Kërko

Vatican News
Shën Pali apostull Shën Pali apostull 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Letra e dytë e shën Palit apostull drejtuar Korintasve- ligështia dhe shenjtëria

Erdhëm kështu në fund të Letrës së dytë të Shën Palit Apostull drejtuar Korintasve. Na mbetet përshtypja se ajo na tërheq brenda një grindjeje, që merr tiparet e një psikodrame. Nëse është kështu, nëse Besëlidhja e Re e përmban etjen për qiellin dhe dashurinë e përsosur, duke e futur brenda luftrave, zilive, gjakmarrjeve, gjithnjë tepër trup me trup, do të thotë se Zoti e njeriu, hiri dhe ligështia, janë të destinuara ta vijojnë këtë psikodramë, ndërsa shën Pali është interpretuesi dhe shkrimtari më i mirë i saj.

R.SH. - Vatikan

Përfundojmë sot komentin e Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve. Vazhdojmë të ndjekim librin “Është ora e leximit të Biblës”, të meshtarit italian, don Federico Tartaglia.

Javës së kaluar mbërritëm deri në kapitullin 10, në mbrojtjen e fuqishme që shën Pali i bën vetes dhe punës së tij, para atyre që e kritikojnë. Kapitulli 11 është një listë e vërtetë e të gjitha gjërave, që shën Pali ka bërë deri në atë çast, por edhe e të gjitha kritikave dhe ngacmimeve, për shkak të Ungjillit. E ja si u përgjigjet furishëm kritikave të judeasve:

“A janë hebrenj? - Jam edhe unë! A janë izraelitë? - Jam edhe unë! A janë pasardhës të Abrahamit? - Jam edhe unë! A janë mbarështues të Krishtit? - Si i dalë mendsh po flas: - unë edhe më tepër! Në lodhje - më tepër! Në burgje - më tepër! Në të rrahura - më tepër! Në rrezik të vdekjes - unë më shpesh! Prej judenjve mora pesë herë nga tridhjetë e nëntë frushkuj! Tri herë kam qenë rrahur me thupër, një herë vrarë me gurë, tri herë e kam përjetuar anijembytjen, një natë e një ditë e kam kaluar në valët e detit! Në udhëtime të shpeshta, në rreziqe lumenjsh, në rreziqe cubash, në rreziqe bashkatdhetarësh, në rreziqe paganësh, në rreziqe në qytet, në rreziqe në shkreti, në rreziqe në det, në rreziqe prej vëllezërve të rrejshëm! Në mundim e të lodhura, në net të kaluara shpesh pa gjumë, në uri e në etje, në agjërime të shpeshta, në të ftoftë dhe i zhveshur!” (2 Kor 11,22-27)

         Po, mor shën Pal, e dimë që ke qenë një “superapostull”, megjithëse nuk është kurrë bukur të mburresh, këtë e di edhe ti vetë e përpiqesh të shpjegosh pse ke arritur deri në këtë pikë: “E gjithë kjo pse? Ndoshta se nuk ju dua? Zoti e di sa ju dua!”.

         E si të mos mjaftonin punët e tij apostolike, Pali shkon më tej e flet për jetën e tij shpirtërore, ku i duket qartë bipolariteti. Nga njëra anë, vizionet, nga ana tjetër, “thumbi në mish”. Forcë hyjnore e ligështi trupore, mundime e ekstazë.

         “E njoh një njeri në Krishtin, i cili, para katërmbëdhjetë vjetësh… qe ngritur në të tretin qiell. Dhe e di se ky njeri… ka qenë ngritur në parriz dhe ka dëgjuar fjalë të patregueshme, të cilat njeriu nuk guxon t’i përsëritë”. (2 Kor 12,2-4)

         Shën Pali është ngjitur në qiell, ka parë Zotin e këtu qëndron siguria e Ungjillit, që predikon ai, por edhe ajo e misionit të tij. Vetëm se është e qartë se Zoti e dinte mirë ç’rrezik vinte nga fariseu i Tarsit:

         “Dhe që, të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m’u dha në trup një ferrë - engjëlli i djallit - për të më rrahur që të mos krenohem. Për këtë gjë tri herë iu luta Zotit të largohet prej meje. Por Ai m’u përgjigj: ‘Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi’” (2 Kor 12,7-9).

         Në këtë faqe të njohur të kapitullit 12, kuptojmë shumë nga Pali, nga shfryrja e tij, nga krenaria dhe marrëzia e tij. Askush nuk do ta marrë vesh kurrë ç’është kjo “ferrë” për të cilën flet, por ky është Pali, që, pa dyshim, e njeh hirin dhe çdo ditë eksperimenton ligështinë. E fraza e Jezusit, që i duket shën Palit dhe i flet, na bën të kuptojmë se hiri e ligështia, qielli e ferri, bëhen çift dhe ecin së bashku. Askush si Pali nuk do ta dëshmojë aq mirë papërsosurinë e shenjtërisë dhe përsosurinë e ligështisë.

         Kapitulli i fundit është një lloj paralajmërimi për korintasit, që ata t’i zgjidhin problemet para se të kthehej Pali, i cili, akoma viktimë e ligështisë së vet, bubullon kështu: “kur të vij sërish, nuk do të fal më!”.

         Erdhëm kështu në fund të Letrës së dytë të Shën Palit Apostull drejtuar Korintasve. Na mbetet përshtypja se ajo na tërheq brenda një grindjeje, që merr tiparet e një psikodrame. Nëse është kështu, nëse Besëlidhja e Re e përmban etjen për qiellin dhe dashurinë e përsosur, duke e futur brenda luftrave, zilive, gjakmarrjeve, gjithnjë tepër trup me trup, do të thotë se Zoti e njeriu, hiri dhe ligështia, janë të destinuara ta vijojnë këtë psikodramë, ndërsa shën Pali është interpretuesi dhe shkrimtari më i mirë i saj.

         Nëse kemi durimin për ta lexuar Letrën nga fillimi deri në fund, shohim se, në fund të fundit, së paku në brishtësi, nuk jemi dhe aq larg nga shën Pali apostull.

06 shkurt 2020, 12:27