Kërko

Vatican News
 Mesdheu, kufi i paqes Mesdheu, kufi i paqes 

Imzot Russo:Kishat e Mesdheut në dialog me Françeskun, në Bari

Të hapen zemrat për tjetrin, të favorizohet dialogu e ballafaqimi e t’u dorëzohet një ardhmëri më e mirë të rinjve. Do të jenë këto, temat kryesore të takimit “Mesdheu, kufi i paqes”, çast reflektimi, që do të mbahet nga 19 deri më 23 shkurt, në Bari të Italisë, ku do të mblidhen të gjithë ipeshkvijtë katolikë të vendeve, që lagen nga Mesdheu. Takimi do të përfundojë me Meshën e kremtuar nga Papa Françesku.

R. SH. - Vatikan

“Takimi do t’i japë hapësirën më të madhe dialogut e dëgjimit”. Sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, imzot Stefano Russo, përmbledh me këto fjalë ndjetet e takimit, që do të fillojë të mërkurën e ardhshme, në Bari, ku të gjithë ipeshkvijtë e vendeve, që lagen nga Mare nostrum, do të flasin mbi rolin e “Mesdheut, si kufi i paqes”. Pjesëmarrësit në takim, të dielën, më 23 shkurt, do të shikojnë mbi altarin e Meshës përfundimtare vetë Papën Françesku, që kthehet përsëri në kryeqendrën pulieze, pas vizitës së 2018-tës.

Deti i vëllazërimit

Imzot Russo foli për këtë ngjarje të madhe gjatë paraqitjes së ngjarjes, në Bari, përkrah kryeipeshkvit të qytetit, imzot Francesco Cacucci dhe disa prej autoriteteve më larta civile vendase. Takimi do të jetë sinod kushtuar temave kryesore të Mesdheut, por pa diskutime të përgatitura. Nuk do të ketë, pra,  natyrën e konferencës. Do të jetë ballafaqim i mirëfilltë, me stilin kishtar të dëgjimit e të dialogut. Titulli “Mesdheu, kufi i paqes”,  ka kuptimin se kush takohet me Krishtin, gjen paqen e plotë. Ballafaqimi i 58 ipeshkvijve e patriarkëve të pranishëm në Bari, do të ketë në qendër të vëmendjes temat e vëllazërimit e të paqes. Konceptet, që do të pasqyrohen në dokumentin përfundimtar, do të jenë fryt i dëgjimit dhe sintezë e punimeve të ditëve, kaluar në Bari - shpjegon akoma imzot Russo - që do të përmblidhen e të bëhen fjalë e thënë për paqen.

Rëndësia e ngjarjes në këndvështrimin mediatik e politik u vu në dukje  nga sekretari i përgjithshëm i Konferencës ipeshkvnore italiane: “Organizimi i këtij takimi - kujtoi - besoj se ka kuptim jo vetëm për Kishën, por edhe për mbarë shoqërinë. Pikërisht fakti që vihet në qendër të vëmendjes paqja, krijon interes universal. Përveç kësaj - vijoi të kujtojë  imzot Russo - ky takim vë në qendër të vëmendjes dëgjimin e, prej këndej, ka shumë mundësi të lindë ideja për të bërë diçka me kadencë periodike ose thjesht, për të vijuar rrugën e nisur. Nuk mund ta dimë që tani, por shpresojmë se do të krijojë vazhdimësi, do të nisë një shteg të ri, për të vijuar rrugën e  punës baritore të hapur nga Papa, që shikon në ditët e Barit “dialogun ndërmjet Kishave”, i cili shpresojmë se do të vijojë!

Nën shenjën e La Pirës

Eshtë përsëri Bari, në qendër të vëmendjes së takimit të Lindjes me Perëndimin, e edhe në rrugën e vëllazërimit të vendeve të Mesdheut. Kryebashkiaku i asokohshëm i Firences, Giorgio La Pira - siç e kujtoi ipeshkvi i Barit, imzot Francesco Cacucci - e pati përshkruar Mesdheun  si   “liqen i madh i Tiberiades”, djep i qytetërimit, por edhe teatër i takimit. “Besoj, prandaj, se mesazhi më i madh, që mund të japë  ky takim, do të jetë ai i dëgjimit të njëri-tjetrit - nënvizoi imzot Cacucci. “Nuk është nevoja t’u sugjerojmë ipeshkvijve çka duhet të thonë. Duhet vetëm t’i dëgjojmë. Nga ana tjetër, tema e paqes e përshkon gjithë historinë e Shëlbimit! Termi hebraik Shalom ka pikërisht kuptimin e drejtësisë e të pajtimit. Shalom tregon jo vetëm mungesën e luftës, por edhe, e sidomos,  atmosferën e harmonisë. Pa harruar se ky det i paqes dhe i harmonisë sot shndërrohet gjithnjë më shpesh në varrezë! E kjo na ndihmon ta kuptojmë edhe më mirë pse ky takim do të jetë përsëri kumt i Shalom - i paqes së Zotit!  

17 shkurt 2020, 16:54