Kërko

Vatican News
Kreshmët Kreshmët  

Kreshmët kohë e përgatitjes sonë shpirtërore

Jeta e të krishterit është jetë feje, e themeluar mbi Fjalën e Zotit dhe e ushqyer prej saj. Në provat e jetës e në çdo tundim, e fshehta e fitores qëndron në dëgjimin e Fjalës të së vërtetës e në mospranimin e vendosur të mashtrimit e të së keqes. Ky është programi i vërtetë e qëndror i Kohës së Kreshmëve: të dëgjojmë Fjalën e së Vërtetës; të jetojmë, të flasim e të veprojmë sipas së vërtetës e ta refuzojmë gënjeshtrën që helmon njerëzimin dhe e çon drejt të gjitha të këqijave.

R.SH. - Vatikan

Me të Mërkurën e Përhime kemi filluar periudhën e Kreshmëve, periudhën e një përgatitjeje të fortë shpirtërore për kremtimin e festës më të rëndësishme e kryesore të fesë së krishterë, Pashkët. Kisha na fton  t'i jetojmë Kreshmët si çast kthese në rrugën e dashurisë ndaj të afërmit e të së vërtetës së Ungjillit. 

Jeta e të krishterit është jetë feje, e themeluar mbi Fjalën e Zotit dhe e ushqyer prej saj. Në provat e jetës e në çdo tundim, e fshehta e fitores qëndron në dëgjimin e Fjalës të së vërtetës e në mospranimin e vendosur të mashtrimit e të së keqes. Ky është programi i vërtetë e qëndror i Kohës së Kreshmëve: të dëgjojmë Fjalën e së Vërtetës; të jetojmë, të flasim e të veprojmë sipas së vërtetës e ta refuzojmë gënjeshtrën që helmon njerëzimin dhe e çon drejt të gjitha të këqijave.

E gjatë kësaj kohe, praktikat kreshmore siç është lutja, agjërimi, pendesa e tjera, për traditën e krishterë janë 'armë' shpirtërore për të luftuar pasionet e këqija dhe veset. Të mërkurën që kaloi, në ritin e përhimjes kemi dëgjuar fjalët domethënëse që meshtari shqiptoi: “Pendohuni e besoni në Ungjill”, ose “Kujtohu se je hi e në hi do të kthehesh”. Pikërisht për shkak të pasurisë së simboleve e të teksteve biblike e liturgjike, e Mërkura e Përhime quhet me të drejtë ‘porta e Kreshmëve”.

Vërtetë, leximet biblike të së Mërkurës Përhime krijojnë atmosferën pendestare të kësaj kohe të fortë shpirtërore, me ftesën që Zoti e vë në gojën e Joelit profet: “Khehuni nga unë me gjithë zemër, me agjërime, me lot e vajtime; shqyeni zemrat e jo petkat; kthehuni, sepse Hyji juaj është i butë e i mëshirshëm, i durueshëm e i dhimbshëm, ndjen keqardhje për fatkeqësitë”.

Ftesa e Joelit ka vlerë edhe për ne sot, sepse si besimtarë na fton të mos ngurrojnë për ta rigjetur rrugën drejt Zotit e për rivendosur miqësinë tonë me Të, atë miqësi që kemi humbur për shkak të mëkatit, duke përsëritur fjalët e Psalmit të madh pendestar: “Na fal, o Zot, kemi mëkatuar! Na e kthe përsëri gëzimin që ndjen njeriu i shpëtuar!”.

Ftesa që na drejton Kisha katolike në këtë periudhë Kreshmësh është rast i mirë për një ripërtëritje të vërtetë të jetës në Zotin. Liturgjia e së Mërkurës së Përhime na tregoi se kthesa e zemrës tek Zoti është përmasa themelore e kohës së Kreshmëve. E kjo thirrje ndjehet fuqimisht pikërisht në kuptimin e dyfishtë të riteve që kemi kremtuar dje, të mërkurën e Përhime, sepse thirrja lidhet me ndryshimin e brendshëm, pendesën e kthesën tek Zoti, në njërën anë dhe në anën tjetër, na kujton brishtësinë tonë njerëzore. “Kjo botë kalon me të shpejt, si zjarri i bërë me kashtë..” thotë poeti.

Pra, gjatë Kreshmëve kemi dyzet ditë për ta thelluar këtë përvojë shpirtërore asketike, duke bërë vepra dashurie, vepra bamirësie të krishterë, do të thotë duke dhënë lëmoshë për të varfrit, duke falur të tjerët, duke u pajtuar me të afërmin e duke iu lutur Zotit e duke agjëruar.

Kujtojmë se agjërimi, për të cilin Kisha na fton në këtë kohë të fortë shpirtërore, nuk ka të bëjë me arsyet fizike apo estetike, por lidhet ngushtë me pastrimin shpirtëror të njeriut, me çhelmimin e zemrës e të shpirtit tonë nga mëkati e nga e keqja, dhe na edukon e ndihmon të lirohemi nga skllavëria e vetvetes, na bënë më të vëmendshëm në dëgjimin e zërit të Zotit e në shërbimin e vëllezërve. Për këtë arsye agjërimi dhe praktikat tjera kreshmore, tradita e krishterë i konsideron si ‘armë’ shpirtërore për të luftuar të keqen, pasionet e mbrapshta e veset, me një fjalë: për t’u rilindur në dashurinë për Zotin e të afërmin.

27 shkurt 2020, 11:11