Kërko

 La Croce di Gesù Cristo e la corona di spine La Croce di Gesù Cristo e la corona di spine 

Kisha fillon nesër Kreshmët, udhë drejt Zotit e të afërmit

Krezhmët janë porta, përmes së cilës hyjmë në një përmasë, që e bën të shndrisë gjithçka të krishterë – kthimin personal tek Zoti, bamirësinë ndaj të afërmit, thjeshtësinë e jetës – kaq fuqishëm, sa të duken si diamante në vitrinën e një argjendari.

R.SH. - Vatikan

Nesër, me të Mërkurën e Përhime fillon periudha e Kreshmëve, një udhë shpirtërore drejt Zotit e të afërmit. Pra me liturgjinë e ritit të Mërkurës së Përhime, për Kishën katolike fillon periudha e lutjes, kundrimit të Fjalës së Zotit, agjërimit dhe pendesës.

Pra, me riti simbolik të Përhimjes e me fjalët përkatëse që shoqërojnë liturgjinë kishtare të së Mërkurës së Përhime, hyjmë në Kohën kishtare të Kreshmëve. Riti i përhimjes na kujton qortimin e Joelit Profet, sipas të cilit gjesteve të jashtme, karakteristike për periudhën e Kreshmëve, duket t’i përgjigjet çiltërsia e shpirtit dhe koherenca e veprave. E riti i përhimjes shprehet përmes formulës “Pendohuni e besoni në Ungjill”, ose “Kujtohu se je hi e në hi do të kthehesh!”. Pikërisht për shkak të pasurisë së simboleve e të teksteve biblike dhe liturgjike, e Mërkura e Përhime me të drejtë quhet ‘porta e Kreshmëve”.

Krezhmët janë porta, përmes së cilës hyjmë në një përmasë, që e bën të shndrisë gjithçka të krishterë kthimin personal tek Zoti, bamirësinë ndaj të afërmit, thjeshtësinë e jetës – kaq fuqishëm, sa të duken si diamante në vitrinën e një argjendari. Por nuk do të vlenin asgjë – një rrëfim më shumë, një lëmoshë, një agjërim – nëse përveçse në kokë, të mos binte edhe në zemër një grusht me hi, pra, nëse secili prej atyre gjesteve të mos ishte fryt i një akti të vetëdijshëm përvuajtërie para Zotit e jo vuajtje e shfaqur për një grusht duartrokitjesh, siç ndodhi me fariseun e Ungjillit. Kështu na ka mësuar e na mëson Kisha, duke na ftuar të jemi gjithnjë në kërkim të dashurisë së Zotit.

Koha liturgjike e shpirtërore e Kreshmëve na fton të bëjmë kthimin personal tek Zoti. Kthim do të thotë të pranosh lirisht e me dashuri se varesh krejtësisht nga Zoti, Krijuesi ynë i vërtetë, të pranosh se varesh nga dashuria. Kjo nuk është varësi, por liri. Ta kthesh zemrën kah Hyji do të thotë pra, të mos ndjekësh suksesin tënd personal, i cili kalon, por, duke lënë mënjanë çdo siguri njerëzore, të ndjekësh me thjeshtësi e besim Zotin, në mënyrë që për secilin prej nesh, Jezusi të bëhet, siç i pëlqente të përsëriste së Shën Nënë Terezë të Kalkutës, krejtësisht yni në gjithçka.

Kisha na kujton gjithmonë se nuk është njeriu, arkitekti i fatit të tij të amshuar, por Zoti, prandaj kthimi i zemrës kah Hyji nuk është një vendim i thjeshtë moral, që na ndryshon sjelljen në jetë, por është vendim feje, që na përfshin krejtësisht në bashkimin intim me një njeri të Gjallë e konkret, me Jezusin. Të kthehesh e të besosh në Ungjillin nuk janë dy gjëra të ndryshme, apo, në një farë mënyre, thjesht të vendosura pranë e pranë, por shprehin të njëjtin realitet.

E duke ndalur tek për përvujtëria dhe kthimi në rrugën e Zotit, Kisha na shpjegon se është fjala për një virtyt të vështirë. Kur ulim kryet, për shumë vetë është shenjë humbjeje, por harrojmë se jeta e krishterë nuk është ndjekja e ligjeve, por takimi me një Person të vetëm, me Jezu Krishtin – Zot e Shpëtimtar. E ka vetëm një mënyrë për të hyrë në kontakt me Të: lutja.

Kisha e di se, për shkak të dobësisë sonë njerëzore, është e lodhshme të rrimë në heshtje para Zotit, për t’u bërë kështu, të vetëdijshëm se jemi krijesa, që varen prej Tij, se jemi mëkatarë, që kanë nevojë për dashurinë e Tij; për këtë, gjatë kohës së Krezhmëve, Kisha na fton të lutemi më shumë e me besim më të madh, si edhe të meditojmë gjatë Fjalën e Zotit.

Kreshmët, pra, janë udhë pendese e lufte kundër së keqes, duhet të kemi guximin ta hedhim poshtë gjithçka na çon jashtë rruge, vlerat e rreme, që na mashtrojnë duke na tërhequr në mënyrë djallëzore, egoizmin tonë. Kisha na fton kryesisht të rikthejmë tek Zoti.

Rruga e Krezhmëve për një të krishterë është e rëndësishme si pranvera për natyrën, sepse është pranvera e shpirtit. Është çasti, në të cilin rilindim, rimarrim udhën drejt shenjtërisë. Jemi të bindur se si të krishterë, nuk mund t’i përgjigjemi dhuratave të Zotit vetëm me ndonjë gjest kortezie, ose me ndonjë element mirësjelljeje. Ne jemi përfshirë nga Hyji në planin e tij të shpëtimit për krejt njerëzimin: t’i japim njeriut shpresën, që ai vetë e tradhton shpesh; t’u hapim njerëzve zemrën drejt hyjnores, drejt Zotit e, njëkohësisht, të rizbulojmë Ungjillin si udhë, që na ndihmon të takojmë Hyjin tek njerëzit e njerëzit në mundimet, gëzimet e shpresat e tyre.

25 shkurt 2020, 12:13