Kërko

Vatican News
Shën Pali apostull Shën Pali apostull 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra e shën Palit apostull drejtuar Galatasve – lufta e Palit

“Apostull, jo prej njerëzve…, por me anë të Jezu Krishtit edhe të Hyjit Atë” (Gal 1,1). Kështu paraqitet shën Pali në Letrën drejtuar Galatasve e kuptohet menjëherë se do të jetë një Letër mjaft polemike. Faktikisht, është më polemikja që ka shkruar e në disa pjesë, i tejkalon edhe tonet e ndezura të Letrave drejtuar Korintasve.

R.SH. - Vatikan

Vazhdojmë shfletimin e librit “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia. Sot, do të fillojmë komentin e Letrës së shën Palit Apostull drejtuar Galatasve.

“Apostull, jo prej njerëzve…, por me anë të Jezu Krishtit edhe të Hyjit Atë” (Gal 1,1). Kështu paraqitet shën Pali në Letrën drejtuar Galatasve e kuptohet menjëherë se do të jetë një Letër mjaft polemike. Faktikisht, është më polemikja që ka shkruar e në disa pjesë, i tejkalon edhe tonet e ndezura të Letrave drejtuar Korintasve.

Vetëm gjashtë kapituj që, në ndryshim nga Letrat për bashkësinë e portit grek, kanë një argument të vetëm, i cili trajtohet qartë e do të shpjegohet më pas edhe në Letrën drejtuar Romakëve: shëlbimi përmes fesë.

Teologjikisht, kjo Letër është më e qarta dhe më e drejtpërdrejta në shprehjen e mendimit të shën Palit e, me të vërtetë, do ta çojë historinë e krishterë në një hulli mjaft të përcaktuar.

Le të bëjmë disa pyetje: pse ne të krishterët nuk respektojmë më asnjërën nga 613 rregullat e Ligjit judeas? Pse nuk rrethpritemi? Pse nuk i respektojmë normat mbi pastërtinë e ushqimit, të veshjes e të një morie sendesh të tjera? Pse nuk bëjmë gjithçka pati bërë Jezusi? Ose, që patën bërë Zoja e dishepujt, si para, ashtu edhe pas vdekjes së Krishtit? Me një fjalë, pse nuk i ndjekim më veprat e Ligjit?

Ndokush mund të përgjigjet se, pa dyshim, respektojmë 10 Urdhërimet e Tënzot! Kur e bëjmë këtë… pa tjetër, ato janë zemra e aleancës me Hyjin e lidhen edhe me normat e tjera judease, por ne duket sikur e kemi “harruar” Daljen, Ligjin e Përtërirë e krejt Ligjin e Moisiut. Si ka ndodhur kjo?

E pra, në Ungjillin sipas Mateut, në fillim të Fjalimit të rëndësishëm në Mal, Jezusi thotë:

“Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej. Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha. Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit” (Mt 5,17-19).

Duket sikur gjërat janë kështu: Mateu e Jakobi nga njëra anë, Pali e Gjoni nga ana tjetër. Në mes, Pjetri, që shkon sa me njërën, aq edhe me palën tjetër, ndoshta sepse nuk i përdor me kaq furi disa koncepte teologjike. Në Besëlidhjen e Re shihen qartë gjurmët e këtij konflikti të frikshëm, që e ndau bashkësinë e krishterë, siç dëshmon dukshëm “Koncili i Jeruzalemit”.

Ndeshja është e dhunshme e qëndrimet s’mund të jenë më larg se kaq. Ja si flet shën Pali në kapitullin e dytë të Letrës drejtuar Galatasve:

“Njeriu nuk shfajësohet në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin” (Gal 2,16).

Shën Jakobi, ndoshta duke menduar për shën Palin, përgjigjet kështu:

“Ç’dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat? A thua mund ta shpëtojë vetëm feja? (Jak 2,14).

Le të përpiqemi të kuptojmë ç’luhet në këtë mes. Pali kalon në Galati në vitin 50, kur ishte, ndoshta, i pamundur fizikisht dhe, e ungjillëzon këtë zonë të Turqisë aktuale, që banohej nga popuj të lashtë indoeuropianë me origjinë kelte, të cilët historiani grek Polibi (shekulli II para Krishtit) i pati quajtur galatas, ose galë.

Kjo të bën pak të qeshësh, sepse është sikur shën Pali t’u shkruante Asterix-it dhe Obelix-it e, në të vërtetë, galatasit janë njerëz të fortë, ashtu si këta heronj të filmave vizatimorë e madje, edhe pak pa përvojë, si ata: sapo ikën Pali, ata mirëpresin disa të krishterë, ndoshta, ardhur nga Jeruzalemi, të cilët u thonë se po të mos rrethpriten nuk janë të krishterë të vërtetë. Kur lajmi arrin në veshët e Palit… hapu dhe të futem! E Letra, që apostulli u shkruan galatasve, na paraqet pikërisht këtë shën Pal gati të tërbuar.

Në dy kapitujt e parë, shën Pali mbron veten dhe Ungjillin e tij. E kur thotë “imi”, përjashton menjëherë çdo version tjetër. Vetëm Ungjilli i tij është ai i vërteti!

Shën Pali jep kështu versionin e tij të Koncilit të Jeruzalemit e të të famshmit “incident të Antiokisë”, kur para të gjithëve, e quajti hipokrit shën Pjetrin e shkretë. Më parë mbrohet, pastaj, kalon në sulm e kështu, arrin formulimi i parë i teologjisë së tij:

“Ne besuam në Jezu Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit e jo nga veprat e Ligjit, sepse ‘askush nuk do të mund ta fitojë drejtësinë’ me anë të veprave të Ligjit” (Gal 2,16).

E, ja pyetja njëmijë dollarëshe: nëse krishterimi, sipas Palit, nuk është çështje ligjesh e rregullash, pse perceptohet nga shumëkush si fe e rregullave dhe e moralizmave?

Për këtë, do të flasim në emisionin e ardhshëm.

13 shkurt 2020, 09:42