Kërko

Vatican News
 Vendi i sulmit në Hanau Vendi i sulmit në Hanau  (AFP or licensors)

Gjermani. Kard. Marx: perspektiva e krishterë nuk i justifikon nacionalizmin dhe racizmin agresiv e përjashtues

Gjermani: masakër në Hanau. Kard. Marx: “Perspektiva e krishterë nuk mund ta justifikojë këtë prirje drejt nacionalizmit dhe racizmit agresiv e përjashtues”.

R. SH. - Vatikan

11 vetë mbetën të vdekur, natën e terrorit në Hanau, qytet me 90 mijë banorë në rajonin e Assia-s, jo larg Frankfurtit. Nëntë vetë u vranë, të mërkurën e kaluar, gjatë dy të shtënave të ndryshme: e para pak pas orës 2, në një  bar, lokal ku thithej nargjilè, shkaktoi vdekjen e  5 vetëve.

Pak minuta më pas, qindra metra më larg, përballë një bari tjetër, sulmi i dytë, që la pas katër të vdekur e disa të plagosur. Autori i pandehur, e   edhe nëna e tij  - sipas njoftimit të Bild – u gjetën më pas të vdekur në apartamentin e vrasësit, njëherësh me një letër e një video, me rrëfimin e tij. Figurat dhe letra tani për tani po analizohen nga ana e forcave të policisë, por - gjithnjë sipas Bild - sqarojnë arsyet me vulë raciste, që e nxitën atentatorin për këtë masakër.

“U tmerrova” - kështu u shpreh kardinali Reinhard Marx, kryetar i ipeshkvijve  gjermanë, pasi dëgjoi çfarë kishte ndodhur në Hanau. Në një komunikatë, në emër të Konferencës ipeshkvnore, Hirësia e Tij u shpreh ngushëllimet dhe afërsinë në lutje familjeve të viktimave dhe të plagosurve e, më pas, vijon:

 “Vazhdimisht provojmë veprime të urryera e çnjerëzore, në të cilat ndjehet dora e së djathtës ekstreme, vepër e njerëzve, që e mbajnë veten si mbrojtës të shoqërisë sonë e të vendit tonë, shpesh  të nxitur  nga parrulla të ngarkuara me urrejtje në internet e në rrethet e tyre. Perspektiva e krishterë nuk mund ta përligjë në asnjë mënyrë këtë prirje drejt nacionalizmit dhe racizmit agresiv e përjashtues”.

Përkundrazi, të krishterët në Gjermani vijojnë të japin, pa u lodhur kurrë, shenja shprese, paqeje e kohezioni, mbasi besojnë se të gjithë njerëzit, pavarësisht nga feja, kombi, kultura a gjuha, janë bij të Zotit.

Kardinali përfundon duke ripohuar me forcë se “të krishterët duan të jenë së bashku me të gjithë ata, që i kundërvihen dhunës dhe terrorit, duke u nisur nga gjërat e vogla, domethënë, duke iu kundërvënë  populizmit të së djathtës, deklaratave të dhunshme në Internet e edhe personave, që i shpërdorojnë vlerat e krishtera të dashurisë e të solidaritetit për qëllimet e tyre”.

21 shkurt 2020, 12:10