Kërko

Vatican News
George Frendo arcivescovo di Tirana e presidente conferenza episcopale d'Albania George Frendo arcivescovo di Tirana e presidente conferenza episcopale d'Albania 

Imzot George Frendo: T’i pranojmë Kreshmët si lajm të mirë tё shpёtimit qё na sjell Jezusi

Imzot Frendo: Të zgjohemi dhe me entuziazëm të fillojmë rrugën e kreshmëve, që ta dëgjojmë zërin e ëmbël të Atij që do të na pranojë me fjalët: “Mos kini frikë! Paqja me ju!”. Kreshmët janë një përtëritje e kësaj ftese të Jezusit: “Ejani tek unë”.

R.SH. - Vatikan

Imzot George Frendo, kryeipeshkёv i Kishёs sё Tiranё-Durrёsit, nё Mesazhin e Krezhmёve 2020,  u kёrkon besimtarёve “t’i pranojmë Kreshmët si një lajm të mirë tё shpёtimit qё na sjell Jezusi”, t’i pranojmë me gëzim, të bindur se kemi shumë nevojë të dëgjojmë përsëri fjalën e Jezusit: “Sot erdhi shpëtimi për ju”. “Të zgjohemi - bёn thirrje besimtarёve imzot Frendo - dhe me entuziazëm të fillojmë rrugën e kreshmëve, që ta dëgjojmë zërin e ëmbël të Atij që do të na pranojë me fjalët: “Mos kini frikë! Paqja me ju!”. 

Ja Letra Qarkore e Imzot Frendos pёr Kreshmёt 2020

Prot. Nr. 40/20

IMZOT GJERGJ FRENDO, 

ARQIPESHKËV METROPOLIT I TIRANË-DURRËS

TË GJITHË MESHTARËVE, RREGULLTARËVE, RREGULLTAREVE DHE BESIMTARËVE

Fort të dashur,

Edhe pak ditë e do fillojmë kohën e shenjtë të Kreshmëve. Le ta pranojmë këtë kohë si një lajm të mirë, sepse është koha në të cilën do të dëgjojmë fjalën e Zotit Jezus i cili do të na thotë, si i tha Zakeut: “Sot erdhi shpëtimi në këtë shtëpi”(Lk 19, 9).

Le ta pranojmë këtë me gëzim, të bindur se kemi shumë nevojë të dëgjojmë përsëri atë fjalë të Jezusit: “Sot erdhi shpëtimi për ju”. Sa shumë njerëz sot jetojnë në dëshpërim! Disa sepse përballojnë probleme të ndryshme dhe të shumëllojshme: financiare, shëndetësore dhe familiare. Sa shumë kanë humbur gëzimin e jetës, ndoshta sepse ndihen të vetmuar, të braktisur dhe të tradhtuar.

Por bota e sotme, e cila na ka dhuruar shumë rehatshmëri të ndryshme, ka sjellë me vete edhe probleme të reja, dhe janë probleme që kanë krijuar një kulturë frike.

Kultura e frikës

Kemi frikë nga sëmundje të reja: kemi dëgjuar për disa sëmundje të reja, si ebola, sars dhe, gjatë këtyre javëve të fundit, koronavirus. Kur, para disa ditësh, kam qenë në një aeroport të madh, kam parë shumë persona me një maskë për fytyrën, para hundës dhe gojës, si mbrojtje kundër infektimit me koronavirus; për këtë arsye shumë njerëz sot kanë frikë të udhëtojnë në disa vende të huaja.

Kemi frikë nga tërmeti: nga ajo natë e 26 nëntorit kur një tërmet i fortë ka tronditur territorin e dioqezës sonë dhe ka shkaktuar shumë viktima, shumë janë pushtuar nga frika aq shumë saqë edhe kur fryn erë e fortё, imagjinojnë se paralajmëron një tërmet.

Kemi frikë nga luftërat: u shtua tensioni mes disa vendeve, dhe ëndrra e disa shkrimtarëve të cilët kishin menduar se rënia e komunizmit do të sillte automatikisht fillimin e një shoqërie ndërkombëtare më paqësore, u shua.

Kemi frikë nga ngrohja globale: nëse kjo ngrohje nuk frenohet, ka rrezik që dalëngadalë bota do të bëhet e pabanueshme.

Kemi frikë nga dhuna fizike, psikologjike dhe seksuale: janë në rritje vrasjet, vetëvrasjet, dhuna familjare dhe abuzimet seksuale. E gjithë kjo tregon një tragjedi morale të pa precedent në shoqëri. Ja roli i veçantë dhe fisnik që kemi ne, nxënësit e Krishtit, i cili u denjua të na drejtohet neve me fjalët: “Ju jeni drita e botës”. Jemi ne që kemi mundësi dhe detyrë t'i ndryshojmë jo strukturat, por zemrat.

Dhe Jezusi na thotë: “Mos kini frikë!”

Dëgjoni një fjalë shumë të bukur nga Libri i Isaisë Profet: “Mos u tremb se unë të shpërbleva, e të thirra me emrin tënd, ti je imi! Përmbi ujëra kur të kalosh, me ty do të jem, lumenjtë mbi ty nuk do të vërshojnë; nëpër zjarr kur të kalosh, nuk do të digjesh, flaka ty nuk do të të djegë, sepse unë Zoti, Hyji yt, Shenjti i Izraelit, Shpëtimtar … U bëre i çmueshëm në sytë e mi, dhe i lavdishëm; unë të dua ... Mos u tremb: unë jam me ty”.

Agjërimet e sakrifica të tjera, veprat e bamirësisë si edhe të gjitha lutjet që do të bëjmë gjatë kohës së kreshmëve kanë një qëllim të veçantë: të na aftësojnë që të ngjallemi me Jezu Krishtin. Krishti i ngjallur u tha: “Mos kini frikë!”

Shën Pjetri i pa mrekullitë e Jezusit, dhe atëherë vuri re se ishte në praninë e të Shenjtit, ndërsa ai ishte mëkatar. Nga frika, i tha Jezusit: “Largohu prej meje, se jam njeri mëkatar” (Lk 5, 8). Megjithatë Jezusi nuk u largua. Madje Ai na drejtohet neve e na thotë: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur e të munduar, sepse unë do t'ju çlodh” (Mt 11, 28). Këto fjalë Jezusi i përsërit duke iu drejtuar secilit prej nesh, veçanërisht gjatë kohës së kreshmëve.

Kreshmët janë një përtëritje e kësaj ftese të Jezusit: “Ejani tek unë”. Të vish për Meshë të paktën ditën e Diel nuk është një peshë: nëse ke kuptuar mirë Ungjillin e Krishtit do të bindesh se Mesha është një takim i veçantë me një mik të veçantë, që quhet Jezus. Të afrosh meshtarin për rrëfim nuk është një peshë: është shërim nga ato sëmundje shpirtërore që peshojnë mbi zemrën tënde dhe bllokojnë rrugën drejt paqes.

Të zgjohemi, të dashur vëllezër dhe motra, dhe me entuziazëm të fillojmë rrugën e kreshmeve, që ta dëgjojmë zërin e ëmbël të Atij që do të na pranojë me fjalët: “Mos kini frikë! Paqja me ju!”

Ju kujtoj detyrën tonë të mbajmë agjërim të Mërkurën e Përhime e më pas të Premten e Madhe. Janë të detyruar të agjërojnë në këto dy ditë të gjithë ata që kanë mbushur moshën 18 deri në 60 vjeç. Mosngrënia e mishit është e detyrueshme për të gjitha të premtet e kreshmëve për të gjithë ata që kanë mbushur 14 vjeç. Ju ftoj të gjithëve që gjatë kohës së Kreshmëve t’i afrohemi sakramentit të rrëfimit dhe ju nxis të merrni pjesë në kremtimin e udhës së kryqit që bëhet në të gjitha kishat tona gjatë kësaj periudhe.

Dhënë nga Kuria Arqipeshkvnore, më 18 shkurt 2020.

                                                                   +George Frendo O.P.

                                                          Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës

23 shkurt 2020, 17:51