per jeten e tyne, por të kryejshin detyren tuj mprojtë vendin prej të huejve, e ashtu ky me gjith shokët e vet kje ba fli prej malazezve, posa krisen pushkët e para kundra tyne. Shpirti i ktyne dy luftave kjenë françeskajt P. Çiril Cani, famullitari i Shalës; P. Leonard Shajaku, famullitari i Nikajve; e P. Ber nard Llupi, famullitari i Rajës, të cilët jo vetem se nxiten popullin kundra Malit të Zi, por mueren pjesë, sikomita, nder të msymet ma të rrezikshmet.

Nuk âsht per ta qitë në harresë as aktivitetin e katolikve të Kosovës, ku s’bashkut me muhamedanë, nder çashtje komtare, kjenë edhe ata me gjith kler. Veprimet e P. Kelmend Mirajt në Pejë e të Dom Shtjefen Krasniqit në Gjakovë ene nuk janë harrue. Nder katolikë te asáj krahine u dan në shej kryetarët e komitës katolike: ZefI i Vogel, Pjeter Qeli, Pjeter Ramaja e Zef Gjin Doda. Atje u ban fli per atdhe, posë sa e sa katolikve, edhe dy françeskaj, P. Luigji Paliq e P. Shtjefen Kostantini Gjeçov.

Mbasi muer fund lufta europjane, u ba paqa, por kufijt e Shqypnis nuk ishin ene të siguruem. Propagandat e hueja ishin gjithnji në kambë e u dojte guxim e therori per me i dhanë fund atij shkandulli të sa vjetve. Do shqyptarë të shitun slavit kishin ba parti e dojshin me ia lshue Serbis n’ Ujë të Matës e perpjetë. Çeta serbjane perzietas me shqyptarë partizan të tyne kishin hi mrenda kufinit të Shqypnis e msyjshin Shkodren. Para ktij mendimit të ri rranen muhamedanët e katolikët e Shko ders , e bashkue me malsorë, u kundershtuen me armë në dorë derisa te e mbramja i shtyn pertej kufmit. Bashkë me popull luftoj shin kundra shkjaut edhe P. Çiril Cani, françeskan, e Dom Loro Caka. Ky i mbrami kje aj që kishte marrë pjesë edhe në të shumten e levizjeve komtare qysh në kohen e Turkut.

Vien me u dijt se edhe kur në vjetin 1921 Mark Bozhi, nenprefekti i Gucis, kishte ba per vedi Dukagjinin e mendojte me msy Shkodren, fjala e Emzot Shllakut e e P. Çiril Canit bani me e zhgatrrue at bashkim që kishin pasë lidhë me Serbi.

Por per me sigurue kufijt e pamvarsin shqyptare nuk mjeftote vetem arma, u dojte edhe penda. Edhe në ket pikë katolikët shqyptarë ia lanë dalë tjerve. Si prej viseve tjera të Shqypnis ashtu edhe prej krahinës së Shkoders, katolikë e muhamedanë, çojnë protestë mbas proteste në Lidhje të Komeve kundra atyne që dojshin me prekë në token shqyptare. Ma teper, ku në Lidhje të Komeve perflitej se nuk ishte mirë me e lanë Shqypnin shqimit të pamvarshme per shkak se tuj pasë hegjemonin në dorë muhamedanët, nuk do të mujte me perparue ekonomisht e moralisht nji shtet kostituejonal, kleri e populli katolik deklaruen, nepermjet Emzot Bumçit, që asokohet ishte kryetar i dergatës shqyptare para Konferencës së Paqes, se ata muhamedanët shqyptarë i mbajshin vllazen, e prandej me ta dojshin me e gzue Shqypnin. Kshtu edhe në vjetin 1921, kur çohet nji komisjon shqyptarësh katolikë e shkon në Gjenevë e lypë prej Lidhjes së Komeve, që Shqypnija e Eperme – në Mat e perpjetë mu qitte kanton i pamvarshëm në vedi, kleri katolik mënji protestoj telegrafisht kundra asaje kerkese edhe i deklaroj Lidhjes se Komeve se muhamedanin e mbajta vlla per kahe komsija e politikisht. Ket deklarate e banin edhe ne vjeten 1923 kur njifare Lambertit lypte prej Lidhjes se Komeve, që Shqypnija te dahej e te qeverisej ne kantone.

Atë Marin Sirdani

Marre nga http://rrezore.com/vellaznit-sirdani-v/ 

14 shkurt 2020, 12:19