Kërko

Vatican News
Imzot Giorgio Demetrio Gallaro Imzot Giorgio Demetrio Gallaro 

Imzot Gallaro, sekretari i ri i Kongregatës për Kishat Lindore

Papa emëroi imzot Giorgio Demetrio Gallaron-n, ipeshkvin e deritanishëm të Eparkisë së Horës së Arbëreshëve në Siçili, sekretar të Kongregatës për Kishat Lindore.

R.SH. - Vatikan

Ipeshkvi i Horës së Arbëreshëve, në ekipin drejtues të Kongregatës së Vatikanit për Kishat Lindore. Imzot Giorgio Demetrio Gallaro, i cili deri tani ka shërbyer si dhespot pranë arbëreshëve në Siçili, u emërua sekretar i kësaj Kongregate nga Papa Françesku. Lajmin e jep Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Imzot Gallaro u lind më 16 janar 1948 në Pozzallo të Siçilisë. Përfundoi studimet e ulta dhe të mesme në seminarin e Notos. Pasi shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1968, vijoi kurset teologjike në Seminarin e Shën Gjonit në Los Anxheles të Kalifornisë. U shugurua diakon në vitin 1971, ndërsa meshtar, më 1972.

Ndërmjet Italisë dhe SHBA-ve

         Pasi shërbeu për tetë vjet me radhë në dy bashkësi famullitare të kryedioqezës së Los Anxhelesit, i përfundoi studimet në Institutin Papnor Lindor të Romës dhe në Universitetin Papnor të Shën Tomës së Akuinit, duke marrë doktoraturën në të drejtën kanonike lindore, por edhe licencën në teologjinë ekumenike. Më pas, shërbeu në famulli e dha mësim në Eparkinë e tij Melkite të Newton, Massachussets, në atë ukrainase të Stamford, Connecticut dhe në Kryeeparkinë rutene në Pittsburgh, Pensilvani. Që nga viti 2011, imzot Gallaro ka qenë zv.kryetar i Shoqatës së të Drejtës Lindore, ndërsa që nga viti 2013, këshilltar i Kongregatës për Kishat Lindore. Shërbeu si vikar për punët kanonike dhe si vikar gjyqësor në Kryeeparkinë e Pittsburgh-ut. Ishte profesor i së drejtës kanonike dhe i teologjisë ekumenike në Seminarin Bizantin Katolik të Shenjtorëve Cirili dhe Metodi në Pittsburgh, si edhe gjykatës apeli për Kryeeparkinë e Filadelfies së Ukrainasve.

Ipeshkëv i Eparkisë së Horës së Arbëreshëve

         Imzot Giorgio Demetrio Gallaro u emërua ipeshkëv (dhespot) i Eparkisë së Horës së Arbëreshëve, në Siçili, nga Ati i Shenjtë, më 31 Mars 2015. U shugurua në katedralen e Shën Mitrit të Madh Dëshmor në Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), më 28 qershor të atij viti, nga Eparku i Ungrës, imzot Donato Oliverio, së bashku me ekzarkun Dimitrios Salachas dhe peshkopin Nicholas James Samra.

25 shkurt 2020, 17:19